Koalicioni VLEN ka pranuar sfidën e opozitës shqiptare – Bashkimit Demokratik për Integrim që, bashkë me zgjedhjet lokale në tetor, të zhvillohet edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në një komunikate drejtuar mediave, VLEN-i të shtunën kanë theksuar se nuk i frikësohen vullnetit të popullit dhe se janë të gatshëm për zgjedhje të dyfishta.
“Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që me paratë tona blenë për vete qendrën tregtare Soravia, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që na helmonin me mazut kancerogjen, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që shpëtuan Gruevskin e Mijallkovin nga burgu, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ministra që luajnë futboll nëpër zyra e institucione, ejani në zgjedhje”, thonë në VLEN, duke shtuar se “populli kërkon përgjegjësi për hajnat, dhe përgjegjësi do të ketë!”.
Është përgjigjur Bashkimi Demokratik për Integrim. Partia e Ali Ahmetit i është drejtuar publikisht partive shqiptare në Qeveri dhe me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, atëherë ejani në zgjedhje të parakohshme.
“Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse të përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është në rregull që ministrinë për Marrëveshjen e Ohrit ta udhëheq një putinist që mohon atë – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë anulimin e balancuesit – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se punësimet njëetnike, përjashtuese nuk shqetësojnë askënd – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët janë të kënaqur me përjashtimin e diasporës nga regjistrimi – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë ndalesën e për të negociuar në emër të shtetit -ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është normale që inspektorët e gjuhës shqipe të japin dorëheqje sepse nuk u paguhen rrogat për katër muaj – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se ky është drejtimi i duhur për shqiptarët – ejani në zgjedhje! Sepse, ai që është i sigurt në drejtësinë e rrugës së vet – nuk ka pse të ketë frikë nga zgjedhjet. BDI nuk e frikësohet popullit. Ne e dëgjojmë, e respektojmë dhe besojmë tek ai”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e pyetjeve të deputetëve njoftoi mundësinë që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, jo për shkak të lëvizjeve në VLEN, por në lidhje me përfundimin e procesit me tragjedinë në Koçan, në të cilën vdiqën 62 persona dhe rreth 200 u plagosën.
Ai nuk specifikoi nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin me zgjedhjet lokale në vjeshtë, por tha se do të pranonte përgjegjësinë për tragjedinë në Koçan pasi të zgjidheshin problemet dhe më pas të kërkohej besimi i popullit.
Në ndërkohë, duket se lëvizja e partive politike për të pranuar edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë të bëjnë me anketën e publikuar të shtunën nga mkd.mk e të realizuar nga agjencia “Market Vision”. Kjo anketë tregoi se Hristijan Mickoski e ka besimin e pjesës më të madhe të të anketuarve. Mickoskit i besojnë 25.4 për qind e të anketuarve, ndërsa në vendin e dytë është Venko Filipçe me 3.8%. Në kampusin shqiptar më i popullarizuari është ende Ali Ahmeti me 13.5%.
Megjithatë, ndër liderët e VLEN-it, më i lartë është rejtingu i Taravarit, i cili tashmë e ka braktisur koalicionin VLEN. Perceptimi i qytetarëve është se liderë të opozitës në Maqedoni janë Venko Filipçe (LSDM), Ali Ahmeti (BDI) dhe Dimitar Apasiev (E Majta). Pothuajse gjysma e të anketuarve nuk dinë cilin politikan ta përmendin. Sa i përket partive shqiptare, bindshëm kryeson BDI me 12.1%, ASH e Taravarit e dyta me 5.8%, ndërsa tre partitë e VLEN-it bashkë kanë 7% (LD 3.6%, BESA 2.6% dhe Alternativa 1%). /Koha/