Kreu i Këshillit Gjyqësor, kërkon pavarësi financiare në përputhje me ligjin, duke nënvizuar se nuk mund të flitet për pavarësi në gjyqësor, nëse ai varet nga pushtetet e tjera. Duke komentuar kërkesat për dorëheqje të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorve, Aleksandar Kambovski tha se dorëheqjet nuk janë reforma. Ai nënvizoi se Këshilli Gjyqësor ka ndryshuar pothuajse tërësisht, por ndryshimi i kuadrit nuk është garanci se ata që do të vijnë janë më të mirë. Ai thotë se reformat bëhen me ndryshime ligjore.
“Duhet të ndryshohet mënyra në të cilën bëhen reformat, të ndryshohet matrica e të menduarit dhe përfundimisht gjyqësori ta fitojë pavarësinë financiare që na përket në pajtueshmëri me ligjin, sepse nuk mund të flasim për pavarësi në gjyqësor, nëse ai gjyqësor është i varur nga ndonjërin prej pushteteve tjera. Gjykatat nuk janë vetëm ndërtesa të cilat ekzistojnë, ndërtesat duhet të jenë të pajisura, aty punojnë gjykatës, punon personel. Ndërsa për momentin ballafaqohemi me mungesë katastrofike të kuadrit dhe gjykatësit, ata që janë, bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme të jenë efikas”, tha Alekandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Ivan Xholev tha se për një gjyqësor më efikas nevojitet investim, punësime të reja dhe dixhitalizim. Ai nënvizoi se asnjëherë nuk është siguruar shuma prej 0,8 për qind e buxheti të shtetit, që sipas ligjit është paraparë për gjyqësorin. Sipas tij, buxheti maksimal që është ndarë për gjyqësorin në vitet e kaluara nuk ka arritur as 0,4 përqindëshin.
“Mungesa e gjykatësve, zyrtarë gjyqësorë, varësia financiare bëjnë probleme, në drejtim të zgjidhjeve kadrovike. E dini se çdo vit kemi gjithnjë e më shumë lëndë, e gjithnjë e më pak zyrtarë të gjykatës dhe gjykatës. Njëri me tjetrin nuk shkon, nëse duam gjyqësor efikas, duhet të investohet, të kemi punësime të reja, të dixhitalizohet gjyqësori dhe kështu me radhë”, tha Ivan Xholev Kryetar i Shoqatës së Gjykatësve.
Edhe përskaj mungesës së kuadrit në gjyqësor, autoritetet thonë se prej nesër rreth 200 të punësuar në gjyqësor mbeten pa kontrata pune, pasi Ministria e Financave nuk ua ka vazhduar ato, ndërsa nuk ka publikuar as shpallje të re për punësime. /Alsat/