Punësimet e muajve të fundit në Entin Shtetëror të Statistikave e kanë thelluar edhe më tej hendekun e përfaqësimit të drejtë etnik. Pas 14 vendimeve të miratuara për punësime të reja (maqedonas) kanë vijuar punësime me kontrata për dhjetëra punonjës të tjerë, mes të cilëve vetëm një shqiptar.
Ndërkohë, dy punonjës shqiptarë janë larguar nga ky institucion, duke e lënë shumë poshtë përqindjen e përfaqësimit, nën 20 për qind. Kjo situatë, me ulje – ngritje të vogla mbetet e pandryshuar prej disa vitesh, pavarësisht emërimeve të zëvendësdrejtorëve shqiptarë, të cilët nuk ka sjellë asnjë ndryshim në përfaqësimin vertikal, por edhe të numrit të tyre të përgjithshëm. Një këshilltar, ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht bashkëpunëtorë të rinj, apo referentë. Prej rreth katër muaj, në postin e zëvendësdrejtorit të ESHS është ulur Gazmend Aliu (nga Alternativa).
I pyetur nga Koha, Aliu nuk ka komentuar punësimet e muajve të fundit. Në muajin janar të këtij ESHS ndau vendime për avancimin e 23 punonjësve si këshilltarë, bashkëpunëtorë të lartë…, por pa e ndryshuar aspak pasqyrën e përfaqësimit të drejtë etnik. Mes tyre numëroheshin vetëm dy shqiptarë. Në fund të muajit mars me përsëritjen e konkursit (të vitit 2024 ku në kohë të pacaktuar parashihej të punësoheshin 14 persona, 10 prej të cilëve shqiptarë) u dhanë vendime për punësimin e 14 punonjësve të rinj – të gjithë maqedonas.
“Njerëzit vazhdojnë të largohen, pasi avancimi është i vështirë, zgjat me vite tek shqiptarët. Disa vazhdojnë të presin, ndërsa të tjerë zgjedhin të largohen”, thotë një i punësuar.
Një tjetër punonjës shqiptar shprehet se situata në vend që të përmirësohet sa vjen bëhet edhe më e keqe. “Kam gjithë këto vite në këtë institucion dhe e shoh se lëvizjet në pozicione drejtuese për ne shqiptarët janë në vendnumëro. Një pozicion drejtues, këshilltar dhe kaq. Zëvendësdrejtorët vijnë dhe ikin ne mbetemi aty ku kemi qenë”, thotë një punonjës.
Vërejtjet për përfaqësimin e zhdrejtë etnik ESHS i ka shpërfillur. Duke iu referuar Raportit të fundit të Avokatit të Popullit (i publikuar në fund të muajit nëntor) në vendet udhëheqëse të punës nga gjithsej 31, vetëm 1 është shqiptar, ndërsa figurojnë 27 maqedonas, 2 serbë.
“Duke krahasuar të dhënat e vitit të kaluar dhe të dhënat nga viti raportues nga organet e pavarura shtetërore dhe institucionet e posaçme publike dhe subjektet e tjera juridike, mund të konstatojmë se në këto institucione numri i të punësuarve është rritur për 1657 persona në krahasim me vitin e kaluar, por vetëm në një pjesë të vogël të institucioneve ka pasur progres sa i përket zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, thuhet në pjesën ku përfshihet Enti Shtetëror i Statistikave.