“Sfidat e Diplomacisë me Teknologjinë”

    DASHNOR DERVISHI 

    Në fushën e marrëdhënieve me jashtë, diplomacia zë një vend të rëndësishëm. Diplomacia është një sjellje e caktuar, që përcakton mënyrën e komunikimit të njerëzve në përgjithësi dhe jo vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ashtu siç përshkruhet në këtë studim, marrëdhëniet me jashtë dhe diplomacia kanë evoluar gjatë historisë së zhvillimit të njerëzimit dhe të shteteve si në përmbajtje, ashtu edhe në formë.

    Por pavarësisht nga mënyrat e komunikimit midis palëve, apo me opinionin publik, ato mbeten gjithmonë “njerëzore”. Në këtë kuadër, duhet të bëjmë dallimin midis politikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, në bazë të së cilës qëndrojnë interesat kombëtare të çdo vendi; diplomacisë si një mjet komunikimi midis palëve; diplomacisë publike si një mënyrë për të komunikuar me opinionin vendës dhe atë ndërkombëtar nëpërmjet shpërndarjes së informacionit, fakteve apo analizave, sipas interesave të palëve të interesuara.

    Shpeshherë, në këtë të fundit përfshihet edhe shpërndarja e dezinformimit profesional. Digjitalizimi, si një risi e fundit në sistemin e komunikimit dhe të globalizimit, u ka dhënë një dimension tjetër marrëdhënieve ndërkombëtare, artit të diplomacisë dhe diplomacisë publike. Ajo e ka rritur shkallën e mundësive për të marrë informacion në kohë reale, si dhe cilësinë e shërbimeve në dhënien dhe marrjen e informacioneve në hapësirë dhe kohë. Në mënyrë të veçantë është rritur shkalla e shërbimeve dhe lehtësirave konsullore për shtetasit, siç përshkruhet edhe në këtë studim.

    Por, digjitalizimi nuk arrin të zëvendësojë nevojën e kontaktit njerëzor, i cili përmban në vetvete konfidencialitetin, aspektin zyrtar dhe transparencën publike. Aktualisht, në protokollin ndërshtetëror, të gjitha takimet fillojnë me takimin kokë më kokë, vazhdojnë me formatin zyrtar të rreshtimit të të dy delegacioneve përballë njëri-tjetrit në tryezën e bisedimeve dhe mbyllen me konferencën e shtypit, (ku shpeshherë, palët bien qysh në fillim dakord në parim se çfarë do të thonë).

    Krahas shumë të mirave, digjitalizimi ka sjellë edhe disa probleme. Lehtësimi i komunikimit nëpërmjet internetit ka bërë që udhëheqësit e shteteve apo drejtuesit kryesorë të institucioneve të merren vesh midis tyre në mënyrë informale, pa lënë gjurmë në memorien e institucioneve përkatëse dhe shpeshherë edhe duke i personalizuar marrëdhëniet midis tyre. Edhe ky studim, që me kurajë dhe pasion është ndërmarrë nga dy diplomatë të rinj, që diplomacinë e shohin si një mision, është një përpjekje serioze për të dokumentuar dhe lënë gjurmë në historinë e diplomacisë në tërësi dhe asaj shqiptare në veçanti, si një kontribut i vlefshëm për të ardhmen e diplomacisë shqiptare. Autorët e këtij libri, Jonlinda Hada dhe Adi Hoxha, janë dy të rinj në moshë dhe si të tillë e kanë të vështirë të flasin në vetë të parë. Por ata me studimet e tyre dhe me atë eksperiencë që kanë fituar këto vite, kanë grumbulluar një material që pa frikë do shërbejë jo vetëm në kurset e diplomatëve të rinj, por do të shërbejë edhe për çdo diplomat të vjetër apo për çdo analist e profesor që merret me marrëdhëniet ndërkombëtare.

    Në libër trajtohet gjerësisht problemi i raportit midis globalizimit dhe rajonalizimit, roli i vendeve të vogla dhe fuqive të mëdha, deri në proceset e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Mund të themi që, në fillim të viteve ‘90, vija e ndarjes midis dy blloqeve politike e ushtarake gjatë luftës së ftohtë u zhvendos nga Adriatiku në Detin e Zi dhe Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare u përfshinë në një pozicion të favorshëm gjeopolitik, duke bërë që për herë të parë në historinë e vet, të gjendemi gjeografikisht në brendësi të bllokut politik, ushtarak dhe të sistemit shoqëror, në të cilin natyrshëm na takon të jemi.

    Shpërbërja e Jugosllavisë, konfliktet e njëpasnjëshme në pjesët e mbetura dhe të formuara prej saj, si dhe ripozicionimi gjeo-strategjik i trevave shqiptare, u pasqyrua edhe në pagëzimin me një emërtim të ri, atë të “Ballkanit Perëndimor”. Ky entitet i ri gjeopolitik është pjesë e rajonit të “Evropës Juglindore”, që tashmë ka zëvendësuar emrin historik “Ballkan”, i konceptuar jo vetëm si një realitet gjeografik, por edhe që mbartte një pjesë të mirë të “problemeve ballkanike”: çështjen shqiptare dhe raportet e saj me sllavët dhe ortodoksinë ballkanike, çështjen maqedonase dhe atë boshnjake.

    Në libër evidentohet se fuqitë e mëdha, si në Perëndim edhe në Lindje, në vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me vendin tonë, duket sikur shqetësohen më shumë për marrëdhëniet tona me vendet fqinje dhe qëndrimin ndaj çështjes shqiptare në rajon; ashtu sikurse edhe ne, marrëdhëniet tona me çdo vend, të madh apo të vogël, i vlerësojmë nga qëndrimet që ata kanë për Kosovën në veçanti, duke nënkuptuar çështjen shqiptare në tërësi.

    Në 6 vende të BP, 4 vende janë me popullsi dhe treva ku gjuha shqipe është zyrtare. Këto dy-tri vitet e fundit, në takimet ndërkombëtare popullsia shqipfolëse është përfaqësuar me 2 ose 3 kryeministra apo ministra të Jashtëm, secili me të drejtë vote, njësoj si e çdo fuqie të madhe evropiane. Kjo do të thotë se konceptimi dhe e ardhmja e BP në Bashkimin Evropian lidhet ngushtësisht me çështjen shqiptare, përveç pozicionimit biunivok të Serbisë.

    Kosova dhe balancat shqiptarosllave në Rajon mbeten edhe sfida e fundit brenda hapësirave të Evropës gjeografike edhe për disa vite në 10- vjeçarin e ardhshëm. Mbetet i hapur problemi nëse Ballkani Perëndimor do të përfshihet në familjen evropiane me vendime politike apo do të ndiqet skema e zbutjes graduale nëpërmjet përafrimit të parametrave ekonomikë, duke spostuar vëmendjen nga ndjenjat nacionaliste, në dëshirën për të jetuar më mirë. Në libër i lihet një vend i rëndësishëm problemit të diplomacisë publike, propagandës dhe imazhit.

    Nëse i hedhim një vështrim eksperiencës së vendit tonë, vërejmë se duke qenë një vend i vogël, Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur të luajë ndonjë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Sipas konjukturave të kohës, udhëheqja e vendit është vënë në shërbim të asaj fuqie të madhe që ka pasur më shumë ndikim në Shqipëri, ndikim që e krijonte udhëheqja, sipas interesave të saja. Kështu ndodhi gjatë ndikimit jugosllav, po ashtu gjatë marrëdhënieve me kampin sovjetik, gjë që vazhdoi me lidhjet dhe praninë e ndikimeve kineze. E ndërgjegjshme për veprimet e saja, udhëheqja politike ka shfrytëzuar konjukturat për ruajtjen e pushtetit, me propagandën brenda vendit se kishte mbështetje ndërkombëtare, duke siguruar kështu ndihma jetike për financat dhe ekonominë e vendit, si dhe mbështetje ndërkombëtare nga aleancat konjukturale të kohës.

    Pavarësisht shkaqeve ideologjike që propagandoheshin për opinion publik, shkaqet e vërteta të prishjes së PPSH-së si me Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe me Kinën, kishin në bazën e tyre kundërshtitë në lidhje me kushtëzimin e ndihmave për vendin me kërkesat për qëndrime më liberale, por edhe sugjerimet konkrete preferenciale për ndryshime në lidershipin e vendit, si dhe për ndryshime të qëndrimeve tona në marrëdhëniet me Jugosllavinë.

    Marrëveshjet tregtare, ekonomike dhe investimet e drejtpërdrejta, janë një ndër tri shtyllat e diplomacisë ekonomike në termat e sigurisë shtetërore. “Diplomacia e shkopit të madh”, “Diplomacia e dollarit” dhe “Diplomacia morale”, në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen si praktika të shteteve të fuqishme, që përdoren në kuadër të diplomacisë ekonomike shtrënguese ndaj shteteve, citojnë autorët me të drejtë, kur trajtojnë një nga aspektet më të rëndësishme të diplomacisë ekonomike.

    Me sloganin “Ne qeverisim dhe Bota na ndihmon”, është ushqyer ndër vite mendësia e gabuar se Perëndimi dhe Amerika kanë nevojë për ne, prandaj e kanë për detyrë të na ndihmojnë, se ne kemi në dorë stabilitetin e Rajonit e të tjera si këto. Por më e keqja është se kjo gjë ka kultivuar një farë dembelizmi dhe pritshmërie për çdo gjë nga jashtë, duke institucionalizuar ndihmat e huaja në të njëjtin nivel me atë që ne vetë duhet të bëjmë në fushën e ekonomisë apo të reformave sociale e politike brenda vendit. Në dekada, kjo ka sjellë deformime në opinionin e vendit, duke krijuar përshtypjen e gabuar për të matur punën e qeverisë së radhës jo nga reformat apo investimet serioze që ajo realizon, por nga aftësia për të mbledhur e siguruar ndihma nga jashtë.

    Ndryshe nga ky mentalitet i dëmshëm, autorët e këtij libri, me shumë pasion, kanë marrë përsipër që me informacion analitik dhe statistikor, të evidentojnë mundësitë dhe kontributin që diplomacia mund të japë në fushën ekonomike, duke nxjerrë edhe disa konkluzione për drejtimet kryesore për të ardhmen e ekonomisë sonë.

    Këtu mund të vëmë në dukje që si pjesë integrale e Evropës Juglindore, ne jemi anëtarë në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore dhe Qendrore, 6 gjithsej, të iniciuara dhe të mbështetura nga fuqi të ndryshme me peshë e me interesa për këtë rajon. Me shumë të drejtë, autorët veçojnë rëndësinë e CEFTA-s. Kur 15 vjet më parë, në prill 2006, në Bukuresht u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis vendeve të Europës Juglindore (CEFTA), nëpërmjet saj u krijua një kornizë e bashkëpunimit tregtar rajonal, drejt krijimit të një zone të tregtisë së lirë midis vendeve në tranzicion, kryesisht pjesë e BP. Si një marrëveshje që mbështetet në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Evropian, bashkëpunimi ekonomik rajonal nëpërmjet CEFTA-s u pa si mënyra më e mirë për të mobilizuar mjetet ekonomike dhe stabilizimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Serbi.

    Ndër të tjera, thuhet se interesat strategjike të vendit mbeten të njëjta në themelet e politikës së jashtme të çdo vendi; diplomati në shërbim të këtyre interesave mbetet një misionar; si përfaqësuesi i interesave të kombit shqiptar, të trevave dhe popullsisë shqiptare kudo ku ata ndodhen. Ndërkohë që blloqet dhe situatat gjeostrategjike ndryshojnë, interesat kombëtare dhe ato të familjeve tona si diplomatë, mbeten po ato.

    Në këtë kuadër, ajo që më bëri përshtypje në këtë libër si një risi, është analiza dhe vlerësimi me kurajë i njerëzve që kanë dhënë kontribut në shërbimin e jashtëm shqiptar. Ndryshe nga shume libra të tjerë ku citohen vetëm figura të ndryshme të diplomacisë botërore, në këtë libër përmenden diplomatë, analistë, ministra të jashtëm e kryeministra shqiptare, duke renditur punën dhe kontributin e tyre apo duke cituar vlerësimet e tyre në çështjet e diplomacisë dhe marrëdhënieve me jashtë të shtetit shqiptar.

    Karakteristike për diplomacinë tradicionale ka qenë konfidencialiteti, thuhet ndër të tjera diku në libër. Në të kundërtën, diplomacia digjitale ka çuar në rritje të transparencës. Rrjetet sociale janë bota e madhe virtuale ku njerëzit njihen e komunikojnë në distancë, që shprehin hapur qëndrimet e tyre për këdo e për gjithçka, për politikat e brendshme dhe të jashtme të qeverive.

    Dikur ambasadori ishte emblema e shtetit të vet, ishte me të vërtetë ashtu siç shkruhet në dekretin e Presidentit: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Sot, ky rol ka pësuar ndryshime të mëdha. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, është risi për të gjitha vendet në botë. Arsyet dihen: globalizmi, hapja e kufijve, gjithëpërfshirja, integrimi etj.. Dhe është shumë mirë. “Dikur, në objektivat tona, kjo gjë ishte një nga synimet kryesore: hapja, shtimi i kontakteve, komunikimi i drejtpërdrejtë. Kjo nuk e ul aspak rolin dhe rëndësinë e ambasadorit, përkundrazi, i jep më shumë rëndësi dhe e bën në të njëjtën kohë edhe më të vështirë punën e tij, kërkon më shumë pasion, përkushtim, cilësi dhe vizion, sepse dinamikat kanë shpejtësi marramendëse, gara është bërë më e fortë, pasi tani të gjithë merren me politikën e jashtme, si gjysma e popullsisë që ndodhet jashtë, ashtu edhe ajo që ka mbetur brenda vendit.

    Në kuadër të diplomacisë kulturore, që autorët e trajtojnë me profesionalizëm, gjithnjë e më shumë, po promovohen ambasadorët e nderit, ku përfshihen personalitete të fushës së letrave, të artit apo të sportit, konsujt e nderit apo ndonjë personalitet i diasporës. Por asnjë prej këtyre funksioneve, që në fakt janë pjesë e punës sonë nuk e zëvendëson rëndësinë dhe plotfuqishmërinë e ambasadorit të shtetit. Njohjet dhe kontaktet e politikanëve dhe qeveritarëve tanë me homologët e tyre në botë, bëjnë që ndonjëherë të neglizhohet apo të anashkalohet roli i ambasadorit në agjendën e autoriteteve tona, por kjo nuk e zbeh dhe nuk mund të zgjasë shumë, pasi axhenda dhe kujtesa e ambasadës është e vetmja që ka plotfuqishmëri dhe jetëgjatësi.

    Së fundmi, po citoj një paragraf nga libri: Të jesh diplomat nuk është zanat, por është një mënyrë jetese në kushtet e një shërbimi diplomatik, ku diplomati shqiptar duhet të përballet me sfida pa pasur mbështetje. Dhe unë do të shtoja: ajo që e bën edhe më të bukur dhe më të fisshme punën në shërbimin e jashtëm, është se në sistemin e administratës civile, ku diplomatët bëjnë pjesë, janë më pak të prekshmit nga korrupsioni, megjithëse janë më pak të paguarit. Dhe meqenëse këtë realitet nuk mund ta ndryshojmë, për arsye objektive dhe subjektive, që lidhen me gjendjen ekonomike-financiare dhe mendësinë që ende mbizotëron, mund të bëjmë një gjë për veten tonë, duke ngritur vlerat e diplomatit në shërbim të vendit, nëpërmjet stimujve moralë, që kanë munguar këto 25 vjet dhe krijimit të kastës elitare të diplomatëve, që është e vetmja, që i mungon këtij vendi ashtu siç janë akademikët, profesorët, doktorët, apo ushtarakët. /Panorama/

    *Ambasador

    Lajmi Paraprak

    Helmimi nga ushqimi – Tre rregullat kryesore të shërimit

    Lajmi i rradhës

    NATO e shqetësuar për retorikën secesioniste në Bosnje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë