Halime Rustemi Mehmedaliu
Psikologe
Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin nuk duhet të kujtohet vetëm një ditë, por aktivitetet, informimi, edukimi i komunitetit dhe ngritja e vetëdijes rreth autizmit duhet të jetë në vazhdimësi dhe me laramani programesh inovative, vetëdijësuese dhe mbështetëse.
Çrregullimi i spektrit të autizmit është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me të tjerët, se si komunikojnë, si mësojnë dhe si sillen. Edhe pse autizmi mund të diagnostifikohet në çdo moshë, simptomat shfaqen përgjithësisht në dy vitet e para të jetës.
Unë kam patur rastin të punoj me shumë fëmijë me autizëm dhe të njihem nga afër me vështirësitë apo sfidat me të cilat ballafaqohen prindërit dhe familjarët e tyre. Vërtet rritja e një fëmije me autizëm mund të jetë rraskapitëse si fizikisht edhe emocionalisht jo vetëm për prindërit por edhe për anëtarët tjerë të familjes. Megjithëse kanë vështirësi dhe sfida, prindërit duhet të jenë Zëri i fëmijës dhe Avokat i tyre. Bashkë me profesionistët dhe institucionet kompetente ata mund të krijojnë mundësi më të mira që fëmijët me autizëm të kyçen në shoqëri, të pranohen, të kuptohen e të mbështeten pa u paragjykuar.
Përderisa ka prindër që shumë herët kanë një sens se diçka thjesht nuk është në rregull me fëmijën e tyre që si foshnje, ndodh që shqetësimet e tyre të mos merren parasysh nga ana e disa familjarëve dhe profesionistëve dhe kjo i shpërqëndron prindërit, me çka dhe mund të vonojë implementimi i trajtimit të fëmijës dhe progresi i tij.
Nga ana tjetër, ka prindër që nuk kanë njohuri për ndjekjen e stadeve të zhvillimit tipik të fëmijës me çrast më lehtë detektohet nëse diçka nuk shkon si duhet. Për shembull nëse një fëmijë i moshës 18 muaj ka kontakt të shkurtër me sy; nuk e shijon bashkëveprimin; nuk përdor asnjë fjalë të vetme; nuk i përgjigjet emrit; nuk ndjek udhëzimet e thejshta si ulu, ha, merre, më sill…,; nuk ecë; nuk i bën gjërat që më parë mundeshte ti bëjë-ka regres; shfaq sjellje kur i prishen rutinat; nuk tregon me gisht ndaj objekteve – pointing; nuk ka lojë imagjinative etj. këto janë disa nga shenjat shqetësuese që tregojnë se duhet të kërkohet ndihmë profesionale sa më parë.
Edhe pse akoma nuk njihet një fajtor kryesor i cili e shkakton autizmin apo diçka që e “shëron” atë, shkencëtarët mendojnë që janë disa faktorë të kombinuar që rrisin mundësitë e paraqitjes së autizmit. Faktorët gjenetikë mbeten kyç, pa u nënvlerësuar dhe ata mjedisor si ajri i ndotur, pesticidet, mosha e avancuar e prindërve, kequshqyerja, komplikimet gjatë shtatzanisë, ekspozimi ndaj valëve magnetike, etj.
Secili fëmijë me autizëm është unik dhe nuk mund t’i gjeni dy raste të njëjta, andaj autizmi njihet si një spektër i gjërë.
Informimi, pranimi dhe edukimi rreth diagnozës së fëmijës, rreth aktiviteteve stimuluese që mund të aplikohen në kushte shtëpie, trajtimi cilësor me terapinë e duhur, mos dorëzimi dhe organizimi i jetës duke kaluar kohë cilësore, janë mjaft të rëndësishëm për mirëqenien dhe shëndetin psikoemocional të prindërve edhe familjarëve tjerë.
Po e përmbyll me një thënie “Qëllimi i jetës nuk është që të presim stuhia të kalojë, por është që të mësohemi të vallëzojmë në shi” Vivian Greene.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.