Turqi: Sa influencë politike ka kumbari i mafies Sedat Peker?

    Në Turqi kumbari i mafies është kthyer në një ndër rreziqet më të mëdha për qeverinë e Erdoganit. Deri në ç’masë mund ta influencojë opinionin publik, Sedat Peker dhe të dëmtojë presidentin Erdogan?

    Dy këshilltarë të nivelit të lartë të presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan kanë humbur para pak ditësh vendin e punës. Emrat e tyre qarkulluan në kontekstin e një afere ryshfeti. Serkan Taranoğlu u shkarkua nga Erdogani ndërsa Korkmaz Karaca dha dorëheqjen – ai e argumentoi dorëheqjen me probleme shëndetësore.

    Këto zhvillime erdhën falë kumbarit ultranacionalist të mafies Sedat Peker. Ish-udhëheqësi i një grupimi kriminal për vite të tëra mbante kontakte të ngushta me presidentin Erdogan, por tani ai është kthyer në kritikun më të fortë të tij. Zbulimet e tij të fundit për implikimet e politikës me krimin e organizuar tregojnë, se korrupsioni është shtrirë deri në pallatin presidencial: Në Twitter ai ka publikuar biseda private në WhatsApp dhe fotografi të disa teksteve që mund të vërtetojnë, se disa persona në rrethin e ngushtë të Erdoganit janë të involvuar në afera ryshfeti.

    Në një video dekonspiruese bosi i mafies Desat Peker flet për pështjellime mes mafies e politikës

    Në këtë sfond Peker ka akuzuar për korrupsion edhe një deputet të AKP-së, Zehra Taşkesenlioğlu dhe vëllain e tij si dhe ish-shefin e autoritetit mbikqyrës të bursës (SPK), Ali Fuat Taşkesenlioğlu. Thuhet, se ata duhet të kenë kërkuar nga sipërmarrja Marka Investment Holding 12 milionë lira turke (rreth 660 mijë euro). Pasi shefja e firmës Marka, Mine Tozlu Sineren, i konfirmoi në televizionin turk këto akuza, SPK ka bërë kallëzim penal. Prokuroria për herë të parë që nga fillimi i zbulimeve të Peker ka nisur hetimet.

    Edhe opozita së fundi duke u bazuar në dëshmitë e Peker ka bërë kallëzim kundër anëtarëve të qeverisë, por nuk ka mundur të gjejë hetues, që të ndërmarrë hetime ndaj qeverisë. Nuk ka ndonjë shpresë të madhe, se hetimet mund të realizohen në mënyrë të pavarur.

    Nga kriminel në influencer politik

    Me demaskimet e tij Peker vitin e kaluar u kthye në një aktor kryesor të politikës turke. Dijenitë e tij për prapaskenat prej disa kohësh po rëndojnë ndaj qeverisë turke. Në fillim ai publikoi video në kanalin e tij të YouTube, ku ngrinte akuza të rënda ndaj politikanëve nga radhët e partisë në pushtet, AKP: Ata, sipas tij, janë të implikuar në vrasje, kontrabandë droge, shpërdorim pushteti, përdhunime dhe shumë afera të tjera ilegale. Ai ka pasur veçanërisht në fokus ministrin turk të Punëve të Brendëshme Syleyman Soylu.

    Për t’i shpëtuar një urdhër-arresti, Pekerit iu desh të largohet nga Turqia dhe pas disa stacionesh tashmë ai është vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai poston mesazhe në twitter me pseudonimin “Deli Çavuş”, që do të thotë “reshteri i çmendur”. Abu Dhabi deri tani e ka injoruar kërkesën e Turqisë për ekstradim.

    A mund t’i influencojë Peker zgjedhjet?

    Më 18 qershor të vitit të ardhshëm në Turqi zhvillohen zgjedhjet. Me votën e tyre turqit mund të vendosin për një tjetër qeveri dhe teorikisht ta nxjerrin në pension Erdoganin. Deri tani Peker asnjëherë nuk e ka sulmuar direkt Erdoganin. I besuari më i afërt i tij Emre Olur ka deklaruar megjithatë, që Peker dy muaj para zgjedhjeve do të zbulojë informacione të rëndësishme. Por sa mund të influencojë Peker elektoratin me këto informacione?

    Profesori nga SHBA Ryan Gingeras studion raportet mes shtetit dhe organizatave kriminale dhe prej kohësh ka në fokus kryesisht krimin e organizuar në Turqi. Zbulimet e fundit dhe pasojat në personel të japin të kuptosh, se pandehmat e Pekerit kanë efekt në mediat sociale, shpjegon Gingeras. “Por nuk është e qartë, se çfarë influence mund të kenë akuzat e Pekerit tek zgjedhësit e pavendosur dhe tek mbështetësit e pasionuar të Erdoganit. Në rast se akuzat e deritanishme të Pekerit deri tani nuk e kanë ndryshuar mendimin e zgjedhësve, përse duhet që demaskimet e reja të tij t’i bindin ata për të ndryshuar mendim?”, shtron pyetjen Gingeras.

    Të gjithë dëmin që mund të shkaktonte Peker ndpnjëherë tashmë e ka bërë, thotë Gingeras: Nuk besoj se pritet ndonjë demaskim spektakolar, që të mund të ndryshonte opinion publik në mënyrë masive në Turqi. “Me gjasë zgjedhësit, që i besojnë ose i konsiderojnë si relevante akuzat e Pekerit, ndërkohë kanë vendosur, të mos e votojnë Erdoganin vitin e ardhshëm.” Studiuesi thotë më tej, se nuk është i sigurtë, nëse qeveria e Erdoganit ka zhvilluar ndonjë strategji apo perspektivë të njësuar ndaj Pekerit dhe akuzave të tij.

    Türkei I Präsident Erdogan in Samsun

    Një problem me rrënjë të thella

    Pretendimet e fundit të Pekerit kanë ndezur sërish debatin publik rreth strukturave kriminale në Turqi. Por bizneset ilegale nuk janë ndonjë dukuri e re në Turqi. Korrupsioni në Turqi nuk erdhi me qeverinë e AKP-së, por historikisht ka rrënjë të thella në këtë vend.

    “Prej njëqind vjetësh politika ekonomike e Turqisë u ka lënë shumë hapësirë aferave ilegale. Përçarjet, kundërshtitë dhe tensionet në politikë kanë krijuar terrenin pjellor për një ekonomi informale joshëse”, thotë eksperti për Turqinë Gingeras.

    Sedat Peker nuk është i vetmi, që ka vënë në shënjestër korrupsionin në Turqi. Vitin e kaluar Turqia u klasifikua prej Financial Action Task Force (FATF) në të ashtuquajturën „lista gri”, sepse masat në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u vlerësuan të pamjaftueshme.

    Screenshot Youtube | Mafiaboss Sedat Peker

    Në “Global Organized Crime Index” të “Nismës Globale kundër Kriminalitetit Transnacional” Turqisë gjithashtu i bëhen kritika të ashpra. Në të thuhet: “Turqia është bërë e njohur si shtet mafioz dhe dëshmitë konfirmojnë, se tani ky zhvillim është më i pranishëm se asnjëherë më parë.” Edhe sipas vlerësimit të Gingeras, ndërkohë Turqia „është kthyer në një qendër të kriminalitetit të organizuar” – dhe partia e Erdoganit AKP ka një problem me këtë.

    Çështja, nëse demaskimet e Pekerit mund të çojnë në fundin e kësaj qeverie, është e vështirë të parathuhet. Por është e padiskutueshme, që një bos ekstremist i djathtë i mafies është kthyer në kritikun më të ashpër të Erdoganit. Ai mbetet një aktor i rëndësishëm, që vazhdon të ndikojë shoqërinë turke: „Njerëzit duan që dyshimi i tyre të konfirmohet. Peker u jep njerëzve atë që duan”, vëren Gingeras. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Suka: Rritja e pagave në kujdesin shëndetësor ishte e domosdoshme

    Lajmi i rradhës

    Kostovski: Gjatë krizës, referendumi është iniciativë e tepërt dhe proces retrograd

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë