Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane do të mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.
Lufta në Ukrainë, në krye të agjendës së liderët evropianë në Shqipëri
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu bashkua të premten liderëve të dhjetëra vendeve dhe organizatave evropiane në një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të biseduar për sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në krye të agjendës.
Në prag të samitit në Tiranë, presidenti rus, Vladimir Putin, hodhi poshtë një ofertë të Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë në Turqi, për të kërkuar një armëpushim me Moskën, duke dërguar në vend të tij një delegacion të nivelit të ulët.
“Mendoj se Putini bëri gabim duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa mbërriti në samit. “Topi është qartazi në fushën e tij tani. Ai duhet të veprojë. Duhet të jetë serioz nëse e dëshiron paqen. Prandaj, mendoj e gjithë trysnia është tani mbi Putinin”, shtoi Rutte.
Zelensky nuk foli derisa po ecte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përgjatë tapetit të kuq pranë mediave të mbledhura.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Putini “po luan lojëra, gjë që tregon se ai nuk është serioz për paqen”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është e qartë se “presidenti Zelensky është i gatshëm për takim, por presidenti Putin nuk u paraqit kurrë, dhe kjo tregon qëndrimin e tij të vërtetë. Prandaj, ne do ta rrisim presionin”.
Von der Leyen tha se BE-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh. Ajo deklaroi se masat do të synojnë flotën në hije të anijeve të vjetra të mallrave që Rusia po përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, si dhe konsorciumin e gazsjellësit Nord Stream.
Ajo shtoi se edhe sektori financiar rus do të jetë në shënjestër. Të dërguarit e BE-së kanë punuar për javë të tëra mbi paketën e re të sanksioneve, dhe ministrat e Jashtëm të bllokut mund t’i miratojnë ato qysh të martën.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për Ukrainën duhet të vazhdojnë.
“Mendoj se nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar dhe një marrëveshje serioze për paqe që përfshin garanci sigurie për Ukrainën”, tha ajo.
Refuzimi për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Zelenskyn “është dëshmi e qartë se Putini nuk dëshiron seriozisht paqen. Ai po zvarritet”, tha kryeministri britanik Keir Starmer. “Prandaj, kjo ditë është një mundësi vërtet e rëndësishme për të punuar me kolegët dhe për të siguruar që jemi plotësisht të bashkuar”.
Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, për Shqipërinë – e cila ende përpiqet të çrrënjosë ndikimin e gjatë të regjimit komunist dhe të anëtarësohet në BE – ky është moment kyç.
“Është kënaqësi ta shohësh se sa larg ka arritur Shqipëria dhe që mban një takim të tillë me liderët e BE-së dhe Britanisë”, tha Dritan Hoti, 46 vjeç.
“Shqipëria po ec në drejtimin e duhur, pavarësisht të gjitha telasheve që ka pasur”, shtoi ai.
Para se t’i bashkohet BE-së, Shqipëria duhet ta fshijë reputacionin si një qendër shpëlarjesh parash për trafikantët e armëve dhe drogës, ku disa jetojnë në luks dhe shumë të tjerë në varfëri. Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme pas zgjedhjeje të diskutueshme, ta cilat kryeministri Edi Rama i fitoi zyrtarisht me rezultat të thellë, por të cilat po hetohen nga Prokuroria dhe nuk po pranohen nga opozita.
Kreu i opozitës dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, ka thirrur një protestë paqësore gjatë samitit të së premtes. Ekspertët thonë se marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për ta bërë vendin të hapur për investime të huaja – përfshirë ato të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump – Jared Kushner – kanë forcuar shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“BE-ja po kërkon një histori suksesi”, tha Andi Hoxhaj, ekspert i Ballkanit në King’s College London.
“Shqipëria dhe Mali i Zi mund ta kenë një mundësi, pasi të dyja janë vende shumë të vogla dhe nuk do të kenë ndonjë ndikim apo trysni të madhe mbi BE-në”, shtoi ai.
Shumëçka varet nga sa shumë e duan vetë vendet e Ballkanit anëtarësimin në BE.
Hoxhaj tha se besimi ndaj BE-së ka humbur paksa në rajon, pjesërisht sepse e ka bërë procesin e anëtarësimit shumë të vështirë.
Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë synime për t’u bërë pjesë e BE-së, megjithatë mospajtimet e kamotshme mes këtyre vendeve fqinje e ka ngadalësuar përparimin.
Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të tensioneve etnike në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, këtë javë mori pjesë në festimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli.
Zyrtarisht, liderët do të zhvillojnë një sërë takimesh tematike.
Ky samit është më i dobishëm si një platformë ku liderët mund të mbajnë takime dypalëshe, ose në grupe të vogla, për të shprehur mendimet e tyre mbi çështjet kryesore evropiane.
Ndryshe, Tirana po përgatitet edhe për fluksin e së premtes. Fluturimet nga aeroporti i Tiranës, i cili është në rindërtim e sipër për shkak të një lulëzimi të turizmit, mund të ndërpriten për shkak të trafikut të shtuar ajror, njoftoi vetë aeroporti në një postim në Instagram.
Kufizimet e qarkullimit në të gjithë kryeqytetin pritet të shtojnë më tej trafikun në unazën tashmë të mbingarkuar. Edhe rrugët për këmbësorë rreth qendrës së zhurmshme, ku do të mbahet samiti, do të jenë të kufizuara. /REL/