Çfarë i sjell Ukrainës marrëveshja për lëndët e para me ShBA

    ShBA dhe Ukraina duan të krijojnë një fond të përbashkët investimesh dhe rindërtimi. Si do të funksionojë dhe çfarë shpresojnë të arrijnë të dyja palët? Shumë gjëra mbeten të hapura edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes.

    Marrëveshja për mineralet e rralla, marrëveshja për burimet minerare, marrëveshja për burimet natyrore dhe minerare, ose thjesht marrëveshje ekonomike: të gjitha këto janë emrat për traktatin që ShBA dhe Ukraina donin të lidhnin menjëherë pasi Presidenti i ShBA Donald Trump mori detyrën në fillim të këtij viti. Pas disa përpjekjeve dhe ndryshimeve, më 30 prill, Uashingtoni dhe Kievi nënshkruan një “Marrëveshje për Krijimin e një Fondi Investimesh dhe Rindërtimi ShBA-Ukrainë”.

    Marrëveshja përbëhet vetëm nga dhjetë faqe, plus dy si shtojcë. Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, deklaroi se, sipas dokumentit, Ukraina do të krijonte bashkërisht një fond investimesh për rindërtim me ShBA për të tërhequr investime të mëdha në vend. Marrëveshja nuk përmend asnjë detyrim borxhi që Ukraina i detyrohet ShBA dhe nuk e ndryshon rrugën e Kievit drejt integrimit evropian.

    Si do të funksionojë fondi?

    Sipas Svyrydenko-s, ShBA-të do të japin kontribute në fond: përveç burimeve të drejtpërdrejta financiare, kjo mund të përfshijë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën, për shembull. Nga ana e tij, Kievi do të kontribuojë në fond me 50% të të ardhurave buxhetore nga pagesa e licencave të reja për nxjerrjen e lëndëve të para të rëndësishme, por mund të japë edhe kontribute shtesë.

    Fondi do të investojë para në projekte të nxjerrjes së mineraleve, naftës dhe gazit, si dhe në infrastrukturën dhe përpunimin shoqërues. Përkatësisht Ukraina dhe ShBA-të do të përcaktojnë bashkërisht projektet specifike të investimeve për të cilat do të ndahen fondet. Fondi lejohet të investojë vetëm në Ukrainë.

    “Ne besojmë se fitimet dhe të ardhurat e fondit  në dhjetë vitet e para nuk do të shpërndahen, por mund të investohen vetëm në Ukrainë, në projekte të reja ose rindërtim. Kushtet do të diskutohen më vonë”, tha ministrja.

    Marrëveshja ShBA-Ukrainë ende duhet të ratifikohet nga parlamenti ukrainas. Megjithatë, grupi parlamentar i partisë opozitare Solidariteti Europian është i pakënaqur që deputetët nuk u përfshinë në negociatat për këtë marrëveshje. Ai i bën thirrje Presidentit Volodymyr Zelensko të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e grupeve dhe fraksioneve parlamentare.

    Kur do të bëhen investimet e para?

    Sipas Ilya Neshodovskit të organizatës shoqërore ukrainase “Rrjeti për Mbrojtjen e Interesave Kombëtare” (ANTS), një marrëveshje me ShBA është thelbësore për Ukrainën e sotme. “Ne paguajmë dhe heqim dorë nga një pjesë e të ardhurave tona, por në këmbim marrim mbështetje ushtarake dhe financiare, si dhe investime amerikane. Meqenëse amerikanët do të kontrollojnë se si bëhen investimet, ata me sa duket do të jenë më të gatshëm të investojnë në ekonominë ukrainase”, shpjegon ai.

    Megjithatë, investimet nuk do të vijnë menjëherë. Ekspertët besojnë se ato mund të priten vetëm pasi të ketë mbaruar faza e nxehtë e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pas një ngrirjeje të konfliktit ose nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje. “Projektet e reja përjashtohen gjatë luftës. Nuk mendoj se do të jenë të mundura para mesit të vitit të ardhshëm. Sepse kompanitë që duan të investojnë në Ukrainë – qoftë në lëndë të para, miniera apo përpunim – duhet ta marrin parasysh këtë në buxhetet e tyre për vitin e ardhshëm”, tha në një intervistë për DW Anatoly Amelin i Institutit Ukrainas për të Ardhmen. Ai supozon se, në variantin më të mirë, investimet amerikane do të rrjedhin në Ukrainë duke filluar nga viti 2027 dhe 2028. “SHBA mbeten të motivuara për të na ndihmuar, por ndihma e ardhshme do të grumbullohet si detyrime borxhi në fond”, thotë Amelin.

    A do të rifillojë ndihma ushtarake amerikane?

    Në të njëjtën kohë, ekspertët vërejnë se marrëveshja është politikisht e dobishme për Ukrainën, pasi ajo vazhdon bashkëpunimin me ShBA, përfshirë edhe në aspektin e rritjes së ndihmës ushtarake amerikane. “Ky është një arritje e madhe politike dhe diplomatike për Ukrainën”, shkroi në Facebook Tymofiy Mylovanov, drejtor i Shkollës së Ekonomisë së Kievit dhe ish-ministër i Ekonomisë së Ukrainës. “Marrëveshja i jep Trumpit një sukses politik të brendshëm, i cili gjithashtu përmirëson qëndrimet ndaj Ukrainës në ShBA. Ukraina ka arritur të mbrojë interesat e saj në këtë marrëveshje. Të gjitha kërkesat drakoniane ndaj saj u hoqën pavarësisht presionit të paimagjinueshëm. Marrëveshja tani duket e drejtë dhe hap derën për rritjen e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën”.

    Ekspertët vërejnë se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, mediat raportuan se Donald Trumpi kishte rënë dakord t’i shiste Ukrainës armë me vlerë të paktën 50 milionë dollarë për herë të parë në mandatin e tij të dytë.

    A mori Zelenski garanci sigurie?

    Në të njëjtën kohë, ekspertët theksojnë se marrëveshja e nënshkruar nuk përmban asnjë garanci sigurie nga SHBA për Ukrainën. Kjo është pikërisht ajo që kishte në mendje Presidenti Volodymyr Zelenski kur inicioi nënshkrimin e një marrëveshjeje me SHBA-në. Ai donte të merrte garanci sigurie për vendin e tij në këmbim të aksesit në lëndët e para ukrainase.

    “Kjo është një marrëveshje për të ardhmen. Marrëveshja është më shumë politike në natyrë, është një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në. Por nuk përmban garanci sigurie dhe ky është një problem i vërtetë për Ukrainën”, thotë Yevhen Magda i organizatës ukrainase World Policy Institute. Në një intervistë me DW, ai vëren se Ukraina ka nënshkruar tashmë më shumë se tre duzina marrëveshje sigurie me partnerë ndërkombëtarë, të cilat janë më të dobishme në aspektin e politikës së sigurisë sesa marrëveshja me SHBA-në për krijimin e një fondi investimesh dhe rindërtimi. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Sanksionet dhe tribunali i luftës në agjendën e ministrave të BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë