Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës

    Malajzia ka vendosur t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës për udhëtime të shkurtra, njoftoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten.

    Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Malajzi pa viza për qëndrime jo më të gjata se 30 ditë, theksoi Osmani, duke njoftuar gjithashtu se do ta vizitojë vendin e Azisë juglindore javën e ardhshme.

    Ajo e cilësoi këtë si hap të rëndësishëm dhe zbuloi se Kosova do të hapë Ambasadën e saj në Kuala Lumpur gjatë vizitës së saj.

    “Ky është një tregues i qartë se lidhjet mes dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj institucioneve malajziane për këtë vendim domethënës”, tha ajo në X.

    Malajzia ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës kur Prishtina e shpalli atë në vitin 2008.

    Ndërkohë, ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pak orë më vonë pas njoftimit të Osmanit se vendimi i Malajzisë është “dëshmi konkrete e avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe forcimit të lidhjeve dypalëshe”.

    “Republika e Kosovës mirëpret këtë hap pozitiv dhe shpreh mirënjohjen ndaj institucioneve malajziane për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në shërbim të qytetarëve dhe lidhjeve bilaterale gjithnjë e më të fuqishme në mes të dy vendeve tona”, tha ajo.

    Deri tani, Malajzia ka qenë në mesin e 38 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë pasi të kenë mbërritur në vendin e vizitës.

    Tani, Malajzia bëhet vendi i 53-të ku kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm pa regjim vizash./REL/

    Lajmi Paraprak

    Rritet infertiliteti – droga, alkooli dhe obeziteti, shkaqet kryesore!

    Lajmi i rradhës

    S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e gjashtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë