Partitë politike maqedonase po bëhen gati për të zgjedhur kandidatët më të mirë për kryetarë komunash. VMRO-DPMNE deri në fund të këtij muaji do t’i ketë gati 85% të kandidatëve. Siç njoftoi deputeti i kësaj partie, Bojan Stojanovski, nuk përjashtohet mundësia që në komunat shqiptare të mbështesin kandidatë të partnerëve të tyre, përkatësisht nga VLEN.
“Në fund të muajit maj do të kumtohen zyrtarisht 85% prej kandidatëve për kryetarë komunash të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Listat e këshilltarëve do të duhej të ishin gati deri në fund të muajit qershor dhe atëherë do të kemi pasqyrë të qartë me cilët kandidatë do të marrim pjesë. Dua t’u njoftoj se anketat në shumë vende tanimë kanë përfunduar. Por gjithsesi atje ku do të ketë kandidatë për kryetarë në aspektin e partnerëve të koalicionit të cilët do të përputhen me kornizën e veprimeve dhe principeve tona, do t’i mbështesim edhe ata kandidatë”, u shpreh Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Në përgatitje e sipër është edhe LSDM. Social Demokratët thonë se kanë filluar negociatat me partitë e tjera, për të mbështetur njëra tjetrën varësisht komunës ku kanë nevojë.
“Ne në LSDM përgatitemi për zgjedhjet që vijnë, dyert tona dhe kanalet e komunikimit janë të hapura, kërkojmë partnerë. E konfirmuam koalicionin tonë me 14 parti, bashkë vetëm se kemi filluar të krijojmë listat në të gjitha komunat ndërsa sa i përket partnerëve të tjerë fillon procesi i bisedimeve”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Në taborin shqiptar, partitë politike ende nuk kanë bërë të ditur kandidatët për kryetarë komunash. Koalicioni VLEN është në prag të unifikimit si subjekt i vetëm politik do të dalë me kandidatë të përbashkët. Nga Fronti Evropian, deri tani nuk kanë konfirmuar se kanë zhvilluar negociata për ndarjen e komunave. Ndërkohë nga ASH-ja e Taravarit që prej kohësh kanë njoftuar se do të garojnë me lista të posaçme për këshilltarë komunal. /Alsat/