“Nëse Taravari vendos të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë qeveria do i bën favore BDI- së për të liruar të akuzuar për korrupsion”. Kjo deklaratë e zv/kryeministrit Izet Mexhiti dhënë në një medium privat ka ngjallur reagime te BDI. Sipas integristëve, deklarata e tillë është tronditëse dhe skandaloze për shkak se me këtë Mexhiti ka pranuar se partnerët e qeverisë e kanë kapur drejtësinë.
“Kjo nuk është një lapsus. Kjo është një pranim publik se drejtësia në këtë vend është e kapur, dhe se qeveria mund të ndërhyjë në vendimet e prokurorisë dhe gjyqësorit. Me fjalët e veta, ai konfirmoi se drejtësia nuk funksionon në mënyrë të pavarur, por udhëhiqet nga urdhrat dhe interesat e shefit të tij politik, Hristijan Mickoski”, theksojnë nga BDI. Nga partia e Ali Ahmetit më tej vlerësojnë se nëse kjo deklaratë do të thuhej në një shtet normal, do të shkaktonte hetim urgjent institucional dhe reagim të menjëhershëm nga partnerët ndërkombëtarë.
“Pikërisht për këtë arsye, ndoshta, dosja më e madhe e korrupsionit urban në Çair, e dokumentuar dhe e denoncuar publikisht, vazhdon të mbetet e mbyllur në sirtarët e Prokurorisë. Sepse qeveria bën favore, mbron të përzgjedhurit dhe mban të bllokuar drejtësinë. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është komprometim i drejtësisë. Kjo nuk është qeverisje. Kjo është manipulim institucional. Kjo nuk është rrugë drejt Evropës. Kjo është devijim i rrezikshëm nga standardet evropiane”, theksojnë nga BDi, nga ku edhe i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian, SHBA dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të mos mjaftohen me deklarata të përgjithshme, por të reagojnë konkretisht ndaj këtyre siç thonë nga BDI pohimeve publike.
VLEN: DEKLARATAT E BDI-SË JANË HIPOKRITE
Këto pretendime të BDI-së kanë nxitur reagimin e VLEN-it. Nga koalicioni i partive shqiptare në pushtet theksojnë se deklarimet dhe qëndrimet e BDI-së nuk janë asgjë tjetër pos një hipokrizi e madhe. Sipas VLEN-it, BDI nuk ka lkredibilitet për të akuzuar dikë për kapje të gjyqësorit për shkak se me vite të tëra ka vepruar si e tillë.
“Nuk ka hipokrizi më të madhe se kur BDI qan për drejtësi. Mjaftojnë vetëm tri pyetje të shpejta: Kush e nisi fushatën mediatike kundër Kryetares së Gjykatës Supreme? A ishte kjo fushatë për të siguruar që faljet e Gjorgje Ivanovit të vlejnë edhe për Nikolla Gruevskin? Kush i solli ndryshimet e turpshme në Kodin Penal? Përgjigjja është e njëjtë për të gjitha: BDI është emëruesi i përbashkët i çdo vendimi të porositur në drejtësi!”, theksojnë nga VLEN. Më tej nga koalicioni VLEN kanë vazhduar me akuza në drejtim të BDi-së duke thënë se kjo parti po vazhdon të mbajë njerëz që janë të akuzuar për krime.
“Kjo është partia e Artan Grubit, i shpallur non grata nga aleatët ndërkombëtarë për ndërhyrjet brutale në drejtësi, me qëllim lirimin nga burgu të Sasho Mijallkovit – simbol i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është partia ku kuadri i tyre, Ixhet Mehmeti, pranoi publikisht se për 10 mijë euro kishte ndërhyrë për uljen e një dënimi penal. Po kjo është BDI-ja që deshi t’ia shtronte qilimin e kuq rikthimit të një non grata tjetër – Nikolla Gruevskit – në Shkup”, theksojnë nga VLEN. “Sot, këta të njëjtit individë që Izet Mexhiti dhe populli i dëboi me votë nga Zona Zgjedhore Nr. 1, kanë fytyrën të flasin për ndershmëri dhe standarde evropiane? Shqiptarët e kanë dhënë verdiktin: Nuk ka më vend për Grubin, Osmanin, dhe strukturat e vjetra që shkatërruan politikisht shqiptarët. Koha e tyre ka mbaruar”, thuhet më tej në reagimin e koalicionit VLEN.
LSDM: NUK KA PËRGJIGJE SE KUSH ËSHTË FAJTOR PËR ZJARRIN NË KOÇAN
Edhe pse kanë kaluar pothuajse katër javë nga tragjedia në Koçan, opinioni publik ende nuk ka marrë përgjigje për pyetjet kyçe: kush është përgjegjës për zjarrin që ndodhi në “Pulse” dhe kush është përgjegjës për serinë e lëshimeve në siguri, reaguan sot nga opozitarja LSDM. Ata theksojnë se ende nuk është zgjeruar hetimi për rastin, nuk është thirrur asnjë funksionar aktual për intervistim dhe nuk është hapur procedurë ndaj askujt nga MPB-ja, SPB Koçan, SPB Shtip apo Drejtoria për Siguri Publike, të cilët në ditën e tragjedisë kanë qenë në pozita përgjegjëse.
“Pse nuk thirren ata që kanë qenë në pozita atë natë fatale? Pse nuk është zgjeruar hetimi për Koçanin edhe pse u paralajmërua publikisht se do të ndodhë? Nuk guxon të ketë të mbrojtur. Duhet të ketë përgjegjësi – nga nivelet më të larta deri te ato më të ulëta. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është çështje drejtësie, besimi dhe dinjiteti. Qytetarët, familjet e viktimave, të gjithë kanë të drejtë ta dinë të vërtetën. Kanë të drejtë të dinë çfarë ndodhi saktësisht dhe kush do të mbajë përgjegjësi. Duhet të ketë përgjegjësi, dhe ajo duhet të jetë në të gjitha nivelet”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Partia është e vendosur se do të vazhdojë të këmbëngulë në një hetim të plotë, transparent dhe pa përzgjedhje. “Drejtësi për Koçanin duhet të ketë. Dhe ajo drejtësi duhet të vijë – të jetë e qartë, e dukshme dhe e pashmangshme”, përfundon reagimi i partisë më të madhe opozitare. /Koha/