Mosmenaxhimi i mbeturinave në Dibër mbush deponinë

    Fotografia: Ilustruese

    Pamjet e fundit nga deponia e qytetit krijonin përshtypjen se aty nuk ka më hapësirë për mbeturina. Sipas Drejtorisë së Ndërmarrjes Publike Komunale, kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mosmenaxhimit të rregullt të mbeturinave, për shkak të defekteve në makineritë e vjetra që përdoren për pastrimin dhe rregullimin e deponisë. Megjithatë, punonjësit e ndërmarrjes kanë qenë të angazhuar intensivisht ditëve të fundit për të përmirësuar situatën. Kjo deponi ka kapacitete të kufizuara, dhe zgjidhja afatgjatë e problemit lidhet me funksionalizimin e deponisë rajonale që parashihet të ndërtohet pranë fshatit Novaci, në afërsi të Manastirit.

    Burim Kaba, drejtori i Ndërmarrjes komunale “Standard”, për gazetën Koha deklaroi se për pesë muaj me radhë, makineria që përdoret për menaxhimin e mbeturinave ka qenë jashtë funksionit.

    “Pajisjet janë shumë të vjetra, si ekskavatorët (bagerët), dhe defektet ndodhin shpesh. Aktualisht makineria është rregulluar me shumë përpjekje dhe po punohet me intensitet të shtuar për të sistemuar deponinë. Jemi të angazhuar që kjo të ndodhë sa më shpejt”, u shpreh Kaba. Ai shtoi se janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e deponisë nga zjarret, që kanë qenë problem i madh në të kaluarën.

    “Prej tri vitesh nuk ka pasur zjarre, ndryshe nga më parë kur tymi dhe ndotja prekën edhe qytetin. Sot kemi kontroll dhe mbikëqyrim të vazhdueshëm mbi situatën”, theksoi ai.

    Deponia shtrihet në një sipërfaqe prej 4.000 metra katrorë dhe, përveç mbeturinave nga qyteti i Dibrës, aty depozitohen edhe mbeturina nga disa fshatra të Rekës së Poshtme (Komuna e Mavrovë-Rostushës), sipas një kontrate me ndërmarrjen komunale të Dibrës, e miratuar nga autoritetet lokale. Shërbimi bëhet me pagesë, çka ndihmon ndërmarrjen në përballimin e shpenzimeve.

    Po ashtu, kompania “KNAUF” hedh në këtë deponi mbeturina inerte, të cilat përbëjnë një problem të veçantë, pasi dekompozimi i tyre kërkon shumë kohë.

    Ky problem është diskutuar edhe në seancën e Këshillit Komunal, ku këshilltarët dhe kryetari i Komunës, Hekuran Duka, kërkuan nga drejtuesit e ndërmarrjes që të informojnë në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen në deponi. Deponia ndodhet pranë rrugës që lidh Dibrën me pikën kufitare “Bllatë” drejt Shqipërisë, si dhe me Banjat e Dibrës-Capa, në lokalitetin e Banjishtit. Për shkak të mungesës së fondeve, deponia shpesh ka kërkuar rregullim emergjent, pasi mbeturinat kanë dalë edhe në rrugën kryesore, e cila është shumë e frekuentuar. Së fundmi, janë ndërmarrë masa për ngritjen e mureve mbrojtëse përgjatë rrugës, por mbetet i hapur problemi me tokat përreth, të cilat, sipas pronarëve, ndoten nga mbeturinat e deponisë.

    Lajmi Paraprak

    Delikuenca gjithnjë e në rritje në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë