Belkis Latifi
Dëshira për pushtet është një dëshirë e kahmotshme e njeriut. Ndoshta kjo buron dhe nga ndjenja e superioritetin që individi e ka të instaluar brenda vetes (e që është në konflikt të vazhdueshëm me të poaq sa frymon), që nga zanafilla e njerëzimit.
Siç e kemi të njohur, qysh në fillet e para, ishte tendenca dhe prirja që njëri të insistojë në superioritet kundrejt tjetrit. Unë jam më i mirë se tjetri. Unë jam më meritori. Unë posedoj këta resurse, kurse ju jeni më poshtë!
Po që se i futemi më thellë këtij fenomeni do të konkludojmë se ndoshta, kjo buron nga dëshira për pushtet. Unë, unë, unë – në vetvete ngërthen dëshirën për pushtet, dëshirën për të udhëhequr.
E keni parë, në mos më shumë, njerëzit edhe në tavolinë teksa bisedojnë, ndoshta në një rreth të ngushtë me miq, shfaqin prirjen e tyre për të sunduar mbi tjetrin. Shfaqin tendencë pushtetari – duan të dominojnë në bisedë!!!
Ndoshta njerëzit këtë lloj dëshire e kanë të mishëruar brenda vetvetes së tyre? Ndoshta është e natyrshme? Ndoshta, arsyetohen për këtë lloj tendence?
Pavarësisht…
Edhe unë mendoj se të gjithë njerëzit, pa përjashtim duhet ta dashurojnë pushtetin. Duhet të shfaqin prirje për të udhëhequr. Duhet të tregojnë gatishmëri për të sunduar, por… sundimi, udhëheqja, pushteti më i mirë, më i dashur, më i kërkuar, ai për të cilin duhet të luftojnë të gjithë njerëzit anekënd botës, është ai mbi vetveten.
Mark Aureli thotë: “Pushteti mbi veten është më i rëndësishëm se pushteti mbi të tjerët!”
Pushteti mbi veten nënkupton, shkrirjen e egos përbrenda nesh. Kur uni-n, do ta centralizojmë. Kur mendjemadhësisë, s’do ti japim hapësirë fare. Kur xhelozinë, ta kemi tretur thellë në errësirë që fare të mos mund të gjejë rrugën për tu shfaqur, e kur dashurinë do ta bëjmë municionin e vetëm me të cilin nisemi në luftë!
Pra, kur këtë dëshirë (për pushtet) që zanafillën e ka nga nisja e njerëzimit, ta kanalizojmë në luftë për të krijuar pushtet mbi vetveten, atëherë do të jemi fitimtarë.
Kjo betejë, nuk është lehtë e arritshme, por, të mos harrojmë, në qoftë se e fitojmë, nuk është me mandat 4-vjeçarë, por pushtet absolut me mandat të pakufizueshëm, pra, pa frikë nga humbja e saj nëpërmjet zgjedhjeve!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.