Në dallim nga periudha e pandemisë, kur laboratorët privatë arritën kulmin e punës dhe të rezultateve financiare, gjatë vitit të kaluar është shënuar një rënie pothuajse në gjysmë e fluksit të pacientëve dhe analizave të ndryshme të kryera në to. Laboratori Avicena, që vepron në Shkup dhe Tetovë, në vitin 2024 ka realizuar të ardhura prej 3.7 milionë euro. Ndërkohë, në vitin 2019, ky laborator kishte të ardhura prej 2.2 milionë eurosh dhe fitim prej mbi 175 mijë eurosh, ndërsa në vitin 2020 të ardhurat u dyfishuan, duke arritur në 4.6 milionë euro, me një fitim prej 1.5 milionë euro. Më tej, në vitin 2021, të ardhurat arritën në 7 milionë euro.
Edhe rezultatet e kompanive të tjera të diagnostikimeve tregojnë një trend rënës në veprimtarinë e tyre. Sipas llogarive përfundimtare të Biotek, e cila operon me pesë lokacione në Shkup, viti 2020 është mbyllur me të ardhura prej 2.8 milionë euro dhe fitim neto prej 1.5 milionë euro. Në vitin 2024, kjo kompani realizoi xhiro prej 2.3 milionë eurosh dhe fitim mbi 400 mijë euro. Të dhënat krahasuese tregojnë se Biotek ka realizuar tri herë më pak xhiro në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, kur kishte qarkullim prej mbi 6 milionë euro.
Sipas llogarive përfundimtare, laboratori Sinlab, me katër lokacione në Shkup dhe nga një në Tetovë e Manastir, kishte të ardhura prej 1.8 milionë euro në vitin 2019, të cilat u rritën në 2.4 milionë euro në vitin 2020. Fitimi gjithashtu u rrit ndjeshëm, nga 94 mijë euro në 432 mijë euro – pothuajse katërfish. Megjithatë, në vitin 2024, xhiroja ra në 2.7 milionë euro, ose mbi një milion euro më pak krahasuar me tre vite më parë.
Rënie më të theksuar të punës ka shënuar Nikob Lab. Në vitin 2024, të ardhurat e tij ishin vetëm 63.9 mijë euro, me fitim afër 10 mijë euro, që përfaqëson një përgjysmim të aktivitetit krahasuar me vitin 2023. Ndërsa gjatë pandemisë, në vitin 2021, ky laborator kishte xhiro prej 4 milionë euro dhe fitim afër 1.5 milionë euro.
Qytetarët e Maqedonisë kishin shpenzuar mbi 16 milionë euro deri në muajin gusht 2021 në institucione private shëndetësore për të verifikuar nëse ishin të infektuar me COVID-19. Testet PCR, testet për antitrupa, D-dimerët dhe paketat shëndetësore pas-COVID ishin ndër shërbimet më të kërkuara në laboratorë dhe spitale private. Gjatë pandemisë, pritja për një termin përmes “Termini im” për këto kontrolle mund të zgjaste më shumë se një javë, ndërsa laboratorët dhe klinikat private, që ishin më të azhurnuar në shërbime, tërhiqnin pacientët me dhënie të shpejtë të rezultateve dhe informacion mbi gjendjen shëndetësore. Frika e sjellë nga COVID-19 i detyroi qytetarët e Maqedonisë të “zhyten thellë në xhepa”, duke paguar shpesh më shumë për të marrë informacion të shpejtë nëse ishin pozitivë apo jo.
Biznesi i laboratorëve mjekësorë “lulëzoi” veçanërisht gjatë verës së vitit 2021. Kapaciteti i laboratorëve për testet PCR ishte dyfishuar gjatë asaj vere krahasuar me fillimin e vitit. Nëse muaj më parë kryheshin rreth 3,500 teste në ditë, në gusht 2021 u shënua rekord me 7,647 teste të kryera brenda një dite – më 8 gusht. Kjo ndodhi për shkak të rregullave dhe protokolleve të vendosura për udhëtimet ndërkombëtare, pasi disa shtete evropiane nuk pranonin certifikatat maqedonase të vaksinimit dhe kërkonin test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Që nga fillimi i pandemisë e deri në muajin gusht 2021, numri i përgjithshëm i testeve PCR për COVID-19 kishte tejkaluar një milion. Liderë në këtë periudhë pandemike ishin 12 laboratorët privatë, të cilët kishin kryer afërsisht gjysmë milioni teste PCR, ndërsa në institucionet shtetërore ishin realizuar gjithsej 329,394 teste PCR, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik. Përveç këtyre, mbi 200 mijë teste të tjera ishin teste të shpejta të antigjenit, të cilat ishin kryer në institucione shëndetësore si publike ashtu edhe private. /Koha/