Xhemazije Rizvani
Publiciste
Xhengiz Huseini erdhi në emision me një bluzë me stampën e grupit “Guns N’ Roses”, grup që jetoi mes rebelimit dhe ëndrrave ashtu siç jetojnë romët, kudo që ndodhen.
“Mendoja se isha Çe Gevara dikur dhe se do ta ndryshoja realitetin rom,” e nisi bisedën me një pezm të brendshëm. Ishte një hidhërim i heshtur, sepse prej gjërave të Çe-s më së shumti i ishin bindur mustaqet. Sepse të ndryshosh mendësinë e një grupi, pa ndryshuar secili vetë, është çmenduri të mendosh se mund ta bësh të paktën jo në një botë pa shkop magjik.
Prej kohësh kisha menduar ta realizoja një emision të dedikuar komunitetit rom. Në Tetovë, lagjja Teqe ku kam jetuat ka një numër të konsiderueshëm banorësh nga ky komunitet, ndaj disa herë, pa pasur mendjen, e kisha pyetur Xhengizin:
– Ku jeton?
– Afër Teuta Halimit, asaj që më ka rekomanduar tek ti, afër qendrës pra.
– Of, më fal… Por s’e di pse besoja të dilje në fqinjësi me mua në Tetovë. Më duket të kem dëgjuar një mjeshtër perkusionesh. Qeshëm.
Ky mjeshtri kur nuk e gjen veten askund ” shkon mbas nauses me darabuke” ( kjo e qeshur më bindi se Xhengizi ishte njeri me humor të rrallë)
– Më thuaj, Xhengiz, je ndier ndonjëherë i diskriminuar në Maqedoninë e Veriut?
– Kam dëgjuar shumë romë që ankohen, por sinqerisht jam kureshtar të di si duket ky lloj diskriminimi nga rrethi. Unë për vete nuk e kam përjetuar kurrë në tërë këto vite të miat.
– Po në përfaqësimin politik, besoj e ke ndier?
– Jam aktor i diplomuar, luaj në perkusione dhe punoj në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo flet shumë. Romët nuk janë aspak të përfaqësuar, bile edhe komisionet që krijohen për përfaqësimin e tyre nuk kanë asnjë rom në përbërje. Më fal, por si mund ta dinë ata si është të jesh rom dhe çfarë na mungon neve?
– Ju kushtojnë një ditë veç, 8 Prillin.
– As një ditë të plotë më fal. Dy orë veç nga ajo ditë. Në 8 Prillin e vitit 2017, më duket, shkuam në parlament. Kryeministër ishte Zoran Zaevi. Sa filluam të flisnim për historinë tonë, dikush nga kabineti na njoftoi se kryeministri, për 10 minuta, duhet të largohej nga salla. Ne, intelektualët romë, u revoltuam. Si ka mundësi që as një ditë të vetme nuk respektohemi e nuk kanë kohë të na dëgjojnë? A ka ofendim më të madh se ky?
– Tronditëse. Kur thua “intelektualët romë”, jeni shumë njerëz të suksesshëm në Maqedoni?
– Po, shumë. Avokatët Allma Mustafovska, Sërxhan Ahmeti, mjeke është shoqja ime Afrodita Huseini Berat. Xhefrina është aktualisht yll në muzikë. Edhe vajza që do ta përfaqësojë Maqedoninë në konkursin e bukurisë në botë është rome më vjen keq, s’më kujtohet emri. Ka shumë romë të suksesshëm që nuk i kujtoj për momentin.
– Kur jemi te romët e suksesshëm, dua të përmend profesor Muhamedin që më ka dhënë muzikë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë. Para pak kohësh, nga një shkrim i Kujtim Shabanit në “Nistori”, mësova se kishte ndërruar jetë. Ka qenë një profesor shumë i dashur, punëtor, dhe me korin e shkollës patëm suksese të mëdha.
– Edhe unë tani po e kuptoj se ai qenka bërë i ndjerë…
– Meqë u ktheva te shkolla fillore, kujtoj po ashtu se në klasë kishim dy ose tre romë. Jo vetëm unë, por çdo klasë kishte. Megjithatë, rrallë e përfundonin shkollën tetëvjeçare. Shpesh e kam menduar më pas ku ishte problemi? A mos i diskriminonim ne pa e kuptuar, apo hiqnin dorë vetë?
– Martoheshin herët. Dhe ne kemi bërë luftë që kjo të ndryshojë, sepse shkollimi është jetik. Ne kemi mungesë liderësh. Ju shqiptarët e keni një të mirë bëheni bashkë kur duhet. Ne e kemi të vështirë, nuk kemi prijës…
– Ndoshta sot kanë një model para, që mund t’i frymëzojë.
– Romët duhet t’i heqin paragjykimet që kanë.
– Të kenë vetëbesim, si ti.
– Kjo është më e rëndësishmja. Ne romët nëpër botë jemi si një grumbull njerëzish që janë hedhur në oqean, por vetëm disa dinë not.
– Sa bukur e the… Edhe pse për ata që nuk dinë not, duhet të jetë e dhimbshme.
Ne nuk kemi një atdhe, atdheu ynë është krejt bota.
– Kjo e premte kaq e dendur në Shkup, i ngjan oqeanit sipër ku kollaj mbytesh.
– E bëjnë tetovarët që kthehen nga administratat Shkupit(qeshim)
– Nga e di?
– Jam njëri prej tyre. Shkojmë ta ngjallim Tetovën pak!
– Na ço të fala nga tetovarët që mbeten në Shkup!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.