Taravari përplaset me Mickoskin: nuk deshëm të jemi dekor në Qeveri!

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi ashpër ndaj largimit të Aleancës për Shqiptarët (ASH) nga Qeveria, duke fajësuar liderin e saj, Arben Taravari, për mungesë koherence dhe përpjekje për justifikim të vendimit të tij, shkruan Nistori.

    Në një deklaratë për mediat, Mickoski tha se Taravari duhet të japë llogari për largimin, duke theksuar:

    “Miqve që më thoshin që sa më shpejt ta largoj nga qeveria unë u thosha, ta lëmë Taravarin të mendohet, të sillet si peshku që kërcen në të thatë, le të mendojë justifikime dhe të shohim se si do të përpiqet ta hedhë topin për fajin që po ikën prej nesh dhe të shoh se si do më shohë në sy pas gjithçkaje si nëpërmes të cilës unë dhe ai si miq kemi kaluar. Turpi është te ai. Ai duhet të sqarohet dhe jo ne. Ne e kemi ndërgjegjen të pastër.”

    Kryeministri nënvizoi se qëllimi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) është të rikthehet në pushtet përmes veprimeve të Taravarit dhe përmes listave të ndara në zgjedhjet lokale:

    “Ajo që BDI-ja kërkon prej tij është që të shkojë vetë me listat e këshilltarëve që të mundet BDI-ja të fitojë më shumë këshilltarë se VLEN, nëse kjo do të ndodhte, edhe pse jam i sigurt se as ajo nuk ndodh. Paramendoni çfarë strategjie. Sikur numri i deputetëve të më bindë mua se duhet t’i marr të BDI-në në qeveri, dhe jo të më bindin parimet, programi dhe qëllimet e përbashkëta. A mendojnë ata se unë do të harroj se si Bujar Osmani e shiti identitetin tim maqedonas?”

    Në anën tjetër, kryetari i ASh-së, Arben Taravari, në një intervistë për televizionin “MCN” në Shqipëri, dha arsyet e vendimit për t’u larguar nga Qeveria, duke theksuar ndjesinë e margjinalizimit dhe mungesës së ndikimit në vendimmarrje:

    “Ne si ASh nuk jemi mësuar të jemi në Qeveri dhe të jemi vetëm dekor aty. Prandaj vendosëm të dalim në opozitë dhe të kthehemi te qytetari dhe të bashkëbisedojmë me ata dhe të përgatitemi për zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor të këtij viti. Jemi 5 muaj para zgjedhjeve lokale dhe mendoj se duhet të mobilizohet partia sepse për ne shumë e rëndësishme është korrja e fitores në zgjedhjet vendore.”

    Taravari gjithashtu kritikoi koalicionin qeverisës për mungesë bashkëpunimi dhe dështim në realizimin e reformave të rëndësishme:

    “Kjo na bëri që ne të sjellim vendimin që të dalim me lista të veçanta për zgjedhjet lokale për këshilltarë komunal, por kjo nuk u pranua kurrë nga partnerët e koalicionit dhe pastaj kishte presione të hatashme ndaj kryeministrit dhe ne vendosëm të shkojmë në opozitë që mos mbetemi vetëm dekor më Qeveri dhe mos realizojmë asgjë prej pikave që i premtuam.”

    Ai shtoi se problemet kanë nisur që nga fundi i vitit të kaluar, ndërsa theksoi:

    “Për shembull ishte rruga evropiane që mbetet e bllokuar, decentralizimi i pushtetit lokal… u shfuqizua mekanizmi i Balancuesit… dhe ne duhej ta sjellim një ligj për përfaqësim adekuat që nga nëntori dhe ja sot është 16 maj dhe ligji nuk është askund. Ndërkohë kishte punësime nëpër institucionet dhe zakonisht punësoheshin maqedonas dhe shumë pak shqiptarë.”

    Taravari përmbylli deklaratën e tij me një urim për partnerët e mbetur në Qeveri, duke nënvizuar suksesin elektoral të ASH dhe mospërputhjet ideologjike brenda koalicionit:

    “Ne bëmë një rezultat shumë të mirë prej 107 mijë votash në zgjedhjet parlamentare… U munduam të jemi bashkë deri për zgjedhjet lokale, por ishte thjeshtë e pamundshme të pranohen ultimatume që të shkohet në zgjedhje siç imponohet prej partnerëve të koalicionit. Partitë tjera vazhdojnë të jenë në pushtet dhe unë ju urojë të kenë suksese të shumta.”

    Përplasja politike mes Mickoskit dhe Taravarit sinjalizon jo vetëm thellimin e ndasive mes partnerëve të dikurshëm, por edhe një fazë të re dinamike në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit.

    Lajmi Paraprak

    Nga myfti në politikë – tani po largohet nga posti i deputetit: ASh devijoi!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë