Katërshe, jep notën vlerësuese kryeministri Hristijan Mickoski për punën e tij dhe të qeverisë së tij në këto dhjetë muaj. Ai thotë se ka hapësirë për përmirësim dhe kërkon durim nga qytetarët për të parë rezultatet e para të kësaj pune, të cilat tha se vijnë ngadalë. Mickoski paralajmëron linjë të hapur në Ministrinë e Brendshme për qytetarët dhe për bizneset që duan të paraqesin korrupsionin. Në përgjithësi, ai thotë se shkalla e krimit është ulur në mënyrë të dukshme.
“Unë jam i lumtur që se për më shumë se dhjetë muaj ne nuk kemi ndonjë skandal të madh korrupsioni që ishte karakteristikë në të kaluarën. Po ashtu duhet të jem i lumtur që një pjesë e krerëve të komunave të koalicionit të drejtuar nga VMRO-DPMNE-së, tashmë për të katërtin vit, nuk kanë akuzë për krim dhe korrupsion që duhet të them se kanë treguar jo mënyrë ballkanase por mënyrë skandinave të drejtimit të institucionit. Unë jam i lumtur se si funksionon sistemi. Do të jepja notën 4, duke nisur nga 1-shi te 5-sa. Si profesor nuk jap 5-she sepse mendoj se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Në Samitin “Maqedonia 2025” kushtuar kryesisht zhvillimit ekonomik, kryeministri foli edhe për eurointegrimet. Sipas tij, sektorët përgjegjës, Ministria e Jashtme dhe Ministria për Çështje Evropiane bëjnë angazhim serioz dhe kërkojnë mënyrë për të tejkaluar gjendjen në mënyrën që të kthehet edhe dinjiteti.
“Do të ishte budallallëk unë të flas për diçka që ka ndodhur para dhjetëra shekujsh dhe në anën tjetër të flasim për inteligjencë artificiale, për shekullin e ardhshëm, për diçka që paraqet revolucion në shkencë. Për fat të keq, kjo është pengesa jonë. Pengesa jonë për një pjesë të vogël, për një pjesë të papërfillshme të BE-së, është që jemi maqedonas. Por ne jemi maqedonas krenarë dhe do të vazhdojmë të luftojmë ashtu siç jemi”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër. /Alsat/