Sulmet izraelite në Gazë vrasin 10 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë

    Të paktën 10 njerëz – kryesisht gra dhe fëmijë – janë vrarë në sulmet izraelite gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavën palestineze.

    Dy nga sulmet goditën tenda në qytetin jugor Han Junis, ku në secilën prej tyre vdiqën nga dy fëmijë dhe prindërit e tyre. Nga sulme të tjera u vranë një fëmijë dhe një burrë që po udhëtonin me biçikletë, sipas Spitalit Nasser, i cili pranoi trupat nga të gjitha sulmet.

    Ushtria izraelite thotë në shënjestër i vë vetëm militantët dhe përpiqet ta shmangë dëmtimin e civilëve.

    Ajo e fajëson Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – për viktimat civile në luftën 19-mujore, duke thënë se operon në infrastrukturë civile, përfshirë shkolla.

    Hamasi e mohon këtë.

    Ushtria izraelite ende nuk i ka komentuar sulmet e fundit.

    Izraeli e ka ndaluar plotësisht importin në Gazë, përfshirë importimin e ushqimit, ilaçeve dhe strehimin emergjent, për më shumë se 10 javë.

    Izraeli thotë se po e bën këtë në mënyrë që të ushtrojë trysni ndaj Hamasit për t’i liruar pengjet.

    Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.

    Organizatat humanitare thonë se furnizimet me ushqime janë drejt përfundimit dhe uria është përhapur gjerësisht.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, administrata e të cilit ka shprehur mbështetje të plotë për veprimet e Izraelit, pritet t’i vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe këtë javë.

    Turneu i tij në këtë rajon nuk përfshin vizitë në Izrael.

    Në fillim të javës, Izraeli e aprovoi një plan për ta uzurpuar tërë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar.

    Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

    Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Zona e çmilitarizuar në Ukrainë: shans apo iluzion?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë