Në prag të takimit të paralajmëruar mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, palët kanë dhënë sinjale të qarta mbi pozicionet e tyre politike. Taravari u shpreh se nuk pret ndonjë zhvillim të veçantë nga ky takim, duke theksuar se ASh është në komunikim të vazhdueshëm me VMRO-DPMNE dhe mbetet një subjekt politik autonom.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm, kështu që nuk pres diçka të veçantë. Ne i kemi thënë qëndrimet tona. Jemi parti autonome. I sjellim vendimet vetë, do t’i sqarojmë disa punë që mendojmë që mund se ai i ka të paqarta, definitivisht ASH-ja del me lista të veçanta për këshilltarë, kurse për kandidatë për kryetarë komunash me shumë gjasa do t’i ketë kandidatët e vetë,” deklaroi Taravari.
Ai shtoi se në takim do të sqarohen disa çështje që, sipas tij, kryeministri Mickoski mund t’i ketë të paqarta.
Taravari gjithashtu bëri të ditur se ASH do të garojë me lista të veçanta për këshilltarë në zgjedhjet lokale, ndërsa për kandidatët për kryetarë komunash me shumë gjasë do të dalë me emra të vetin.
Në reagimin e tij, kryeministri Mickoski theksoi se bashkëpunimi me ASh-në varet nga vendimi i vetë kësaj partie dhe se pavarësisht çdo zgjedhjeje të Taravarit, qeveria mbetet stabile dhe me shumicë të madhe.
“Si njeri kam mendim pozitiv për z.Taravarin, por në politikë fytyra është diçka që e ke ose nuk e ke. Këtu nuk ka variante fluide, ose ke, ose nuk ke, ose e mban fjalën ose nuk e mban fjalën. Unë mendoj se në rastin e tij, së paku 3 herë kam treguar dhe e kam mbajtur fjalën dhe kur ka pasur momente kur ka pasur edhe dilema në suaza të udhëheqësisë së partisë. Për këtë, lojërat e fshehta, janë lojëra të dukshme, identifikohen dhe njihen lehtë dhe më së shpeshti, lojërat e këtilla të fshehta, përplasen për kokën e atyre që i bëjnë këto lojëra të fshehta. Kuptohet, askënd në jetë nuk e kam lutur dhe nuk do ta lus. Me apo pa zotëri Taravarin Qeveria është stabile, e fortë me shumicë të madhe. Mbetet te ai dhe te bashkëpartiakët e tij të vendosin a do të shkojmë bashkë në rrugën e reformave, sundimi i së drejtës, luftë për shoqëri të drejtë, institucione të cilat do të funksionojnë, apo do të koalicionojnë me ato forca politike të cilat me vite dhe dekada e kriminalizuan dhe e shkatërruan shtetin. Zgjedhja është e tyre”, u përgjigj Mickoski.
Takimi pritet të sqarojë marrëdhëniet mes dy palëve dhe të japë sinjale për zhvillimet e ardhshme politike në vend.