Për vlerësime më mirë do ua lëmë qytetarëve”, kështu u shpreh zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Click Plus në TV21 sa i përket qeverisjes së koalicionit VLEN. Mexhiti ndër të tjera tha se zgjedhjet lokale janë afër dhe se fjalën kryesore e ka votuesi.
“Për vlerësimet më mirë do ua lëmë qytetarëve. Afër i kemi edhe zgjedhjet lokale, fjalën kryesore e kanë votuesit. Ajo që është me rëndësi, tani shqiptarët kanë dy taborre, kanë konkurencë, mund të krahasojnë, mund të vlerësojnë, mund të dënojnë. Mendoj që 8 muaj nuk janë mjaftueshëm për të realizuar programe, për të realizuar ndryshimin”, tha zëvendëskryeminsitri i parë Izet Mexhiti.
Mexhiti për kritikat e opozitës thotë se janë përpjekje për shtrembërim të realitetit. Mes tjerash, Mexhiti foli edhe për ligjin për gjuhën shqipe. Tha se statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë është nënçmues për shqiptarët, por shtoi se luftojnë për ta përmirësuar këtë, por duke e ruajtur ligjin ekzistues që siç thotë është avancim i gjuhës shqipe.
“Qeveria është dinamike, është qeveri e ndryshimit. Nuk them që është situatë e përkryer. Rastësishtë apo jo, në Gjykatën Kushtetuese përnjëherë u hapën shumë çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët. Një Gjykatë e heshtur, e fjetur me dekada, me ardhjen e VLEN-it, me ardhjen e ndryshimit dolën nga sirtarët, shkoj gjuha shqipe, u degradua gjuha shqipe, 8 muaj nuk u prek gjuha shqipe. Ne sot e themi, ky status i gjuhës shqipe në Kushtetutë është nënçmues për shqiptarët dhe ne pretendojmë dhe luftojmë ta përmirësojmë këtë status. Por përderisa e bëjmë këtë do ta ruajmë edhe këtë ligj që ka qenë një lloj acancimi i gjuhës shqipe”, deklaroi Mexhiti.
Izet Mexhiti tregon ofertën e fundit për Arben Taravarin
I pyetur se cila do të jetë oferta e fundit për Taravarin, Mexhiti tha se ata janë që VLEN të qëndrojë si unitet, ndërkaq shtoi se nëse ASh del nga VLEN, ose duhet të shkojë vetë në zgjedhje ose të përfundojë në “kthetrat e BDI-së”.
“Për hir të unitetit, për hir të bashkimit, sepse ne jemi të fokusuar te fitorja e radhës. Do të thotë se pjesa e lojës e para ne e kemi fituar, tash është pjesa e dytë e lojës nëse e marrim si futboll dhe e cila nuk ka reprizë. Tash është se kur do t’i fitojë komunat për të dëshmuar legjitimitetin si VLEN dhe mendoj se nuk i kemi komoditetin për t’u matur në mes vete, për të garuar me njëri – tjetrin.
Çfarë thotë oferta?
Mendoj se kemi vlerë, si pjesë e VLEN-it. Në momentin që dalim nga VLEN-i, ne jemi në shërbim të tjetër kujt. O duhet të del vetë Taravari dhe të bëhet faktori i tretë, që është e dëmshme për defaktorizim të votës shqiptare, që nuk besoj se do të jetë vetë, sepse është hapi i parë për ta mjegulluar anëtarësinë e vet sepse fundi do të jetë te kthetrat e Bashkimit Demokratik për Integrim”, shtoi Mexhiti.
Mexhiti:jam i bindur që në rastin “Alfa” ka shkelje ligjore
Mexhiti në Click Plus është pyetur për rastin gjyqësor Alfa, ku për 16 vjet Agim Islami po vuan dënim me burg.
Mexhiti tha se është i bindur se në këtë rast ka shkelje ligjore dhe se po bëhen përpjekje që drejtësia të del në pah.
“Nuk duam si të tjerët ta keqpërdorim – kjo e para. E dyta, pra në parim si VLEN e kemi vlerësuar se është një rast ku ka shkelje ligjore, ku një njeri qëndron pa faj aty (në burg) dhe po bëjmë përpjekje për të dalë drejtësia në pah.
G: Çka i bjen kjo? Edhe sa duhet ne? Janë shumë vite për një njeri në burg që të qëndrojë aty pa faj dhe ne themi edhe sa? Çfarë duhet të presim? Të ketë marrëveshje politike që të lirohen populli i pafajshëm?
Po punojmë. Aty ku konstatohet se ka pasur shkelje të drejtësisë, dhe në këtë rast jam edhe unë i bindur që ka shkelje, që drejtësia të del në pah.
G: A ka të burgosur politik në Maqedoni?
Jo…!”, tha Mexhiti.
Lidhur me zgjerimin e hetimit për tragjedinë në Koçan, konkretisht për arretimin e ish ministrave të Ekonomisë dhe për ish drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Mexhiti tha se jo të gjithë janë nga BDI dhe se ka edhe nga VLEN.
Ai tha se 4 prej tyre i njeh personalisht dhe se është i bindur se janë të pastër dhe se do të dëshmohet pafajësia e tyre.
“Nuk janë të gjithë të BDI-së, janë edhe të VLEN-it. Ka drejtor të VLEN-it. Dua ta respektoj prezumimin e pafajësisë. Katër prej tyre i njoh, i kam propozuar duke i njohur, jam tejet i bindur se janë të pastër në këtë drejtim, por fjalën e fundit ia lemë drejtësisë, gjyqësisë. Duke i njohur, pra në fund besoj se do të dëshmohet pafajësia e tyre”, tha Mexhiti. /Nistori/