Qytetarët dhe biznesi janë në pritje të lëshimit në përdorim të një pjese të autostradës Kërçovë-Ohër. E tërë rruga e nisur më vitin 2014 pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa gati gjysma apo rreth 40 kilometrat e para të autostradës Kërçovë-Ohër, është premtuar se do të lëshohet në përdorim në maj apo qershor të këtij viti.
Në muajt e kaluar, në këtë pjesë është shtruar asfalt me aditivët e ri. Në kushte dimërore po shtrohej asfalt në pjesën nga Stracini deri në Dlaboçicë dhe në pjesën Kërçovë-Ohër. Në pjesën drejt Ohrit, aditivin e kishin blerë tre kontraktorët e ndërtimit dhe kryen asfaltimin. Aditivët e tillë përdoren masivisht në vendet e Evropës Perëndimore, para së gjithash në Gjermani, Norvegji dhe Suedi. Me këtë, kompanitë nuk duhej të ndërpresin punimet ndërtimore nga nëntori deri në mars, por mund të punojnë edhe gjatë muajve të dimrit, pra në ditët kur nuk ka shi e borë.
Kompetentët thonë se synimi është që para sezonit turistik të lëvizet përgjatë një traseje të re të asfaltuar nga fshati Vërbjan në Ohër, me përjashtim të fshatit Botun ku po punohet për riparimin e një rrëshqitjeje. Nga ndërmarrja “Rrugët Shtetërore” thonë se në pjesën nga Kërçova deri në Vërbjan po punohet intensivisht në mbrojtjen e shpateve dhe rehabilitimin e rrëshqitjeve, me qëllim që ky seksion të vihet në shërbim sa më shpejt.
“Për më tepër, po zhvillohen edhe biseda intensive me kompaninë Sinohidro dhe kemi premtuar që deri sezonin e verës do të lëshojmë në përdorim këtë pjesë të autostradës për komunikacion, andaj po bëjmë përpjekje për të krijuar kushte për plotësimin e premtimit “, thonë nga “Rrugët Shtetërore”.
Në periudhën e kaluar po punohej fuqishëm në magjistralen nga fshati Novosellë deri në Arbinovë me vendosjen e rrethojave elastike dhe asfaltin e ri, si dhe për sinjalizim horizontal të komunikacionit. Po punohet edhe në të gjithë gjatësinë e saj, duke filluar nga Podmolja, pastaj afër Trebenishtës dhe në të gjithë territorin e Komunës së Debërcës, si dhe në tunelet dhe urat në territorin e Komunës së Kërçovës. Projekti, i cili filloi në vitin 2014, u përball me sfida të shumta si probleme me projektime të reja, duke përfshirë çështje gjeoteknike, punë shtesë ndërtimore dhe rritje financiare. Investimi i planifikuar fillimisht prej 374 milionë eurosh është rritur në rreth 598 milionë euro, ndërsa afati i përfundimit është shtyrë disa herë. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve garanton se kjo shumë nuk do të ndryshohet më tej, pavarësisht shtyrjes së afateve.
Autostrada Kërçovë-Ohër është e ndarë në pesë seksione, i pari dhe i dyti ku ka pjerrësi të mëdha që fatkeqësisht ishin lënë në provën e kohës dhe këto 5-6 vite kushte atmosferike tashmë janë gërryer shumë. Prandaj, bashkë me mbikëqyrjen, tashmë në realizimin e sipër është marrëveshje që fillimisht të bëhen gjeo-analiza , pas së cilës në bazë të atij raporti projektohet stabilizimi i atyre shpateve.
Punimet e tërësishme në autostradën Kërçovë Ohër duhet të përfundojnë , pas 12 vitesh ndërtimi apo deri në vitin 2026 , mirëpo punimet potencialisht sërish mund të shtyhen edhe të vonohen për shkak të disa problemeve si rrëshqitjet e dheut, dëmshpërblimet e caktuara…
“Autostrada nga Gostivari deri në Kërçovë kishte probleme me shpronësimet në periudhën e kaluar, por edhe ato gati se janë apsolvuar. Korridori 8 që po ndërtohet është i gjatë 68 kilometra me përjashtim të pjesës prej Shkupi deri në Tetovë që është riparuar pjesërisht , ajo është autostradë me gjashtë korsi, apo nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës në Qafë Thanë, ndërsa korridori 10-D nga Prilepi në Manastir është 40 kilometra dhe ka gjashtë korsi. Projekti i ndërtimit për seksionet e korridoreve 8 dhe 10-D përfshin shtatë kryqëzime, 34 ura, 34 mbikalime, 24 nënkalime, mbi 21 milionë metër kub gërmime, mbi 10 milionë metër kub argjinatura dheu, 620,000 milionë metër kub beton, 1.1 milion ton asfalt , 320 km mbrojtje gardh…”, thekson “Bektel&Enka” në faqen e saj.
Traseja nis nga dalja e Tetovës dhe vazhdon për në daljen nga Gostivari ku ka një zgjidhje krejtësisht të re në të dy anët e tre korsive, gjithsej gjashtë korsi plus një rrugë ndihmëse. Prej këtu anashkalon qytetin e Gostivarit, lëviz mbi lumin Vardar, shkon në tri ura të mëdha që shkojnë në të majtë të Strazhës, anashkalon Strazhën, shkon përgjatë malit dhe del në anën tjetër në vendin e Bukojçanit. Nga Bukojçani mbi Kërçovë, autoritetet pritet përzgjedhja e kontraktorit për autostradën e re, dhe më tej nga Kërçova deri në Ohër, autostrada është në ndërtim e sipër. Në mars të vitit të kaluar u nënshkrua kontrata me “Bekte&Enka” për ndërtimin e 110 kilometrave autostradë brenda gjashtë viteve, në vlerë prej 1.3 miliardë euro përfshi Tetovë-Gostivar-Kërçovë, Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep Manastir.
Ndryshe, për shpejt kohë pritet të nisin punimet edhe në trasenë e re Tetovë-Gostivar, që do të ndërtohet nga e para. /Koha/