Sela është i gatshëm të bisedojë me Mickoskin vetëm për ndryshimet kushtetuese dhe BE-në

    Aleanca për Shqiptarët nuk e ka ndër mend t’i hyjë aventurës me ndonjë bashkëpunim me koalicionin VLEN, u shpreh kreu i kësaj partie pjesë të Frontit Europian, Ziadin Sela.

    “Jo, bashkëpunim. Bashkëpunimi është konkret. Duhet të rezultojë me një marrëveshje nëse ka bashkëpunim. Nuk ka bashkëpunim me VLEN-in dhe nuk mendoj se duhet hyrë kësaj aventure”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Nëse kreu i ASH-së Arben Taravari i bashkëngjitet në Frontin Europian, Sela tha se do të ketë qëndrimet e tij për këtë çështje. Takimin e kreut të BDI-së Ahmeti me Taravarin, Sela për momentin e konsideron legjitime, si takim të dy krerëve të dy subjekteve të ndryshme. Tha se kjo temë nuk është trajtuar në kuadër të Frontit.

    “Aleanca për Shqiptarët është pjesë e Frontit Europian dhe ne kemi të drejtën në mënyrë hipotetike ta themi kur të hapet ky debat në kuadër të Frontit Europian”, shtoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Sela mohoi të jetë takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski, e nëse takohet, tha se do të bisedojnë për ndryshimet kushtetuese dhe anëtarësimin e vendit në BE.

    “As nuk jam takuar dhe as nuk kam të planifikuar ndonjë takim me kryeministrin e vendit. Në momentin që do të ketë ndonjë takim do t’u informojmë nuk ka asgjë të keqe, vetëm se të jeni të sigurt në qoftë se realizohet një takim i tillë, Ziadin Sela dhe ASH është e interesuar të diskutojë për tema reale”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Sela tha se gjithashtu do të kërkojë një ndryshim të Kushtetutës në pjesën për gjuhën shqipe, si dhe një ndryshim në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sipas parimit të Badenterit. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Aktivitete fizike që motivojnë personat me aftësi ndryshe në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë