Shpërblimi për fëmijën e tretë: pse nuk ndikoi në rritjen e natalitetit në RMV?

    Shtesat për fëmijën e tretë dhe të katërt u bënë temë në vitin 2018 kur ministrja e asaj kohe në Politikën Sociale, Milla Carovska deklaroi që modeli i dhënies së shtesave për fëmijë dhe prindër do të pësonte ndryshime, me arsyetimin që shtesat të cilat synonin rritjen e natalitetit nuk kishin pasur ndikimin e duhur. Shtesat për fëmijën e tretë kishte për qëllim rritjen e natalitetit, por të dhënat tregojnë se vetë masa nuk ndikon në lindshmërinë.

    Nataliteti po bie, nga 13.3 në 2001, në 11.1 në 2016. Gjithashtu, duke qenë se kjo ndihmë nuk ishte e dedikuar për personat e varfër, shtesa për fëmijë u jepej familjeve që janë në gjendje shumë të mirë ekonomike dhe nuk kishte asnjë kufizim për këtë. Ndryshimet që i bëmë i heqin këto probleme dhe paratë i drejtohen grupeve të duhura të qytetarëve, në një vend me shkallë të varfërisë së fëmijëve afër 30%, shumë burime tregojnë se nuk është e përshtatshme të ndahen fonde të tilla pa ndikuar ndjeshëm në uljen e varfërisë”, thuhej në njoftimin e MPPS-së.

    Kjo iniciativë nga partitë shqiptare u cilësua si një akt i pamatur. Ndërsa, në një hulumtim të Institutit për Demokraci “IDEA” thuhet se numri i fëmijëve të tretë ka shënuar rritje që nga viti 2011 deri në vitin 2014 edhe atë mesatarisht me nga 166 fëmijë, kurse nga viti 2014, pavarësisht shtesave, numri i fëmijëve të tretë të lindur ka rënë mesatarisht me nga 98 fëmijë për çdo vit.

    “Rënia më drastike ka ndodhur në vitin 2020 edhe atë për 591 fëmijë, apo 22.83% krahasuar me vitin paraprak, që është rënia më e madhe në dhjetëvjeçarin e fundit. Kjo korrespondon me ndryshimin e ligjit për shtesat për fëmijën e tretë”, thuhet në hulumtim. Sipas hulumtimit, komunat me më së shumti shfrytëzues të shtesës për fëmijën e tretë në vitin 2023 kanë qenë Komuna e Çairit dhe Komuna e Tetovës me gjithsej 1546 dhe 1219 shfrytëzues respektiv. “Analiza më e detajuar e të dhënave tregon se 45% e shfrytëzuesve të shtesës për fëmijën e tretë janë në komunat me shumicë shqiptare, ndërsa 55% janë nga komunat me shumicë joshqiptare”, thonë nga IDEA.

    Numri i shfrytëzuesve të shtesave për fëmijën e katërt në vitin 2023 ka qenë 750 shfrytëzues, ndërsa ka shënuar rënie graduale nga viti 2014, mesatarisht nga 7 shfrytëzues. Në total, në vitin 2023 kemi 101 shfrytëzues më pak se sa në vitin 2014.

    Nga gjithsej 750 shfrytëzuesit e shtesës për fëmijën e katërt në vitin 2023, 35.20% janë nga komunat me shumicë shqiptare. Hulumtimi tregon gjithashtu se në kulmin e numrit të shfrytëzuesve të shtesave, buxhetit të shtetit në nivel vjetor i kushtonin 4.053.463 euro, kurse me ndërprerjen e këtij modeli të shtesave, shpenzimet janë zvogëluar për çdo vit mesatarisht nga 654.955 euro. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për forcimin e kujtesës – produktet që ju duhen çdo ditë

    Lajmi i rradhës

    Në rrugët e Tetovës — gropat pjesë e pashmangshme e infrastrukturës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë