Xhemazije Rizvani
Publiciste
23 Prilli – Dita Botërore e Librit. Datë e njejtë e shuarjes së dy gjenive Shekspirit dhe Servantesit.
Është një ditë kur fjala e shkruar nuk është thjesht kod semantik, por një përkujtim solemn dhe i gjallë i gjithçkaje që libri na ka dhënë dhe vijon të na japë. Për mua, kjo ditë nuk është vetëm kalendarike; është thellësisht intime. Pasi, pas secilit libër të lexuar kam ndjerë se si kam rilindur. Libri s’është një objekt, as tullë pavarësisht se në librarinë ku punoja shpesh i shisja librat me metër e centimetër, që të shkonin me ngjyrën e perdeve dhe tepihëve.
Ai që punon librashitës është njëfar rojtari varrezash, sidomos në qytete ku pak lexohet.
Për vite me radhë kam mbajtur në duar qindra e mijëra faqe, kam ndier aromën e letrës, kam rregulluar raftet duke shtuar e zbrazur libra, para se t’i mbyllja sytë çdo natë e kujtoja vetëvetiu se cili libër në cilin raft është, çfarë kopertine ka, kë ka majtas – djathas, posht – lart, pra librat mund t’i gjeja me sytë mbyllur dhe kështu pasonte habia e tjerëve: si i gjen kaq kollaj, i ke lexuar të gjithë ?
Kam pasur luksin të kem e para çdo libër që sapo “dilte nga furra” dhe nëse kishte vetëm një ekzemplar kurrë nuk e shisja pa e lexuar, ” jo , ende nuk e kemi, por kalo pas disa ditësh, sigurisht porosinë e kemi bërë” . Nga një librashitëse që lexon rrezikon të blesh libra të dorës së dytë, por gjithnjë do të kesh një përgjigje kur do të pyesësh kurreshtar: “a është i mirë? “
“Edhe libri më i keq ka një të mirë, faqen e fundit “- më paska marrë malli ta jap këtë përgjigje.
Si rroje varrezash që isha kam pasur fatin të “kuvendoj” me autorë që s’rrojnë më por që ishin më të gjallë dhe buçitës se cilido nga ne, të dëgjoj mendimet e tyre, të prek burimin e frymëzimit që fshihej pas fjalëve të tyre. Habia më e madhe gjatë këtyre ” kuvendimeve” ka qenë kur kam kuptuar se Balzaku ka shkruar për të siguruar drutë e dimrit pasi s’ka ditur të bëj tjetër gjë, Dostojevski ka shkruar për të shlyer borxhet e bixhozit, Edgar Allan Poe ka zbuluar veten si shkrimtar rastësisht kur ka aplikuar në një konkurs ku ofrohej para dhe atij i duheshin për bukën e gojës…Rroga e vogël e mjekut Çehovit nuk i dilte për të mbajtur familjen pas falimentimit të babait, por ja, “dashnorja” iu bë grua duke rendur pas parasë që merrte për tregimet humoristike të revistave. Ka qenë gati si e pabesueshme të kuptosh, se gjitnë këta autorë e më shumë kanë shkruar për të shpëtuar veten, për gjëra shumë pragmatike, por po na shpëtojnë neve kur s’na ndih dot asgjë, as paraja. Po, libri ka qenë ai që më ka shpëtuar. Më ka mbajtur gjallë kur gjithçka tjetër më dukej e vdekur. Më ka dhënë përgjigje që askush tjetër s’mi jepte.
Kur vetmia më rëndonte si gur mbi shpirt, libri ishte shoku që s’më linte kurrë. Ai më dëgjonte, më qetësonte, më bënte të qesh e të qaja, më thoshte se dhe dhimbja ime kishte kuptim. Përse të kesh frikë vuajtjen kur e gjithë bota vuan dhe pak gjejnë ngushëllim në këtë copëz jete që mba pafundësish jetë mbërthyer në kopertina librash. Siç thotë Jorge Luis Borges:
“Unë gjithmonë e kam imagjinuar parajsën si një lloj biblioteke.”
Nga dyert e librarisë, kam parë të futen njerëz që donin vetëm “diçka të lehtë për pushime”, por shpesh dilnin dhe vinin sërish me sy vezulluez pasi kishin gjetur kuptimin e jetës ose kishin gjetur burimin nga i cili sa më shumë pinin aq më shumë kishin etje.
Libri nuk është vetëm mjet diturie, por mjet shërimi. Ai mban brenda vetes botë, dashuri, dhimbje, revoltë, përgjigje dhe pyetje. Leximi është mënyra më e ndershme për t’u zhytur në qenien njerëzore pa paragjykim, pa maska. “Leximi është një akt rezistence,” shkruan Elena Ferrante, dhe unë kam lexuar për të mbijetuar.
Sot, në këtë ditë që i kushtohet librit, dua të përulem me mirënjohje para çdo autori që ka vendosur të ndajë shpirtin e vet me botën, para çdo faqeje që më ka mbajtur gjallë dhe para çdo lexuesi që zgjedh të mos jetë vetëm.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.