Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar ndaj vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Moskë, duke theksuar se ky veprim është një dëshmi e qartë e linjëzimit të partneritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Beogradit dhe Moskës.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Qeveria në detyrë e Kosovës e ka cilësuar këtë vizitë si një aks destabilizues, për paqen në dy rajone të ndryshme të botës.
“Rusia ka nisur një luftë e agresion të pajustifikuar ndaj Ukrainës duke kërcënuar sigurinë, paqen e stabilitetin në dyert e kontinentit evropian, gjersa brenda Evropës shfrytëzon Serbinë si shtet satelit për të kërcënuar edhe më tej Evropën e destabilizuar rajonin e Ballkanit”, thuhet në përgjigje.
Sipas Qeverisë, vizita e Vuçiqit vjen pas një periudhe të intensifikimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Gjatë kësaj periudhe, janë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme mes të dyja shteteve, përfshirë Koordinimin e Politikës së Jashtme dhe marrëveshje të tjera në fushat e energjisë dhe shëndetësisë.
“Serbia me Rusinë vazhdon të zgjerojë edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.
“Rusia e ballafaquar me sanksionet e Bashkimit Evropian, të cilave iu është bashkuar edhe Kosova, ka gjetur strehim te Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq. Serbia është bërë strehë e oligarkëve rus e investimeve ruse”.
“Serbia vazhdon të mos i vendosë sanksione Rusisë, duke shprehur qartë orientimin e saj dhe largimin gjithnjë e më tepër nga Bashkimi Evropian, gjersa çdo ditë e më shumë afrohet me Moskën”, thuhet në përgjigje duke shtuar se Vuçiqi nuk e ka zgjedhur rrugën evropiane, por qartazi atë të Moskës dhe se kjo është dëshmia e radhës e partneritetit të Vuçiq me Putinin, që nuk duhet më të kalojë pa u ndëshkuar nga bota perëndimore e demokratike./Dukagjini/