Gjykata Themelore në Koçan i ka pranuar masat e propozuara për të dyshuarit e rinj në hetimin e zgjeruar që i kërkoi Prokuroria.
“Janë pranuar 18 kërkesa, për katër persona është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për gjashtë persona arrest shtëpiak në përputhje me nenin 163 dhe masa të kujdesit sipas nenit 146 të Kodit Penal, ndërsa për tetë persona është caktuar masë kujdesi në përputhje me nenin 146. Të gjithë kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, në varësi të masës së caktuar, nga 24 deri në 72 orë”, njoftuan nga Gjykata Themelore në Koçan.
Fakti se për këtë tragjedi cak i hetimeve janë vetëm ish-funksionarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë alarmuar partitë politike opozitare, të cilët ngritin zërin se ky hetim është selektiv dhe jo në funksion të vendosjes së përgjegjësisë për fajtorët e vërtetë të ngjarjes.
BDI: PO GODITEN SHQIPTARËT, JO PËRGJEGJËSIT
Kjo që po na shfaqet nuk është drejtësi por një agresion institucional i njëanshëm ndaj popullit shqiptar në këtë vend. Kështu e ka vlerësuar BDI situatën me zgjerimin e hetimit të tragjedisë në Koçan. Nga kjo parti theksojnë se kryeprokurori Lupço Kocevski dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, duke u munduar të shpëtojnë “kokat” e tyre, po bashkëpunojnë dhe hetimin e tragjedisë po e bëjnë në kurriz të shqiptarëve. Ndaj edhe konferencën e përbashkët për shtyp të Toshkovskit dhe Kocevskit e vlerësojnë si karikaturën më të madhe të shtetit të kapur.
“Në vend që të ofrojnë drejtësi të vërtetë për tragjedinë në Koçan, para opinionit publik po demonstrohet një tregti me ndikim – një lloj mbrojtjeje transaksionale midis fajtorit kryesor, ministrit Toshkovski dhe një prokurori që ndodhet nën presion politik, me funksionin e tij që varet nga vullneti i Kryeministrit”, theksojnë nga BDI, nga ku u bëjnë thirrje profesionistëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Prokurorinë Publike që të mos lejojnë të bëhen pjesë e kësaj tregtie me ndikim dhe përmes kësaj të mos e legjitimojnë këtë pazar politik.
“Drejtësia e vërtetë nuk guxon të fshihet përmes hetimeve selektive dhe përformancave mediatike. Opinionit publik i takon me të drejtë të kërkojë që përgjegjësia për tragjedinë e tmerrshme në Koçan të caktohet saktë dhe drejtë”, theksojnë nga BDI.
LSDM: TOSHKOVSKI PO I MBRON TË VETËT
Edhe nga LSDM vlerësojnë se hetimi për tragjedinë më të madhe në historinë e Maqedonisë është kthyer në një farsë. Këtë konstatim social-demokratët e japin pasi edhe pas zgjerimit të hetimeve, nuk kërkohet asnjë përgjegjësi nga ata që ishin në detyrë në Ministrinë e Brendshme atë natë fatale, si dhe nga institucionet e tjera që duhej dhe kishin për detyrë të parandalonin ngjarjen.
“Në mbrëmjen e tragjedisë, shefa të detyrës ishin në Repartin e Policisë së Qarkut të Koçanit, në atë të Shtipit dhe në Byronë për Siguri Publike. Ata kishin autoritet të drejtpërdrejtë. Në vendngjarje kanë qenë oficerë policie – kanë parë gjithçka: të mitur, mjete piroteknike, kaos dhe kanë heshtur, nuk kanë bërë asgjë, edhe pse kanë ditur për ngjarjen dhe çfarë po ndodhte atje. Është një tragjedi që sot asnjë prej tyre nuk është as i dyshuar për ngjarjen”, theksojnë nga LSDM. Nga partia opozitare akuzojnë drejtpërdrejtë ministrin e punëve të brendshme Toshkovski se po mbron njerëzit e tij të afërt. Duke pasur parasysh se shkaku i zjarrit kanë qenë mjetet piroteknike, të cilat janë tërësisht nën kompetencë të MPB-së. Nga LSDM theksojnë se edhe dështimet e sistemit dhe masat parandaluese i takojnë tërësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe udhëheqjes aktuale, asnjë prej të cilëve nuk është i dyshuar.
“LSDM pyet me zë të lartë: Pse asnjë nga shefat aktualë të policisë nuk janë nën hetim? Pse po ndiqen penalisht zyrtarët që nuk ishin në krye në atë kohë dhe jo ata që duhej të shpëtonin jetë atë natë? Ky është një rast klasik i mbulimit politik. Toshkovski mbron të vetët. Dhe publiku shikon sesi tragjedia kthehet në një padrejtësi edhe më të madhe”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Nga kjo parti theksojnë se do të luftojnë për përgjegjësi të plotë dhe pa dallim të pozitës apo përkatësisë partiake.
VLEN: BDI PO PËRDOR TRAGJEDINË PËR KRIZË POLITIKE
Pas qëndrimeve të BDI-së kanë reaguar nga koalicioni VLEN. Ata theksojnë se nuk dëshirojnë që asnjë shqiptar të jetë fajtor për tragjedinë në Koçan, por që drejtësia të vlejë për të gjithë. “Sa i përket përpjekjeve të Ali Ahmetit dhe Zijadin Selës për të krijuar një përshtypje se shqiptarët janë viktimë e Qeverisë, duam t’ju themi qartë: Ju jeni lexuar si një abetare për klasën e parë!”, thekson VLEN në njoftimin e vet.
Më tej, në reagimin e VLEN-it, ndaj komunikatës së BDI-së thuhet: “Ata aspak nuk janë të interesuar për shqetësimet e popullit shqiptar, por vetëm për të shkaktuar krizë politike. BDI e di që do të pësojë katastrofë në zgjedhjet lokale dhe për këtë arsye angazhohet për bojkotimin e tyre. Lotët e tyre të rremë për shqiptarët janë hipokrizia më e madhe politike.
I gjithë sistemi i drejtësisë është i mbushur me njerëz nga koha e tyre. Ja edhe një tjetër dëshmi: Artan Grubi dhe Krenar Loga më 15 janar 2024 propozuan Ljupço Kocevski si prokuror publik”, thuhet më tej në njoftim. Nga koalicioni i partive shqiptare në pushtet, pyesin BDI-në: “A është e mundur që Ljupço Kocevski dhe Islam Abazi, të cilët janë propozimet e tyre, tani të udhëheqin një ‘gjueti shtrigash’, apo me këto pamflete politike që i shpërndajnë, po i shënojnë vetes autogol?”, theksojnë nga VLEN.
TË DYSHUARIT: ISH-MINISTRA, DREJTORË E INSPEKTORË
Përndryshe, ndër të dyshuarit e rinj gjenden tre inspektorë ndërtimorë të autorizuar nga Komuna e Koçanit, tre drejtorë dhe një inspektor i përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, me ç’rast numri i përgjithshëm i drejtorëve të DMSh-së, të përfshirë në procedurë, shkon në katër, tre ish-ministra të Ekonomisë, tre zyrtarë dhe dy sekretarë shtetërorë nga Ministria e Ekonomisë, si dhe katër inspektorë të tregut nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Prokurori i shtetit, Ljupço Kocevski, tha se ministri aktual i Ekonomisë nuk është pjesë e hetimit, pasi nuk ka prova se nga ai është kërkuar vazhdimi i licencës për punë të klubit “Pulse”.
Njëri nga 19 të dyshuarit e rinj, ish-ministri i Ekonomisë dhe ambasador aktual në Norvegji, Driton Kuçi, në momentin e hapjes së hetimeve ka qenë jashtë shtetit. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se, sipas paralajmërimeve të Kuçit, pritet që ai së shpejti të jetë i qasshëm për institucionet e Maqedonisë. Dy ish-ministrave të tjerë, Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, u është caktuar arrest shtëpiak. Ndërsa 30 ditë paraburgim është caktuar për ministrin aktual pa portofol, Shaban Saliu, i cili është arrestuar si ish-drejtor i DMSh-së.
PËR TRAGJEDINË NË KOÇAN JANË MBI 50 TË DYSHUAR, HETIMI ENDE ZGJAT
Për tragjedinë në Koçan për momentin janë mbi 50 të dyshuar. Hetimi nuk ka përfunduar, ende zgjat, ndërsa prokurorët treguan se me të vërtetë në Maqedoni gjërat mund të ishin ndryshe, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Toshkovski është i bindur se ndaj të gjithëve për të cilët ka prova është bërë kallëzim nga MPB-ja dhe se kushdo për të cilin do të konstatohen prova se kanë lidhje shkakore me ngjarjen kriminale në fjalë nga pikëpamja e përmbushjes së elementeve të veprës penale konkrete do të ndiqet penalisht në mënyrë adekuate.
Sipas tij, edhe MPB-ja nuk ës htë kursyer nga hetimi i cili përfshin periudhën nga viti 2012 deri më sot. /Koha/