14 jetë u shuan në zjarr, katër vjet gjykim – dënimi pritet të jepet më 16 maj

    Dokumentacioni i rastit të spitalit modular, Tetovë

    Ka përfunduar edhe seanca gjyqësore për fjalët përfundimtare të palëve për zjarrin tragjik në Spitalin Modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona. Në seancën e fundit në Gjykatën Themelore Tetovë, Prokuroria kërkoi që ish-drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi dhe Institucioni Publik i Shëndetit, Spitali Klinik në Tetovë, si person juridik, të shpalleshin fajtorë për veprën penale të “krimeve të rënda kundër sigurisë publike”. Përfaqësuesi i Prokurorisë shpjegoi se provat materiale dhe dokumentare të paraqitura, si dhe dëshmitë vërtetojnë se dy të akuzuarit, nuk vepruan sipas rregulloreve të përcaktuara dhe nuk instaluan aparat kundër zjarrit, shkruan Nistori.

    Avokatët që kishin autoritetin për të përfaqësuar familjet e njerëzve që humbën jetën në zjarr dhe pacientët e plagosur iu bashkuan fazave të fundit të hetimit. Ata kërkojnë dëmshpërblim nga spitali modular.

    Avokati mbrojtës i Spitalit Klinik të Tetovës theksoi në fjalën e tij përfundimtare se spitali nuk duhet të shpallet fajtor pasi nuk ishte përgjegjës drejtpërdrejt për qendrat modulare COVID 19. Ai theksoi se sipas marrëveshjeve të prokurimit, këto janë ministritë qeveritare, megjithëse nuk e kundërshton faktin që ministria duhet të kujdeset për unitetin. Ai tha se dëshmitarët e incidentit dëshmuan se ishin instaluar fikës zjarri.

    Familjarët e viktimave që humbën jetën në zjarrin tragjik në spitalin modular të Tetovës kanë shprehur zhgënjimin dhe indinjatën e tyre ndaj sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar ndëshkim të merituar për përgjegjësit dhe zbardhje të plotë të rastit.

    Mumin Ismaili, të cilit nëna i vdiq nga zjarri, tha se kishin shpresuar që në këtë seancë të kishte më shumë përparim në procesin gjyqësor dhe që të akuzuarit të marrin dënimin e merituar.

    “Ne nga kjo seancë pritëm më tepër se, të akuzuarit do të marrin dënimin e merituar. Ne jemi shumë të dëshpëruar nga sistemi i drejtësisë në RMV. Shfrytëzoj rastin që nëpërmjet mediumeve të them se të gjithë njerëzit që jetojnë këtu, pavarësisht etnisë, le të zgjohen nga gjumi se familjarët tonë u dogjën, por mos të ndodhin raste të tjera. Apeli ka qenë gjithmonë se katër vite kaluan dhe se drejtësia duhet të del në shesh”, deklaroi Ismaili.

    I pyetur nga Nistori se çfarë pret nga vendimi përfundimtar i gjykatës, ai shtoi:

    “Familjarët e viktimave presin që dënimi duhet të jetë maksimal.”

    Edhe Emshi Ibin, i cili humbi babain dhe vëllain në zjarr, foli për mungesën e thellë të fokusit në çështjen kryesore të tragjedisë. Ai kritikoi qasjen e mbrojtjes dhe zvarritjen e procesit.

    “Unë mund të them vetëm një gjë, le t’i lëmë krejt se kush te kush ishte faji, por ku janë njerëzit (14 viktimat). Gjyqtari duhet të jetë kësaj radhe pak më i ashpër, sepse edhe nëse gjyqtari korruptohet atëherë këtu ska më asgjë. Tani e ka radhën gjykatësi”, u shpreh shkurt Emshi.

    Ndërkohë, Qanie Selmani, një tjetër familjare e viktimave, theksoi se spitali nuk kishte masa mbrojtëse ndaj zjarrit gjatë qëndrimit të saj trejavor aty. Ajo kërkoi hetim të plotë dhe transparencë për shkaqet e zjarrit.

    “Ne presim të del e vërteta. Ne familjarët që kemi qenë aty, nuk kemi parë asgjë kundër zjarrit ato tre javë që kemi qenë aty. Kemi qenë prej fillimit e deri në ditën e zjarrit. Duam që del e vërteta në shesh, të shpallet se kush ka qenë fajtori aty, se nuk mund të merr flakë kot spitali”, deklaroi Selmani.

    Familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për tragjedinë që mori 14 jetë në 8 shtator të vitit 2021, duke theksuar se askush nuk duhet të mbetet i pandëshkuar dhe se zjarri në një institucion shëndetësor nuk mund të konsiderohet si një aksident i zakonshëm.

    Ndryshe ky është rigjykim i rastit pasi në gjykimin e parë të rastit, në hetime u përfshi edhe mjeku kujdestar Buban Vuçevski, por ai u shpall i pafajshëm. Vendimi përfundimtar për tragjedinë në spitalin modular pritet të jepet më 16 maj ora 12:00. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë do të thotë marrëveshja e tarifave ShBA-Kinë?

    Lajmi i rradhës

    Gjermania pas zgjedhjeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë