A pranoi Mickoski “kamp migrantësh” për shërbim të Britanisë!

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka deklaruar se ka biseduar ditë më parë në Tiranë, në Samitin e Komitetit Politik Europian me vende të ndryshme për “qendra kthimi” për azilkërkuesit e refuzuar si pjesë e përpjekjeve për të goditur kalimet me varka të vogla nëpër Kanalin e La Manshit.

    Kjo përpjekje vjen pasi Kryeministri Starmer njoftoi se Qeveria do të fillojë të shqyrtojë mundësinë e dërgimit të azilkërkuesve të refuzuar për përpunim në vende të treta para dëbimit, shkruan e The Times.

    “Kam pasur një sërë diskutimesh me lloj-lloj liderësh këtu sot, diskutime të shumta me liderë të shumtë, përfshirë diskutime për qendrat e kthimit”, u tha Starmer gazetarëve në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Shqipëri.

    “Ne duhet t’i ulim ato shifra dhe mund të shihni se çfarë prioritetesh kemi vendosur për këtë”, u shpreh kryeministri britanik

    Ai tha se qendrat e tilla nuk ishin “një zgjidhje magjike në vetvete”, por do të ishin “një mjet shtesë shumë i rëndësishëm në arsenalin tonë” kur kombinohen me masa të tjera për të luftuar bandat e kontrabandës.

    Ka pasur raportime se Mbretëria e Bashkuar mund të kërkojë marrëveshje me vende në Ballkanin Perëndimor.

    Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i prerë se nuk do të pranojë të jetë mikpritës i këtij plani britanik, duke thënë se vendi i tij ishte “besnik” ndaj marrëveshjes me Italinë.

    Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer, Rama tha se një marrëveshje e tillë u lidh me Italinë falë marrëdhënies mes dy vendeve, por se nuk do të përsëritet as me Britaninë dhe as me ndonjë shtet tjetër.

    Rama pranoi se ka patur kërkesa nga shumë shtete për arritjen e një marrëveshje të tillë.

    E pas këtij “dështimi”, Keir Starmer u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, por në njoftimin për shtyp nga Downing Street e as në deklaratën e kryeministrit, nuk përmendej asnjë diskutim për qendrat e kthimit, por vetëm theksohet për “marrëveshje strategjike” midis Britanisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton The Times.co.uk.

    Madje, të dy kryeministrat, Starmer dhe Mickoski vlerësuan se marrëveshja do të thotë bashkëpunim ende më i fortë, marrëdhënie më të forta dhe mundësi për thellim të marrëdhënieve.

    “Më vjen mirë që patëm rastin të bisedojmë në këtë takim dypalësh. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Kemi marrëdhënie të forta ndërmjet dy vendeve tona dhe fakti që patëm ta nënshkruajmë këtë marrëveshje ndërqeveritare, besoj se është nga vlera e madhe dhe kjo tregon se ne do të zgjidhim shumë punë midis dy vendeve. Kjo me të vërtetë është një mundësi e shkëlqyer dhe gëzohem në këtë takim dypalësh dhe në marrëveshjen dypalëshe. Mendoj se kemi për të bërë shumë së bashku dhe me këtë vetëm do të përparojmë”, u shpreh Starmer pasi shtrëngoi duart me Mickoskin.

    Ndryshe, kryeministri Starmer është zotuar se do të godasë bandat e kontrabandës që sjellin njerëz në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, përfshirë edhe duke shënjestruar rrjetet kriminale jashtë vendit.

    Por masat për të frenuar kalimet e migrantëve nëpër Kanal nuk pritet të sjellin ulje të numrave këtë vit, sipas agjencisë së lajmeve PA.

    Zyrtarët besohet të jenë pesimistë për mundësinë e uljes së numrave këtë vit, me masat që nuk pritet të japin rezultat deri në vitin 2026.

    Lajmi Paraprak

    Diskriminohet Shutka, nuk mblidhen mbeturinat!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë