Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nuk ka njohuri që në Spitalin Klinik në Tetovë, prej një viti tashmë nuk kryhen ndërhyrje kirurgjike ortopedike. Pacientët dërgohen kryesisht në Shkup. Në Tetovë, ndërhyrje kryhen te një përqindje tejet minimale. Shkak për mos kryerjen e operacioneve në Ortopedi dhe Traumatologji, është mungesa e materialeve për operim.
“Unë nuk kam ndonjë informatë, me siguri drejtori e di më tamam”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Këtë e konfirmoi edhe vetë drejtori i Spitalit klinik, Agim Berisha.
“Ka ngecur pak puna sepse nuk ka materiale. Besoj se këto ditë do të hapet tenderi dhe do të kryhet kjo punë. Pacientët që duhet operuar për momentin janë drejtuar në klinikat e Shkupit. Për fat të keq kështu ka qenë”, tha Agim Berisha, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.
Mungesa e materialeve për operim në repartin e ortopedisë dhe traumatologjisë nuk është problem i vetëm i spitalit të Tetovës, thotë Shefi i repartit të ortopedisë, Arton Neziri. Ai tha se ky repart ka edhe mungesë të mjekëve.
“Kërkesa jonë deri te drejtoria ka qenë e vazhdueshme por ja. Në momentin e fundit kur është ndërprerë kontrata për këto materiale ka qenë tetori dhe nga ajo kohë nuk kemi pasur mundësi të bëjmë më kërkesa të reja. Kjo na ka vendos edhe neve në pozitë të keqe sepse numri është i madh i pacientëve kërkojnë trajtim kirurgjikal. Ndërsa ne kushte s’kemi pasur dhe po ashtu edhe personelin mjekësor që është deficitar”, u shpreh Arton Neziri, shef i repartit të ortopedisë dhe traumatologjisë.
Rënia e numrit të operacioneve të kryera ka nisur në vitin 2023, kur nga gjithsej ka pasur 140 operacione, ndërsa një vit më vonë vetëm 40 operacione, ndërsa viti 2025 ka pasur vetëm tetë operacione, edhe atë me disa materiale që kanë ngelur. /Alsat/