Nga: Lindsay Baker / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur mbreti Xhejms [James] po kthehej përmes detit për në Skoci, me gruan e tij të re, Anën [Anne] e Danimarkës, udhëtimi u shoqërua me mot të keq – gjë jo e pazakontë për Detin e Veriut, të njohur për stuhitë. Por, mbreti ishte i bindur se djalli dhe agjentët e tij – shtrigat – ishin shkaktarë të stuhisë. Ishte pikërisht ky besim i mbretit që nxiti Aktin për Magjinë në Skoci, të vitit 1563, ndërsa, më pas, gjuetinë e shtrigave.
Nga vitet 1560 deri në vitet 1700, gjuetia e shtrigave përfshiu të gjithë Skocinë, me të paktën katër mijë të akuzuar dhe mijëra të ekzekutuar. Gjatë këtij procesi pati tortura të pashprehshme; ndër metodat e egra dhe mizore u përfshinë pajisje si vidhat për gishtat, “çizmet” që shtypnin këmbët dhe “freni i ‘shtrigave’”.
Në Norvegji dhe në ShBA – ku gjuetia dhe gjyqet për shtriga ndodhën në shkallë të ngjashme, gjatë të njëjtës periudhë – viktimat e ekzekutuara janë përkujtuar. Tani, në Skoci po prezantohet një tartan zyrtar – i cili do të përdoret në kilte dhe në veshje të tjera – për të nderuar viktimat e Aktit për Magjinë.
Ndërkohë, prej disa vitesh, gjithçka që lidhet me estetikën “e shtrigave” po bëhet gjithnjë e më popullore në mbarë botën dhe ndër breza të ndryshëm – WitchTok [në rrjetin social TikTok] vazhdon të rritet me ndjekës dhe shpërndarje; pamja Uiçkor [WitchCore] vazhdon të tërheqë njerëzit; ndërsa romanca me temë shtrigash është një degë në rritje e zhanrit romantazi. Në kinematografi dhe televizion, Practical Magic 2 është në prodhim për t’u lansuar vitin tjetër, ndërsa drama televizive për shtriga, Domino Day, ka qenë një hit. E gjithë kjo reflekton faktin se neopaganët dhe shtrigat moderne janë në rritje. Një shtrigë moderne mund të përfshijë, në praktikën e saj shpirtërore, adhurimin e natyrës, tarotin, magjinë dhe ritualet me bimë dhe kristale. Pjesëmarrja varion nga kujdesi për vetveten dhe fuqizimi personal, deri te angazhimi në grupe fetare si Uika [Wicca].
Sipas Regjistrit Skocez të Tartaneve, modeli i tartanit Shtrigat e Skocisë është një “përkujtimore e gjallë” plot simbolizëm – “e zeza dhe ngjyra gri simbolizojnë kohët e errëta të kësaj periudhe dhe hirin e atyre që u dogjën, e kuqja përfaqëson gjakun e viktimave, dhe ngjyra rozë simbolizon shiritat ligjorë që lidhnin dokumentet, si atëherë ashtu edhe sot”.
Ky është rezultat i një fushate pesëvjeçare nga aktivistet dhe themelueset e podkastit Shtrigat e Skocisë [Witches of Scotland], Zoe Venditozzi dhe Claire Mitchell, të cilat kanë shkruar librin Si të vrasësh shtrigën: Një udhëzues për patriarkatin [How to Kill a Witch: A Guide for the Patriarchy] – një rrëfim mbi gjyqet për magji në Skoci – që publikohet këtë javë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vjeshtë në ShBA. Libri shpjegon se si, siç thotë Venditozzi për BBC-në, “sistemi i besimit dhe ankthi shoqëror i kohës krijuan një stuhi ideale për të gjetur fajtorë të rremë dhe për t’i trajtuar ata në mënyrë të ashpër”.
Në vitin 2022, dy autoret arritën një nga qëllimet e tyre kur kryeministrja e atëhershme e Skocisë, Nicola Sturgeon, kërkoi falje zyrtare për skocezet e ndjekura penalisht në bazë të ligjit për magji, duke e cilësuar si një “padrejtësi kolosale”. Disa gra ministre të Kishës së Skocisë, gjithashtu kanë kërkuar falje.
Tema e gjyqeve për shtriga po frymëzon edhe shumë autorë të letërsisë. Heks [Hex] nga Jenni Fagan rrëfen “një nga momentet më të trazuara në historinë e Skocisë: Gjyqet e Shtrigave të North Berikut”. Romani Ndritshëm digjem [Bright I Burn] nga Molly Aitken, është një tregim mbi gruan e parë në Irlandë të akuzuar për magji. Dhe, thrileri i fundit historik, Të ligjtë e Tokës [The Wicked of the Earth] nga AD Bergin bazohet te gjyqet për shtriga në Njukesël në Angli.
Në Si të vrasësh shtrigën, autoret tregojnë se momenti i udhëtimit të mbretit Xhejms me anije ishte pika prej nga nisi e gjithë historia. “Xhejms VI i Skocisë dhe I i Anglisë pati ndikim të madh në gjyqet për shtriga”, shpjegon bashkautorja Mitchell, e cila është gjithashtu një avokate e specializuar në ligjin penal dhe të drejtat e njeriut. Ndër “provat” për shtrigat përfshiheshin rrëfimet për gra që “lëviznin mbi det me sita” dhe “kërcenin në kishën e North Berikut”.
“Disa vite më vonë, Xhejmsi shkroi librin Demonologjinë [Daemonology] – një udhëzues ‘si të gjesh dhe të përballesh me shtriga dhe shpirtra të tjerë’”. Ky libër u përhap gjerësisht – dhe mesazhi i tij u shpërnda me shpejtësi. Akti për Magjinë kishte për qëllim të vendoste “shenjtërinë” në Skocinë e re protestante, me ligjin që dënonte këdo që dukej se “bashkëpunonte me djallin”.
“Njerëzit ende përndiqen nga ajo që ndodhi”, thotë historiania Judith Langlands-Scott, e cila ka vënë re një rritje të madhe, në vitet e fundit, të interesit për gjyqet e shtrigave. “Mbreti Xhejms ishte i fiksuar pas Biblës dhe besonte se ishte përfaqësuesi i Zotit – dhe ishte i fiksuar me idenë se shtrigat po shumoheshin. Historianët bien gjerësisht dakord se pas vdekjes së nënës së tij [Maria, Mbretëresha e Skocezëve], ai u edukua me bindjen se gratë ishin të dobëta dhe të manipulueshme për shkak të dëshirave të tyre trupore”.
“Në Forfar [në Angus, Skocia Veriore], nga vij unë, kemi mësuar se njerëzit që u akuzuan – shumica gra – ishin zakonisht të moshuara, me aftësi të kufizuara apo të verbra, ose persona me varësi ndaj alkoolit. Ishin njerëz që përbënin një kosto për shoqërinë, që jetonin në margjinë, që ishin të varfër dhe nuk kontribuonin. Komuniteti – i udhëhequr nga famullia presbiteriane – donte të shpëtonte prej tyre”.
“Prikeri i shtrigave” ose “broderi” – i cili kishte përfitime financiare – shpallej vetë si ekspert në identifikimin e shtrigave, thotë ajo. Më i njohuri nga këta, në mes të shekullit XVII, ishte John Kincaid, i cili njihej si gjoja zbulues i “shenjave të shtrigës” dhe ishte i përfshirë në torturimin dhe ekzekutimin e qindra grave të akuzuara. “Të akuzuarat zhvisheshin plotësisht dhe kontrolloheshin përpara një kongregacioni tërësisht mashkullor [për të gjetur ‘shenjat’ e bëra nga djalli], dhe shpesh janë rruar në tërë trupin”.
Sipas Langlands-Scottit, ky ritual poshtërues ishte “psikoseksual, dhe në shoqërinë presbiteriane skoceze të asaj kohe, seksi ishte fiksim”. Kishte gjyqe për magji edhe në Angli, por Langlands-Scott thekson se “Irlanda dhe Uellsi patën vetëm nga një gjyq, pasi ata besonin te zanat, ndërsa në Skoci [besimi] ishte te djalli dhe te kushdo që bënte punët e tij” – pra, shtrigat.
Përkundër detajeve tronditëse në Si të vrasësh shtrigën, ka edhe momente të humorit të zi. “Ne gjithmonë i kemi trajtuar me serioz faktet dhe tmerrin e gjyqeve për shtriga, por sigurisht që përdorim një humor, të errët, për të përballuar aspektet më shqetësuese apo irrituese të asaj kohe”, thotë Venditozzi. “Ky libër gjithmonë ishte menduar si një pasqyrim i personaliteteve tona, jo si një vepër historike. Të mbijetosh si grua, ndonjëherë do të thotë të jesh në gjendje të shohësh humorin edhe në situata të tmerrshme”. Pompoziteti i gjuetarëve të shtrigave – me metodat e tyre të çuditshme dhe imagjinatën e sëmurë – shpaloset qartë.
Gjithë sistemi, në fund të fundit, ishte absurd. Siç thotë Venditozzi: “Ishte një mashtrim i zgjuar, apo jo? Shoqëria fajësonte gratë – sepse ato konsideroheshin aq të dobëta, saqë djalli arrinte t’i përvetësonte dhe të futej në të mbathurat e tyre, ndërsa rrëfimet e tyre për këtë ishin shpesh tejet të hollësishme. E gjithë kjo për të justifikuar çfarë po u bënin. Është çmenduri”! Autoret nuk janë të vetmet që shohin anën humoristike – seriali komik The Witchfinder e shfrytëzon absurdin e ndjekjes së shtrigave, duke përdorur humor të zi.
Libri gjithashtu shpërbën disa keqkuptime rreth asaj epoke, përfshirë praktikën e “djegies në turrën e druve”, thotë Venditozzi. “Është një karikaturë. Ato vërtet digjeshin, por zakonisht fillimisht mbyteshin dhe më pas hidheshin mbi zjarr për të zhdukur trupin, që djalli të mos mund ta ringjallte atë dhe që të mos mund të shkonin në Parajsë”. Kjo ishte një shtresë shtesë e mizorisë, thotë Langlands-Scott: “Të digjej trupi që të mos mund të ringjallej në ditën e gjykimit, çdo shpresë për t’i shpëtuar vuajtjes do të shuhej plotësisht – pasi të akuzuarat e dinin se po shkonin drejt vdekjes”.
Autoret pranojnë se ka pasur një rritje të interesit për gjyqet e shtrigave – podkasti i tyre tërheq miliona dëgjues nga mbarë bota. Cili ka qenë reagimi i shtrigave të sotme moderne ndaj fushatës së tyre? “Kemi mbështetje dhe interes të madh nga shtrigat moderne”, thotë Venditozzi. “Çështja kyçe është se ne mbështesim këdo që dëshiron të praktikojë besimet e veta, por njerëzit duhet të kuptojnë se ‘shtrigat’ e asaj periudhe nuk ishin nën kontrollin e djallit dhe, në fakt, ishin thjesht njerëz të zakonshëm të kapur në një kohë të jashtëzakonshme. Shtrigat moderne kanë empati për fatin e të akuzuarave, pasi edhe ato vetë ndonjëherë përjetojnë izolim dhe diskriminim. Megjithatë, shtrigat moderne nuk janë të njëjta me ato që u akuzuan gjatë gjyqeve të shtrigave në Skoci”.
Meqenëse Uiçkori po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar, a jemi në rrezik që të romantizojmë torturat dhe vuajtjen brutale të njerëzve të pafajshëm në histori? “Jo”, thotë Mitchell. “Magjia moderne ose WitchTok është shumë ndryshe nga krimi i magjisë para qindra vitesh. Njerëzit që identifikohen sot si shtriga nuk pretendojnë se janë ‘agjentë të djallit’ që bëjnë të keqen në shoqëri. Ideja moderne e një shtrige është shumë larg nga përkufizimi historik”.
Langlands-Scott shprehet ndryshe: “Njerëzit janë plotësisht të lirë të bëjnë çfarë të duan, dhe shtrigat moderne nuk përpiqen të përvetësojnë si pjesë të tyre njerëzit që u ekzekutuan para qindra vitesh. Të akuzuarit ishin të krishterë – ndonëse u konsideruan paganë dhe heretikë; shumica prej tyre në gjyqet e Forfarit të vitit 1662 [ku 42 njerëz vendas u burgosën dhe u torturuan] ishin katolikë. Kisha Presbiteriane donte një shoqëri të pastër dhe të perëndishme pas largimit të [Oliver] Cromwellit nga Skocia në vitin 1651. Ata ishin njerëz të zakonshëm, disa prej të cilëve mund të kishin praktikuar ndonjë magji popullore, por nuk kishin kryer krime”.
Autorja Margaret Atwood ka thënë se gjyqet e shtrigave të Salemit janë ngjarje që përsëriten vazhdimisht gjatë historisë – kur kulturat përballen me stres. A pajtohet Venditozzi? “Pa dyshim – kur Atwood shkroi veprën Rrëfenja e Shërbëtores [The Handmaid’s Tale], ajo tha se të gjitha gjërat që përshkruan në të kanë ndodhur vërtet në kulturën perëndimore, dhe ajo e tha këtë në vitet ’80 [të shekullit XX]. Ishte shumë parashikuese. Rrota kthehet, por nuk ndryshon shumë”. Në Si të vrasësh shtrigën përmendet një pastor bashkëkohor në ShBA që paralajmëron praninë e shtrigave në kongregacionin e tij. Po ashtu përfshihet edhe një seksion për organizatën Avokim për Shtrigat e Supozuara që “kërkon dhe promovon dhembshuri, arsyetim dhe shkencë për të shpëtuar jetën e atyre që preken nga besëtytnia”.
Tartani Shtrigat e Skocisë është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe kuptimin, thotë Mitchell. “Është shumë e rëndësishme të kujtojmë historinë tonë dhe të nxjerrim mësime prej saj: Skocia qëndron shumë keq në krahasim me vendet e tjera që i kanë përkujtuar ato që u akuzuan si shtriga”.
Pra, çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot nga historia e gjyqeve për shtriga? “Të mos e përdorim fajësimin e anëtarëve të pambrojtur apo të izoluar të komunitetit, si një mënyrë për të forcuar besimin dhe sigurinë publike”, thotë Venditozzi. “Megjithëse gjyqet për shtriga ndodhën para qindra vitesh, ne ende shohim shpesh ndonjë valë fajësimi ndaj grupeve të margjinalizuara në kohë të pasigurisë sociale. Claire dhe unë jemi optimiste”.
Edhe Langlands-Scott është optimiste. “Fakti që ka një valë të fortë interesi për të nxjerrë të vërtetën në dritë – dhe që ka pasur kërkimfalje – kjo është një arsye për optimizëm. Janë kryesisht gratë ato që po kërkojnë falje dhe mendoj se kjo është një mënyrë për të rikthyer faktin se ishin kryesisht gratë ato që u torturuan dhe u gjykuan. Është pothuajse si t’ua rikthejmë zërin; ne gratë duke ua dhënë zërin e munguar, si dhe një paralajmërim për të tashmen në lidhje me atë që mund të ndodhë”. /Telegrafi/