GIJOTINA RREGULLATORE SUKSESE DHE DËME! Pasojat e padëshiruara të një liberalizimi

    E nisur në vitin 2006, projekti i gijotinës rregullatore, i cili parashikonte thjeshtimin e procedurave burokratike, 17 vite më vonë përskaj rezultateve të mira ka sjellë edhe dëme. Fillimisht u miratua një paketë prej rreth 50 masash që parashihnin lehtësimin e jetës së qytetarëve, punën e biznesmenëve dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Gjithashtu, ajo ishte pjesë e masave të marra nga qeveria në përpjekjet e saj për të tërhequr investitorë të huaj. Përveç procedurave të komplikuara burokratike në botën e biznesit, Maqedonia 17 vite më parë ishte e njohur edhe për administratë të madhe dhe joefikase. Kjo konsiderohej arsyeja e volumit të ulët të investimeve të huaja direkte, dhe me kalimin e kohës – lëvizi punët në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja së bashku me volitshmëri të tjera. Mirëpo, paketa e masave që uli procedurat burokratike, tarifat dhe afateve, si dhe dokumentacionin dhe rregulloren – solli ndryshime jo vetëm pozitive.

    Disa nga masat e gijotinës rregullatore gati 20 vite më parë, si duket ka qenë të gabuara, andaj po përgatiten ndër të tjerash edhe ndryshimet në Ligjin për hoteleri.

    “Gijotina rregullatore e para 17 vjetëve kur u ndryshua Ligji për veprimtari hotelierike shkaktoi kaos gjatë dhënies së licencave dhe kontrolleve të kushteve minimale teknike për punën e klubeve të natës, diskotekave dhe kabareve”, thotë ministri për transport, Aleksandar Nikollovski. Sipas tij, dëshira për thjeshtësimin e procedurës për udhëheqjen e biznesit është keqpërdorur në mënyrë maksimale dhe kjo rezultoi me tragjedinë në Koçan.

    “Ndoshta një angazhim i mirë nga vitit 2008, atëherë kur isha deputet, që të ulet numri i procedurave, tani është, siç e shohim, keqpërdorim total, për shkak se edhe rruga deri në ferr, për fat të keq, është e shtruar me qëllime të mira dhe dukshëm ai sistem nuk funksionon dhe patjetër të ndryshohet”, tha Nikollovski, ministër për Transport dhe Lidhje.

    Ai paralajmëroi se tashmë po punohet në ndryshimin e ligjeve me të cilat duhet të kthehet kontrolli ndaj dhënies së licencave, por edhe nëse dikush me të vërtetë i plotëson kushtet minimale teknike. Nikollovski shpjegoi se problemi më i madh është neni 21 i Ligjit për hotelieri, me të cilin rregullohet procedura e dhënies së licencës për kabare, klub nate dhe diskotekë. Sipas tij, kërkuesi i licencës e parashtron kërkesën dhe garanton se është e vërtetë, por në të ka shumë paqartësi se si duhet të kontrollojë personi zyrtarë.

    Tani në vend se vetëm me një fjalë goje nga pronarët e objekteve hotelierike, Ministria e Ekonomisë po përgatit ndryshime ligjore që parashikojnë një Komision të përbërë nga inspektoratet, Ministria e Punëve të Brendshme, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme dhe Drejtoria për Shpëtim, i cili do të kontrollojë dokumentacionin përpara dhënies së lejes apo licencës së ndërtimit. Qeveria nuk ka informacione se sa do të zgjasë moratoriumi, as se cilat objekte dhe objekte publike dhe private janë vërejtur për parregullsi, pasi kontrollet po vazhdojnë. Me fjalë tjera – në aspektin e punës së një pjesë të lokaleve hotelerike, Gijotina rregullatore rezultoi e gabuar, ndaj po përgatiten ndryshime në Ligjin për hoteleri , me të cilat institucionet dhe inspektoriatet shtetërore do të kontrollojnë nëse janë plotësuar të gjitha kushtet për dhënien e licencave, vendosen gjoba më të larta si dhe mundësia e mbylljes me vulë .

    Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, bëri të ditur se me gijotinë rregullatore janë bërë ndryshimet ligjore, të cilat përfshijnë licencat e objekteve hotelierike dhe që janë lënë në ndërgjegjen dhe ndërgjegjësimin e pronarëve. Kjo është arsyeja pse ministria është e mendimit që të krijohet një komision i përbërë nga profesionistë të dikasterit të tatimorëve , Drejtorisë së Shpëtimit , MPB dhe inspektorati i tregut dhe i punës.

    Për momentin, shërbimet e inspektimit kryejnë inspektime në restorantet e mëdha ku mbahen festa dhe dasma, por nuk dihet nëse moratoriumi do të zbatohet për ato që konstatohen parregullsi apo do t’u hiqet menjëherë licenca.

    Ish ministri i Financave në atë kohë, Trajko Sllavevski, thotë përskaj rezultateve pozitive në heqjen e disa rregulloreve, ende të pranishme nga sistemi i mëparshëm, kjo shkoi në një ekstrem tjetër të liberalizimit të tepërt i “hyrjes” (lehtësia e themelimit të një kompanie) në disa aktivitete. Për një kohë të gjatë, të ashtuquajturat “pasojat e padëshiruara” të një liberalizimi të tillë në disa sektorë, nga të cilët do të veçoja hotelierinë dhe ndërtimtarinë aktuale, e së fundmi edhe organizimin e lojërave të fatit. Në fushën e hotelerisë duket se më problematike janë dispozitat për marrjen e licencave për lokalet e natës, kabaretë dhe diskotekat. Me paraqitjen e rregullores, interpretimin e saj dhe faktet që na u prezantuan këto ditë nga autoritetet, opinioni me të drejtë habitet. Mësojmë fakte befasuese se disa objekte funksionojnë me licenca, por pa plotësuar kushtet minimale teknike; disa kanë licenca të falsifikuara dhe të skaduara; ka nga ata që operojnë “në egër”, pa asnjë leje pune; dhe problem i veçantë është se shumë subjekte, përfshirë edhe “shtallën” në Koçan, prej shumë vitesh punojnë në objekte që nuk i përgjigjen qëllimit të përcaktuar në Planin detaj urban.

    “Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve mësojmë se në një vend me rreth 1.8 milionë banorë, me leje pune janë 3-4 mijë subjekte në fushën e ndërtimit (shoqëri ndërtimi dhe njerëz-firma, byro projektimi etj.) Kjo është një nga pasojat tragjike të gijotinës rregullatore! Në vend që të kemi kompani të shëndetshme me disa qindra apo mijëra punonjës që ofrojnë shërbime të integruara si rezultat i sinergjisë së të pasurit nën një çati ekipe projektuesish të aftë, inxhinierë civilë dhe kontraktorë ndërtimi, me të gjitha pajisjet dhe mekanizimin e nevojshëm, mbikëqyrjen dhe gjithçka që nevojitet për një ndërtim me çelës në dorë për investitorët e interesuar, legjislacioni i lirë me vrima si djathi zviceran ka kontribuar në një sektor të fragmentuar ku më shumë se qindra nëse jo edhe mijëra biznese kanë mbijetuar vetëm në kurriz të shkeljes së rregullave ligjore. Këtë e ka treguar edhe kontrolli, i cili është ende në vazhdim, në Ministrinë e Transportit dhe konfiskimi i afro 500 licencave deri më tani”,thekson Sllaveski.

    Ai bën thirrje për një hap prapa me derregullimin në sektorët ku pasojat negative për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë janë më të dukshme. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Veprimet e përditshme që mund të nxisin ndjesinë e ankthit

    Lajmi i rradhës

    INDEKS ELEKTRONIK PËR STUDENTËT! / Më në fund nis realizimi i kërkesës së kamotshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë