Mickoski akuzon Taravarin për rikthim te BDI – Taravari: kryeministri është nën presion

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka lëshuar akuza në drejtim të liderit të Aleancës për Shqiptarët (ASh), Arben Taravari, duke thënë se ky i fundit është në rrugë për t’u kthyer “në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së”, shkruan Nistori.

    “Pra, po, i kam dëgjuar ato deklarata, mendoj se zoti Taravari dhe disa njerëz rreth tij janë të vendosur të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Më mbetet vetëm t’i uroj fat dhe shpresoj që javën e ardhshme të kemi një takim përfundimtar ku do të përmbledhim atë që është bërë…”, deklaroi Mickoski.

    Ai shtoi se kthimi i mundshëm i ASh-së drejt BDI-së nuk pasqyron vullnetin e bazës së partisë, por është, sipas tij, vendim i disa individëve.

    “Më duhet të them se më e pakta që prisja ishte që ai të kthehej në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të tjerëve…”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se vendimi i Taravarit është zhgënjyes dhe një kthim drejt mentalitetit politik të vjetër.

    Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar lideri i ASh-së, Arben Taravari, i cili në një intervistë për TV21 ka mohuar rikthimin drejt BDI-së, duke e cilësuar të gjithë situatën si një frymë konspirative.

    “Kryeministri Mickovski ka qenë dhe është nën një presion të madh kohëve të fundit për shkak të disa gjërave, dhe më vjen keq kur dëgjoj që edhe ai bie pre e këtyre ‘besytnive’. E vërteta e vetme është se ne si parti kemi vendosur të dalim me lista të veçanta këshilltarësh në zgjedhjet lokale”, theksoi Taravari.

    Ai shtoi se vendimi i ASH-së nuk u mirëprit nga partnerët shqiptarë në Qeveri, ndërsa përsëriti se nuk dëshiron të jetë pjesë e “klimës së thashethemeve dhe konspiracioneve që është krijuar”.

    “Gjithsesi do të flas personalisht me z. Mickovski për t’i treguar qartë e saktë për vendimin tonë”, përfundoi Taravari. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vendimi i Qeverisë për spitalin i la kërçovarët pa fjalë!

    Lajmi i rradhës

    Gjermanishtja pushton bankat shkollore: rinia në Ohër e Strugë ëndërron jetën në Gjermani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë