Qeveria sot pranoi marrëveshjen me qeverinë britanike për partneritet strategjik dhe autorizoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski ta nënshkruajë në ceremoni në Londër të enjten.
Në delegacionin qeveritar do të jenë edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Hekurudhave- Infrastruktura, Sinisha Ivanovski.
Nikolloski e përshkroi marrëveshjen si historike dhe tha se ajo do të mbulojë projekte në fusha të shumta. Ai theksoi se qeveria nuk do të ketë afat specifik deri në të cilin do të duhet të zbatojë projektet e financuara me fonde nga Mbretëria e Bashkuar.
“Sa kohë janë në dispozicion fondet? Është kohë e pakufizuar. Kohëzgjatja fillestare e marrëveshjes qeveri me qeveri është 10 vjet, me mundësi të zgjatjes. Flas për 10 vjet për të filluar një projekt, jo për 10 vjet për ta përfunduar, por nëse të dyja palët bien dakord kurse nuk shoh asnjë arsye pse të mos jemi në marrëdhënie të mira me Mbretërinë e Bashkuar pas 10 viteve, kjo do të vazhdojë dhe kjo është kornizë standarde për marrëveshje qeveri me qeveri. Sa i përket projekteve, këto janë çmimet e përafërta – ndërtimi i hekurudhës nga Tabanoci në Gjevgjeli duhet të kushtojë rreth 1.9 deri në 2 miliardë euro, ndërsa ndërtimi i Spitalit Klinik në Shtip, Fakultetit të Mjekësisë në Shtip, konvikti studentor në Shtip, rindërtimi i plotë i Spitalit Klinik në Tetovë dhe ndërtimi i një spitali të ri me qendër shëndetësore në Kërçovë, pra pesë projekte, duhet të kushtojnë diku rreth 200 milionë euro, që do të thotë se po flasim për kornizë që do të ishte diku midis 2.1 dhe 2.2 miliardë euro fillimisht që do të shpenzoheshin”, deklaroi Aleksandar Nikolloski, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Transportit dhe Lidhjeve. /Alsat/