Nuk kanë të ndalur vrasjet në vend. Për vetëm një javë më tepër se tri vrasje kanë ndodhur në lokalitete të ndryshme të vendit, ndërsa opinioni vazhdon të jetë i tronditur nga ndodhitë e këtilla. E fundit është vrasja e mbrëmshme në Shtip, ku njëzet e pesë vjeçari E.O., shtetas i Turqisë, u vra në restorantin “Vami” në sheshin e qytetit në Shtip. Ai u dërgua në spital pa shenja jete, me disa plagë të shkaktuara nga armë zjarri, konfirmoi Spitali Klinik i Shtipit. Autori i vrasjes me iniciale K.K gjithashtu shtetas i Turqisë ka tentuar që të arratiset i ndihmuar nga katër persona të tjerë, por policia bën të ditur se janë arrrestuar të gjithë personat e përfshirë në këtë vrasje makabre.
“Në orën 22:15 minuta në pikë pagesën Milladinovci – Shtip në një akcion të përbashkët mes SPB Shtip, SPB Shkup dhe policia e trafikut është ndaluar auto-mjet BMW me targa të Shtipi, në të cilin kanë qenë A.K, T.M dhe O.M dhe A.O, pas çka A.K është arratisur, ndërsa personat e tjerë janë arrestuar. Së shpejti pas masave të ndërmarra ai dhe vrasësi K.K është gjetur dhe arrestuar”, bëri të ditur zëdhënësi i MPB-së Goce Andreevski.
Përderisa qytetarët përballen me raste të tilla tragjike në përditshmëri, partitë politike ia hedhin fajin njëra-tjetrës për atë se kush është fajtor. Pas vrasjes në mes të qytetit të Shtipit, kanë reaguar ashpër nga LSDM. Sipas social-demokratëve siguria në vend është prishur plotësisht, ndërsa pothuajse çdo javë në vend ndodhin vrasje para syve të qytetarëve, në pjesët më qendrore të qyteteve dhe lagjeve.
“Vrasja në Shtip, është vetëm e fundit në një seri vrasjesh që po ndodhin publikisht, para dëshmitarëve. Njerëzit kanë frikë për sigurinë e tyre kur dalin në një kafene ose restorant”, theksoi zëdhënësja e kësaj partie Boigdanka Kuzeska.
Nga kjo parti përgjegjës për këtë situatë e bëjnë ministrin e punëve të brendshme Pançe Toshkovski.
“Kjo është një dëshmi se ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, po e humb kontrollin mbi sigurinë e shtetit. Toshkovski jo vetëm që nuk ka kapacitet për t’u përballur me krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve – por ai edhe lejon përhapjen e lirë të tij në rrugë, madje edhe në stacionet policore. Për 10 muaj, Maqedonia është shndërruar në një Perëndim të Egër. Një seri vrasjesh kanë ndodhur vetëm në Shkup – vrasje në Mavrovkë, Bit Pazar, Çair, Shutkë. Grabitjet dhe vjedhjet janë bërë përditshmëri”, theksoi zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska.
Nga ana tjetër nga VMRO-DPMNE reagojnë duke thënë se koha e kaosit në shtet, e përleshjeve mafioze që nuk zgjidheshin dhe e kriminelëve të paprekshëm dhe të mbrojtur, përfundoi me kalimin e LSDM-së në opozitë.
“Gjatë shtatë viteve të qeverisjes, LSDM e shndërroi shtetin në një pashallëk të mafias dhe në një zonë të lirë për kriminelët ndërkombëtarë dhe bosët e drogës. Pjesëtarë të udhëheqjes më të lartë të LSDM-së, duke filluar nga ish-presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, mund të shihen në fotografi të përbashkëta me anëtarë dhe liderë të bandave dhe klaneve kriminale”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Ndaj kritikave dhe akuzave të LSDM-së drejtuar ministrit të punëve të brendshme Toshkovski, VMRO-DPMNE është kundërpërgjigjur me kundër-akuza drejtuar ish-ministrit Oliver Spasovski. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Spaasovski është sinonim i bashkëpunimit me kriminelë.
“Oliver Spasovski, si ministri më afatgjatë i Punëve të Brendshme, në vend që të luftonte krimin, shpërndau pasaporta maqedonase për 215 kriminelë ndërkombëtarë. LSDM dhe ministri më jetëgjatë Spasovski, e shndërruan shtetin në Kolumbinë e Ballkanit. Pas një kohe të gjatë, kemi një Qeveri që është e vendosur të shkojë deri në fund në luftën kundër krimit që LSDM e kishte vendosur në piedestalin e shtetit”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se lufta kundër krimit është e gjatë dhe e mundimshme, por tani ndryshe nga më parë kur kriminelët mbroheshin nga pushteti i LSDM-së ata po nxirren përpara drejtësisë.
“Me marrjen e përgjegjësisë nga VMRO-DPMNE për të udhëhequr Qeverinë, tashmë shihen rezultatet e para në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Po zhvillohen hetime për vepra të ndryshme penale, po zbardhen raste, po arrestohen njerëz që kanë shkelur ligjin, përfshirë edhe ata që në kohën e LSDM-së ishin të paprekshëm”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. /Koha/