Komiteti Ekzekutiv i VMRO DPMNE-së ka mbajtur një mbledhje ditë më parë, ku në qendër të diskutimeve ishte situata aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe pasojat e fundit nga prishja e koalicionit qeveritar me Aleancën për Shqiptarët (ASh), shkruan Nistori.
Sipas njoftimit të kësaj partie, Komiteti Ekzekutiv ka autorizuar kryetarin e saj, Hristijan Mickoski, që të propozojë emra të rinj për pozitat që deri më tani i takonin ASH-së në Qeveri, pas vendimit të Arben Taravarit për të lënë koalicionin. VMRO DPMNE reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke e interpretuar largimin e Taravarit si një akt që, sipas tyre, konfirmon përfshirjen e tij në një rreshtim me forcat që “mbrojnë krimin dhe korrupsionin” në vend.
“Taravari të përgjigjet se me çfarë po shantazhohet. Kjo sjellje e tij e paarsyeshme mund të ndodhë vetëm si rezultat i shantazhit dhe nën diktatin e lobit kriminal, i njëjti që e gjunjëzoi LSD-në dhe e shkriu në partneritet dhe martesë me mafian e BDI-së. Arben Taravari duhet të jetë i sinqertë dhe të pranojë se informacionet që po përhap tani për largimin nga qeveria, si për shembull se çështjet shqiptare nuk u trajtuan mirë apo se kishte një ngërç në integrimin në BE, janë vetëm një alibi e zbehtë për veprimet e tij nën shantazh. Arben Taravari është një njeri i shantazhuar, çmimi i një shantazhi të tillë duhet kërkuar në biznes apo motive të tjera. Ai ka konfirmuar se nuk është një partner i qëndrueshëm me të cilin mund të ndërtohet politika. Ai duhet t’u shpjegojë votuesve të tij se si BDI është tani opsioni i vërtetë dhe i vetëm për të”, thonë nga VMRO-DPMNE”, thonë nga VMRO.
Pas akuzave të ashpara dhe të drejtpërdrejta nga VMRO-DPMNE ndaj Aleancës për Shqiptarët dhe liderit të saj, Arben Taravarit, vetëm pak ditë pas largimit të kësaj partie nga Qeveria, ka ardhur një reagim i fortë dhe përplasës nga radhët e Aleancës.
Në një deklaratë të ASh, zyrtarë të Aleancës për Shqiptarët kanë vënë në pikëpyetje moralin dhe sinqeritetin politik të VMRO-DPMNE-së, duke i kujtuar kësaj partie se për më shumë se një vit ishin pjesë e të njëjtit koalicion qeverisës. Ata kërkojnë të dinë se përse këto akuza nuk u bënë kur ishin ulur në të njëjtën tryezë qeveritare me Arben Taravarin, por u lëshuan vetëm pasi ai mori vendimin e pavarur për të lënë koalicionin.
“Kemi ndjekur me vëmendje “pretendimet” e VMRO DPMNE-së ndaj partisë tonë dhe kryetarit të saj. Është e pritshme që në këto ditë të rënda të kësaj Qeverie në hall, në mungesë të plotë të argumenteve politike, të ketë shpifje të llojit më absurd”, thuhet në reagimin e ASh-së.
Sipas tyre fakti që dolën nga Qeveria me vullnetin e tyre flet qartë se sa pak e korruptueshme është ASh dhe ndoshta kjo është e pakonceptueshme për disa parti që janë në pushtet.
“Ne jemi qetësisht të përqëndruar në punën tonë drejt fitores së tetorit dhe nuk duam të rëndojmë me asnjë fyerje apo pseudo-akuzë VMRO DPMNE-në e cila ka mjaftueshëm halle aktualisht. Vetëm fakti që dolëm nga Qeveria me vullnetin tonë flet qartë se sa pak të korruptueshëm jemi dhe ndoshta kjo është e pakonceptueshme për disa parti që janë në pushtet”, vazhdon deklarata.
Në përfundim, ASh i bën thirrje VMRO-së që të dalë nga logjika e akuzave të pashkruara dhe të kthehet në një diskurs serioz politik.
Tensionet e fundit brenda koalicionit VLEN dhe në kuadër të Qeverisë kanë dalë në pah pas vendimit të krahut të Aleancës për Shqiptarët për të garuar me listat e veta për këshilltarë në zgjedhjet lokale të tetorit 2025. Ky hap ka shkaktuar përçarje në mesin e partnerëve të koalicionit, duke vënë në pikëpyetje unitetin e brendshëm të VLEN dhe bashkëpunimin në nivel qeveritar.
Vendimi për të mos dalë me një listë të përbashkët të këshilltarëve ka krijuar pakënaqësi në radhët e partive aleate, të cilat theksojnë se veprime të tilla dëmtojnë frymën e bashkëpunimit dhe përpjekjet për një përfaqësim të unifikuar të shqiptarëve në institucionet lokale dhe sipas VLEN, kthimin e BDI në pushtet.
Përplasja pritet të ashpërsohet në muajt në vijim ndërsa vendi hyn në atmosferën parazgjedhore të vjeshtës, gjegjësisht zgjedhjet lokale. /Nistori/