Jurisprudenca: po propozimit të Shasivarit, jo Venecias dhe barazimit të shqipes me gjuhët e minoriteteve

    Ardit Ramadani

    Në kushtet kur të gjitha proceset gjyqësore zhvillohen në gjuhën maqedonase, propozimi i ministrit Jeton Shasivari është shumë i mirë. Megjithatë, zgjidhja e kësaj çështjeje nuk duhet të konsiderohet punë e kryer. Shteti duhet të punojë paralelisht për zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili i detyron gjykatat në komunat përkatëse të zhvillojnë proceset gjyqësore edhe në gjuhën shqipe.

    Në një shtet normal, kjo çështje do të ishte zgjidhur me një vendim të ministrit, pa pasur nevojë për ndryshime ligjore. I vetëdijshëm për realitetin në të cilin jetojmë, e konsideroj të drejtë vendimin e ministrit për ta përfshirë këtë propozim në ligj. Ligji duhet të respektohet, pavarësisht nëse nesër në krye të ministrisë vjen Filkovi apo Apasievi. Maqedonia e Veriut nuk e ka luksin t’i lërë këto çështje në vullnetin e lirë të politikanëve.

    Dërgimi i këtij propozimi në Komisionin e Venedikut është gabim. Praktika ka treguar se vendi i ka marrë parasysh mendimet e këtij komisioni vetëm kur i kanë leverdisur. Një ndër rastet është ai i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Për rastet e tjera, raportet e Bashkimit Evropian e kanë kritikuar vendin për moszbatimin e rekomandimeve. Prandaj, kjo vetëm sa do ta zvarrisë dhe ndërlikojë procesin. Kur të vijë opinioni i Komisionit, secila palë do ta interpretojë sipas interesave të veta.

    Propozimi nuk duhej të përfshinte mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën angleze dhe turke. Argumenti që po përfshihet edhe në ligj, sipas të cilit provimi i jurisprudencës duhet të mbahet në gjuhën në të cilën studenti i ka kryer studimet, është i gabuar. Provimi i jurisprudencës duhet të mbahet edhe në gjuhën shqipe, sepse shqipja është gjuhë zyrtare në vend. Kaq.

    Studentët shqiptarë duhet patjetër të jenë në gjendje t’u nënshtrohen të dyja provimeve në gjuhën maqedonase, si gjuhë e parë zyrtare e këtij shteti. Paraqitja e studentëve në media si të paaftë për t’iu nënshtruar këtyre provimeve në maqedonisht (Bajram Rexhepi, TV21) është e dëmshme për ta. Provimi i jurisprudencës duhet të mbahet edhe në shqip, sepse gjuha shqipe është zyrtare në këtë shtet, jo sepse kemi studentë të paaftë.

    Sado kundërthënëse të tingëllojë, realiteti është ky: kushdo që synon karrierë si gjyqtar, prokuror apo avokat në Maqedoninë e Veriut, duhet ta njohë gjuhën maqedonase. Megjithatë, mundësinë për t’iu nënshtruar provimit në gjuhën shqipe duhet ta ketë gjithmonë, sepse këtë të drejtë ia garanton ligji. Studentët e arritën këtë përmes protestave dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme.

    Unë i përgëzoj për fitoren e betejës së parë, sepse, siç theksova në paragrafin e parë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Megjithatë, nuk ka dyshim se propozimi i ministrit Shasivari është rezultat i drejtpërdrejtë i këmbënguljes së tyre.

    Lajmi Paraprak

    Drejtësia për fëmijët në RMV | Mbrojtja e fëmijëve me mangësi serioze, komunat neglizhojnë detyrimet ligjore

    Lajme tjera

    Kur shoqëria hesht

    MIMOZA DAJÇI Vrasja e Arlindës në Kosovë nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo nxjerr në pah një…
    Më tepër

    E treta e vërteta

    Demushi Shasha Serbia është në udhëkryq. Një rrugë e çon Serbinë në perëndim, ku Serbia përqafon demokracinë liberale  tregun…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë