SKENA POLITIKE SHQIPTARE E “ÇORODITUR” / Largime, revolta dhe akuza për tradhti

    Pas dorëheqjes së deputetit të ASh-së Salim Sulejmani dhe pas qëndrimit të zv/kryeministrit Arben Fetai kundër braktisjes së qeverisë, mbetet e paqartë se si do të jetë konstrukti i kësaj qeverie, sidomos përfaqësimi i shqiptarëve në ekzekutiv. Përfaqësues të VLEN-it vazhdojnë të theksojnë se numri i deputetëve që do të kalojnë në anën e pushtetit do të vazhdojë të rritet. Një qëndrim të tillë e jep edhe ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani.

    I pyetur nëse ka ndonjë informacion për deputetë të tjerë, që mund t’i bashkoheshin koalicionit VLEN, potencoi se do të vazhdojë revolta midis të gjithë mbështetësve, simpatizantëve dhe zyrtarëve në krahun e ASH-së së Arben Taravarit. Sipas tij, trendi i largimit të deputetëve do të vazhdojë.

    “Zhvillimet e fundit që po i shohim tek Aleanca për Shqiptarët, e kryesuar nga zotëri Taravari, shfaq faktin se vendosmëria dhe insistimi për të mos përfunduar në përqafimet e Ali Ahmetit është shumë më e madhe se sa kalkulimet e zotëri Taravarit. Sipas të gjitha informacioneve që i kemi ne, ky revolt do të vazhdojë edhe më tepër dhe do të materializohet, sepse është një insistim për ta sjellë edhe më tej ndryshimin në skenën politike në Maqedoni, e jo për të rikthyer një strukturë kriminale për të cilën ne të gjithë kemi pasur konsensus se duhet të shkojnë në opozitë dhe të ballafaqohen me ligjin.”, theksoi ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.

    MICKOSKI: NË ZGJEDHJE LOKALE DO TË KEMI DY BLLOQE

    Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, ndryshe nga zyrtarët e koalicionit VLEN u tregua më i përmbajtur kur u pyet se a janë qartësuar gjërat se kush do të ngelet dhe nëse do të ketë transferime të deputetëve nga opozita. Ai shkurtimisht tha se politika është art i së mundshmes. Megjithatë, ai konsideron se ata që dalin nga qeveria janë partner me krimin, ndërsa paralajmëron se në zgjedhjet lokale do të ketë vetëm dy blloqe, njëri bllok i kryesuar nga BDI dhe tjetri bllok i kryesuar nga VMRO-DPMNE, ku qytetarët do të mund të përzgjedhin nëse janë me politikat e kësaj qeverie apo jo.

    “Politika reale është art i së mundshmes dhe unë jam i vetëdijshëm për atë. Këtë javë më shumë gjëra do të jenë të qarta. Megjithatë, një gjë e qartë, se në më pak se pesë muaj nga fushata e zgjedhjeve lokale janë të definuara dy blloqe. Blloku i parë është boll i krimit, korrupsionit, turpit dhe plaçkitjes, të cilit fatkeqësisht Arben Taravari vendosi ti kyçet dhe blloku i dytë është blloku i qytetarëve të ndershëm, në të cilin nuk luhet futboll në zyrët e ministrive”, theksoi Mickoski.

    Por se a do të mbetet Arben Fetai zv/kryeministër për qeverisje të mirë, kjo gjë akoma nuk dihet. Kryeministri Mickoski vlerëson se për këtë çështje do të vendos pas takimit me krerët e VLEN-it, i cili pritet të ndodhë gjatë kësaj jave. “Unë pres që të takohem me njerëzit që janë në VLEN dhe të diskutojmë për ardhmërinë e qeverisë dhe koalicionit, me një program të qartë deri në zgjedhjet lokale dhe më pas. Ashtu që shumë gjëra do të qartësohen gjatë kësaj jave”, theksoi kryeministri Mickoski.

    TARAVARI: RRUGA E ARBËRIT NUK KALON NGA QEVERIA QË TË QUAN 20%

    Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i është përgjigjur përmes një statusi në rrjetet sociale, zv.kryeministrit Arben Fetait, i cili një ditë më parë përmes një video-porosie, tha se rruga e ASH-së nuk kalon asnjëherë nga Ali Ahmeti. “Rruga e Arbën Xhaferrit nuk kalon nga Qeveria që të quan 20%. Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke kërcënuar me burgje shqiptarët! Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit për të shkuar ambasador në Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”, theksoi Taravari.

    Përndryshe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, duke iu përgjigjur me shkrim zhvillimeve aktuale pas largimit të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni qeveritar, theksoi se ata nuk janë vetëm mbështetës të një partie, por mbrojtës të një kauze dhe një ideali që nuk është shitur apo përkulur kurrë.

    Në letër, ai i referohet BDI-së, duke thënë se ata nuk do ta lejojnë atë parti të kthehet sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe se duhet të përballen me të vërtetat që i kanë shmangur për dy dekada. Fetai thotë se kjo nuk ka të bëjë me një individ, por me dinjitetin e përbashkët dhe se zëri i tij është “zëri i Aleancës që nuk dorëzohet, nuk shitet dhe nuk ka frikë”.

    Ndërkohë, dorëheqje nga pozita e zëvendës ministres së mbrojtjes ka dhënë Elfete Ismaili, e cila është kuadër i ASh-së së udhëhequr nga Arben Taravari. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Historia e butonit “Like” – Facebook nuk e shpiku, por pushtoi internetin me shpejtësi

    Lajme tjera

    Moti për sot

    Moti gjatë ditës së sotme do të jetë me diell dhe me vranësira mesatare lokale. Do të fryjë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë