Bujqësia në Pollog me shumë probleme

    Bujqësia në rajonin e Pollogut vazhdon të përballet me shumë probleme. Nëse në të kaluarën ishte mbjellur pothuajse 100 për qind e tokës bujqësore, viteve të fundit gjithnjë e më shumë vërehet tokë e pa punuar dhe e pambjellur. Rritja e çmimeve të pesticideve për spërkatje, mungesa e fuqisë punëtore, mungesa e sistemit të mirëfilltë të ujitjes dhe një varg problemesh, kanë bërë që bujqit të mos merren me bujqësi.

    Ata pak bujq që merren me bujqësi ose që i janë përkushtuar bujqësisë, mezi arrijnë të mbijetojnë. Pjesa e fushës së Pollogut që ndodhet në rajonet e komunave rurale vite me radhë ka mungesë të ujit. Kanali i dikurshëm për ujitje nga Raveni deri në Jegunoc, në pjesën e Komunës së Tearcës që moti është ndalur dhe kjo ka bërë që shumica e bujqve të lënë pronat e tyre pa i mbjellur. Madje, bujqit thonë se edhe ata që janë në pozita të larta shtetërore në Ministrinë e Bujqësisë nuk janë njerëz adekuat sepse nuk i dinë hallet dhe problemet e tyre.

    “Ne nuk e kemi ujin që është bazë, sepse bima, misri ose pasuli, që përmendet më shumë, kanë mbjellë në të kaluarën por është djegur dhe nuk e mbjellë askush. Nuk kemi njerëz dhe nuk kemi ujë. Bimës i duhet uji në kohën kur i nevojitet dhe jo në periudhë tjetër. Për fat të keq ky është realiteti, qëllim nuk është që të kritikojmë por ka shumë njerëz që marrin pozicione dhe nuk e dinë aspak se çka është bujqësia, pra njeriut që punon duhet t`ia gjesh vendin e punës e për fat të keq ky është realiteti”, thotë Isniriza Xhelili.

    Ndryshe, viteve të fundit, krahas shumë probleme lidhur me mbështetjen financiare të bujqve, problem në vete janë edhe reshjet atmosferike. Dy vitet e fundit, pikërisht në pranverë ka patur temperatura të ulëta të cilët kanë dëmtuar kulturat bujqësore dhe pemët. Shumë sipërfaqe të mbjellura janë dëmtuar dhe bujqit nuk kanë marrë asnjë kompensim. Kjo ka bërë që në treg të ketë rritje të çmimeve të shumë prodhimeve, ndërsa shumë bujq nuk rrezikojnë të mbjellin sipërfaqe më të mëdha, sepse dëmet që u janë shkaktuar nga vërshimet dhe temperaturat e ulëta nuk janë kompensuar nga shteti. Prandaj këtë vit, vështirë se do të ketë qershi nga prodhimet vendore në treg dhe furnizimi do të jetë nga jashtë. Kjo, për shkak se reshjet e borës që përfshinë rajonin e Pollogut në fillim të muajit prill kanë shkaktuar dëme të mëdha në pemëtari. Kultivuesit e pemëve thonë se janë shkatërruar mbi 90 për qind e pemëve.

    Bujku tetovar, Ibrahim Fejzullahu ankohet se rreth 300 pemë të qershisë janë dëmtuar nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës. Nëse viteve të kaluara ai arrinte të merr deri në 14 ton qershi, dy vitet e fundit nuk mund të vjelë asnjë kilogram.

    “Qershia është shkatërruar krejt, 99 për qind janë dëmtuar. Isha në komunë t’i paraqes, isha në Ministrinë e Bujqësisë, ato më thanë shko në komunë se ata i kanë kompetencat. Isha në komunë, ata nuk marrin parasysh hiç. Nuk të marrin në dorë hiç, edhe ne nuk dimë çka bëjmë, nuk kërkojmë shumë, sa për të mbijetuar. E dimë se nuk mund të na paguajnë të gjitha. Kërkojmë ndonjë nga komuna që të zbusë pak këtë dëm”, tha Fejzullahu.

    Ky bujk tetovar nëse në të kaluarën kishte mbijetuar duke shitur qershi, dy vitet e fundit ka pësuar humbje të mëdha, ndërsa pasi që dy herë kishte qenë në Komunën e Tetovës, pritet që një komision të del në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve. Por, sa do të zgjasin këto procedura nuk ka asnjë afat, ndërsa bujqit janë lënë në mëshirë të fatit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    AUTOSTRADA KËRÇOVË – OHËR / 40 km para sezonit veror

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë