Rikonstruim i pashmangshëm i Qeverisë!

    E ardhmja e koalicionin qeveritar në formën siç është tani së bashku me subjektin politik Aleanca për Shqiptarët të Arben Taravarit, është vënë seriozisht në pikëpyetje. Dilemat rreth kësaj edhe më tepër u shtuan pas takimit të një dite më parë mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të VLEN-it. Në këtë takim, siç thonë burime nga Qeveria për gazetën Koha, është riafirmuar mesazhi kryesor mbi të cilin koalicioni fillimisht ishte lidhur – reforma, luftë kundër krimit dhe ndryshimin e sistemit që e la BDI dhe LSDM. Megjithatë, kujtojmë se takimi erdhi një ditë pasi kryeministri takoi kreun e ASH-së, Arben Taravari, i cili kohë më parë u largua nga VLEN. Reagimet pas këtij takimi kanë qenë të menjëhershme kurse i pari ironizoi Taravari me statusin në rrjetet sociale “Reagim? S’ja vlen”. Funksionarë e simpatizantë të VLEN nga ana tjetër, me kundërpërgjigje; “Меgjithatë, ja VLEN”, ndërsa Izet Mexhiti e quajti indirekt “dyftyrësh”

    KASAMI: TARAVARI DO TË LARGOHET NGA QEVERIA

    Kreu i Lëvizjes BESA dhe njëri nga krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, për Ora24 ka konfirmuar edhe njëherë se vendimi i VLEN-it dhe kryeministrit pas takimit të mbrëmshëm është që ASH dhe Arben Taravari të largohen nga Qeveria. Sipas Kasamit, nuk ka vend në Qeveri për njerëz dhe individ që bashkëpunojnë me BDI-në.

    “E kemi thënë edhe herëve tjera dhe vazhdojmë të qëndrojmë në ato pozicione që bashkëpunim me BDI-në dhe Qeveri nuk ka. Këtë çështje e sqaruam edhe njëherë në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin, ku bashkërisht u dakorduam që nuk mundet të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë asnjë subjekt politik, i cili bashkëpunon me një parti të inkriminuar në krim, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë Kasami.

    Ai zbuloi se janë në bisedime me disa parti dhe deputet, por edhe se janë në bisedime me zyrtarë të ASH-së, të cilët në të ardhmen mund të mbeten në VLEN.

    “Për momentin, ajo që është biseduar është që të ketë rikonfigurim vetëm të pozicioneve, të cilat i ka ASH-ja, janë disa kombinatorika, fillimisht ka bisedime do të kisha thënë anëtarë të ASH-së, të cilët janë pjesë e Qeverisë që nga deputetët dhe pozicione të ndryshme në ekzekutiv të cilëve ne u kemi ofruar dhe jemi në bisedime për të vazhduar, të mbajnë ata pozicione, po ashtu kemi bisedime edhe me parti dhe deputet të tjerë me të cilët jemi në bisedime për të qenë pjesë e ekzekutivit. Pra, nga momenti i vendimit formal të largimit të ASH-së nga Qeveria do të dihen edhe kombinatorikat se kush do të vijë në pozicionet të cilat i ka sot, ASH-ja e Arben Taravarit’, theksoi Kasami.

    Krerët e VLEN-it vazhduan me statuse ku shpërndanë ofendime të ashpra në drejtim të Taravarit. Kështu, kryetari i LD-së, njëherësh zëvendëskryeministri Izet Mexhiti shkroi se po i fikën dritat hipokrizisë. Ai e kritikoi Taravarin për mungesë sinqeriteti.

    “Të ftuam të bëhesh bartës i ndryshimit. U bëre simbol i Revolucionit të dritave. Edhe pse humbës në qytetin tënd, shpërndaje ‘Efridol’ për BDI-në. Euforia jote paska qenë vetëm sa për kamerë. Asgjë e sinqertë. Asnjë dritë e vërtetë. Sonte VLEN vendosi – dritat fiken për hipokrizinë. Dyftyrësia… nuk ia VLEN!”, ka shkruar Mexhiti.

    Ndërsa kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në postimin e tij shkruan se nuk mund të jetë aleatë i tyre dhe i kësaj qeverie askush nga vegëzat e BDI-së, që është e kapur në rrjetin e krimit.

    “Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar. Të gjithë që mendojnë se mund të luajnë ndryshe nuk mund të jenë partnerë tanë dhe të kësaj qeverie. VLEN-i nuk mund të lejojë që në qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit. Edhe BDI, edhe Qeveri, ollmaz Doktor!”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi. Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur se çfarë u diskutua në takimin me krerët e VLEN-it nuk dëshirojë të jep detaje duke thënë “Kishte brifing që përafërsisht është i saktë në atë se çfarë ndodhi”, u shpreh Mickoski.

    ASH: NUK JEMI DEKOR POLITIK NË QEVERI, POR NJË FAKTOR KYÇ

    Nga ana tjetër, pas takimit të zhvilluar mes Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, Kryesia e ASH-së ka dalë me një deklaratë përmes sekretarit të përgjithshëm, Blerant Ramadani, duke riafirmuar pozicionin e saj politik në kuadër të qeverisjes së re. Ramadani theksoi se Aleanca për Shqiptarët nuk është një dekor politik në qeveri, por një faktor kyç që udhëhiqet nga parime të qarta dhe vizion i përgjegjshëm për shtetin. Sipas tij, partia mbetet e përkushtuar ndaj barazisë, pastrimit të institucioneve dhe ndërtimit të një shteti që respekton çdo qytetar, pa dallime.

    “Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar ndaj barazisë, institucioneve të pastra dhe një shteti që respekton çdo qytetar, pa dallim. Kjo qasje nuk është e re për ne, por pjesë e ADN-së politike të Aleancës për Shqiptarët. Që nga themelimi e deri më sot, kemi dëshmuar se vizioni ynë nuk ndërtohet mbi kompromise të përkohshme, por mbi një orientim të qartë drejt një shteti funksional dhe gjithëpërfshirës”, është shprehur Ramadani.

    “Për ne, bashkëqeverisja nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të sjellë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve. Ne nuk bëjmë kompromis me dinjitetin dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i besueshëm i shqiptarëve dhe i së ardhmes së përbashkët”, thuhet më tej në njoftimin e Ramadanit.

    Përndryshe, kujtojmë se këto zhvillime pikënisje kishin deklarata e kryetarit të ASH-së, Arben Taravari i cili në një emision vlerësoi se në VLEN ka mungesë koordnimi,ndërsa pranoi se ka kanale të komunikimit me BDI-në. Pastaj kjo situatë shkaktoi reagim të krerëve tjerë të VLEN-it. Ndërsa raporti mes Taravarit me VLEN-in u shkëput pas vendimit të ASH-së së Taravarit që të shkojë në zgjedhje lokale me lista të veçanta për këshilltarë komunal. Për pjesën tjetër të VLEN-it ky hap i Taravari u cilësua si vetëpërjashtim nga koalicioni, ndërsa së fundi eksponentët e koalicionit bënë zyrtare nisjen e procesit të shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik.

    Lajmi Paraprak

    Si të ndaloni së ngrëni kur mërziteni!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë