Bashkimi Evropian i bashkohet Ukrainës dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në thirrjen për një armëpushim të plotë dhe pa kushte prej të paktën 30 ditësh, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, në një deklaratë të lëshuar në emër të Unionit dhe pesë vendeve të tjera, përfshirë vendin tonë.
“Ky ndërprerje e armiqësive mund të shërbejë si një hap vendimtar drejt reduktimit të vuajtjeve të civilëve dhe ofrimit të hapësirës për bisedime kuptimplote mbi një paqe të vërtetë që synon t’i japë fund luftës agresive të Rusisë dhe të krijojë një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Siç raportoi korrespondenti i AIM nga Brukseli, Kallas shtoi se BE mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, dhe mirëpret të gjitha përpjekjet për të arritur një paqe të tillë.
“Ashtu si në të kaluarën, tani i takon Rusisë të tregojë gatishmërinë e saj për të arritur paqen”, shtoi Kallas në një deklaratë që u mbështet edhe nga vendet jo-anëtare të BE-së, përfaqësuesit e të cilave morën pjesë në takimin joformal të djeshëm të ministrave të jashtëm në Lviv – Moldavia, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.