Lirim Shala
I
Këto ditë lexova në “the Guardian” për gjetjet e një studimi të kryer në Londër sipas të cilit londinezët thithin ajër më të pastër falë një hapësire ku lëshimi i gazrave në atmosferë është në nivel tepër të ulët. Kjo është arritur nëpërmjet një projekti të zbatuar në të gjitha njësitë administrative që përbëjnë kryeqytetit dhe është hapësira më e gjerë në botë. I njohur si ULEZ (Ultra Low Emission Zone), projekti i hapësirës së lëshimit tepër të pakët të gazrave nga automjetet (HLTPG), i zbatuar që nga viti 2019, ka shënuar rezultate mjaft pozitive. Administrata ka zbatuar një standard të lëshimit të gazrave dhe çdo drejtues automjeti që qarkullon në këtë hapësirë e që nuk plotëson këtë standard, duhet të paguajë një taksë ditore, përveç 25 dhjetorit, ditës së kërshëndellave.
Të dhënat më të reja tregojnë që thuajse 97% e automjeteve që qarkullojnë në Londër plotësojnë standardin e lëshimit tepër të paktë të gazrave në atmosferë nga 39% sa ishte më 2017. Kjo ka bërë që të pakësohet lëshimi në ajër i dioksidit të azotit (NO2) dhe i grimcave PM 2.5. Këta ndotës lidhen me një numër problemesh shëndetësore si kanceri, sëmundjet e mushkërive, sulmet në zemër, lindjet e parakohshme etj.
Kryebashkiaku Sadik Kani (Sadiq Khan) ishte përballur me kundërshtime të ashpra për shkak të zgjerimit të kësaj hapësire më 2023, por raporti më i ri ka dëshmuar që ky vendim paskësh qenë i qëlluar. E për këtë projekt, Londra është lavdëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësore (OBSh). Maira Neira e OBSh ka deklaruar se “përmirësimi i cilësisë së ajrit nëpërmjet nismave si HLTPG është kyç për mbrojtën e shëndetit publik dhe pakësimin e barrës së sëmundjeve. Ajri më i pastër çon në bashkësi më të shëndosha, shkallë më të ulët të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të zemrës dhe cilësi më të mirë të jetës për të gjithë banorët”.

II
Një raport i vitit 2024 i UNICEF për Maqedoninë e Veriut (RMV) thotë që rreziku nga ajri i ndotur është tepër i lartë, ndërkaq vdekja e një në nëntë fëmijëve lidhet me këtë çështje që nuk merr ndonjë trajtim të duhur, ndonëse politika kapardiset me disa vendime që nuk ofrojnë rezultatin që pritet. UNICEF i ka bërë thirrje RMV që të ndërmarrë masa që do të parandalojnë përkeqësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e mbështetjes për energji më efikase dhe për qasjen në energji të pastër, si dhe mbrojtjen e shtatzënave dhe të fëmijëve nga ekspozimi në ajër të ndotur.
Një raport tjetër i publikuar në fillimvitin 2025 nga Banka Botërore, për vitin pararendës, thotë që njerëzit në shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut, e sidomos në Tetovë e Shkup, janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur me grimca helmuese më tepër sesa fqinjët në Europën Perëndimore. Sipas këtij raporti, rreth 2800 njerëz vdesin nga shkaktarë që lidhen me ajrin e ndotur. Më tej thuhet që Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë masa për menaxhimin e cilësisë së ajrit, por që ka pak përparim në pakësimin e ndotjes së ajrit. Gjithashtu shteti nuk ka bërë informimin sistematik për përparimin në zbatimin e strategjive që ka miratuar dhe nuk ka të dhëna të bollshme për mbikëqyrjen e këtij zbatimi, megjithëse korniza ligjore është në nivel të mjaftueshëm. Ndër ndotësit kryesor të ajrit në RMV radhiten përdorimi i lëndëve djegëse të ngurta në shtëpi dhe në ndërtesa të tjera, industria, transporti dhe bujqësia.
Raporti i fundit që dëshmon ndikimin e lartë të ajrit të ndotur në shëndetin e qytetarëve të RMV është edhe ai i Institutit të Shëndetit Publik (IShP), sipas të cilit ajri i ndotur ndikon në vdekshmërinë e popullsisë së vendit.
III
Në Maqedoninë e Veriut flasim shumë për masat të cilat duhet të ndërmerren e nëpërmjet të cilave do të kemi ajër më të pastër, mirëpo rezultatet po na “rrahin” keq. Shteti ynë vazhdon të përmendet shpesh në renditjen tabelore të vendeve me ndotje të lartë të ajrit. Mungesës së politikave efikase e të moszbatimit të tyre, u shtohet mungesa financiare që ka rëndësi të madhe. Shtojmë këtu edhe ndërgjegjësimin e banorëve dhe veprimet e tyre të cilat mund të jenë vendimtare për të pakësuar hedhjen e gazrave në atmosferë. Zgjidhje ka, por s’e gjejmë dot ose s’duam që ta gjejmë. Prandaj, Londra ka çfarë të na mësojë. Nëse nuk mund të zbatojmë një taksë të ngjashme, atëherë mund të ofrojmë zgjidhje dytësore të cilat nuk mungojnë. Mund të nxisim përdorimin e biçikletave, të skuterëve elektrikë, të transportit publik. Kështu do të qëndrojmë pak më larg timonit të automjeteve me lëndë djegëse. Por që të arrihet kjo, duhet të shtojmë shtigjet për biçikleta, skuterë elektronikë dhe linjat e transportit publik. Në qytetet tona nuk kemi hapësira të gjelbra të mjaftueshme sepse i kemi dhënë përparësi betonizimit, duke shtuar zgëqet. Si një çështje që do trajtimin e duhur shfaqet edhe zbatimi i politikave të këqija dhe zëvendësimi i tyre me të ngjashme e më të këqija, sa herë që ndryshon qeverisja – si vendore ashtu edhe ajo qendrore. Në Tetovë, për shembull, para ca vitesh kishim shtigje biçikletash e skuterësh, por ishin veturat që parkoheshin vend e pavend dhe që pengonin rrjedhshmërinë e komunikacionit. Sot shtigjet nuk janë, u hoqën gjoja për t’i rikthyer. Parkimi vend e pavend vazhdon të sundojë rrugët e qytetit. Kështu do të vazhdojmë të kemi ajër të ndotur, rrjedhimisht edhe rritjen e të sëmurëve të cilëve shëndetin ua “teletis” ajri i ndotur.