Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha në një intervistë për “Face the Nation” të CBS se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të pranojë ndonjë marrëveshje paqeje në Ukrainë nëse nuk arrin qëllimin e tij të kahershëm për rindërtimin e perandorisë ruse.
Kujtojmë se delegacionet e rangut më të ulët ukrainas dhe rus u takuan dje në Stamboll, por negociatat nuk sollën përparim drejt armëpushimit apo marrëveshjes së paqes.
Bëhet e ditur se kërkesat e Rusisë mbeten të pandryshuara. Ajo kërkon kapitullimin de facto të Ukrainës – dobësimin e ushtrisë së saj, pranimin e një qeverie kukull dhe dorëzimin e territoreve të pushtuara Moskës.
Gates beson se Putin e sheh Ukrainën si çelësin për arritjen e rindërtimit të perandorisë ruse, përcjell Telegrafi.
“Mendimi im personal, pasi kam punuar me të dhe kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime duke u marrë me Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik, është se Putini e sheh fatin e tij si rivendosjen e Perandorisë Ruse”, tha Gates.
“Dhe siç tha dikur mentori im i vjetër Zbigniew Brzezinski, pa Ukrainën nuk ka Perandori Ruse.”
Ndër tjera, Gates vuri në dukje se Putini ende këmbëngul në pushtimin e plotë të katër rajoneve lindore të Ukrainës – Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhya dhe Kherson.
Përveç kësaj, ai këmbëngul në njohjen e përhershme të kontrollit rus mbi Krimenë, vendosjen e autoriteteve pro-ruse në Kiev dhe që ushtria ukrainase të reduktohet në nivelin e një force policore të zgjeruar.
Putin po kërkon gjithashtu garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, dhe ndoshta jo në Bashkimin Evropian.
Ndryshe, Gates beson se Trump e ndjen se Putini po ngec dhe nuk ka hequr dorë nga asnjë nga qëllimet e tij fillestare në Ukrainë.
“Dhe nuk e di se çfarë mund ta bëjë atë të heqë dorë nga këto objektiva së shpejti.”