Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) vlerëson se rreth 5 milionë vdekje në vit mund të parandalohen plotësisht me aktivitet fizik të rregullt dhe të shtuar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), ekziston një prevalencë e lartë e inaktivitetit midis 30 përqind të të rriturve dhe 80 përqind të adoleshentëve në mbarë botën.
“Ushtrimet fizike kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trupit dhe mendjes sonë, duke kontribuar në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit, duke zvogëluar simptomat e depresionit dhe ankthit, si dhe duke siguruar rritjen dhe zhvillimin te të rinjtë. Megjithatë, 1 në 4 të rritur nuk i përmbushin nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik”, thuhet në raportin e IShP-së.
Aty thuhet se inaktiviteti fizik shkakton po aq shumë vdekje sa pirja e duhanit çdo vit, në mbarë botën.
“Është koha për të ndryshuar fokusin e promovimit të aktivitetit fizik: në vend që të synohen individët joaktivë, është koha për ta drejtuar të gjithë popullsinë më shumë drejt lëvizjes. Është e domosdoshme të merret në konsideratë konteksti në të cilin zhvillohet aktiviteti fizik dhe nëse ai praktikohet si domosdoshmëri apo si zgjedhje”, thuhet në raportin e IShP-së.