Elmedina Shafi Berzat
Komunikologe
Njerëzit përreth, por edhe një numër i konsiderueshëm në botën virtuale, ankohen shpesh për shpejtësinë me të cilën kalon koha. Për shumëkënd, ora ka mbetur në vitin 2019. Disa të tjerë besojnë se nga viti 2025 ky ritëm do të normalizohet.
Nga kërkimet sipërfaqësore, ose më saktë nga një kërkim i vetëm që sistemon algoritmin në mënyrë që të të nxjerrë në pah vetëm spektrin e interesit tënd, gjen edhe nga ata që tentojnë të shfaqin zbulime shkencore se gjoja bota rrotullohet më shpejt, koha kalon më shpejtë e gjithfarë qëndrimesh të pabazuara.
Kërkojmë arsyen e ndryshimeve drastike që kanë ndodhur në pesëvjeçarin e fundit – në gjithçka përveçse në elementin kyç: zhvillimin e pakontrolluar, të pakapshëm të komunikimit.
Autori francez Gustav le Boni, në librin e tij “Psikologjia e popujve dhe e turmave,” kur flet për shfaqjen dhe përhapjen e ideve, qoftë edhe të atyre shkencore, thotë se, në kohën kur ai bëri analizën, duheshin 25 vjet që masa të përqafojë një ide ose një fakt shkencor.
Dhe sërish i referohet ritmit të komunikimit në atë kohë, të cilin e sheh si të shpejtë, të avancuar.
Le Boni botoi këtë libër rreth 130 vjet më parë. Nëse marrim të mirëqenë që atëbotë duheshin njëzet e pesë vjet për të përqafuar një ide, imagjino sa mund të duhen sot – me këtë zhvillim marramendës të komunikimit.
Komunikimi në përgjithësi, dhe digjitalizimi në veçanti, kanë lulëzuar masivisht në vitet e fundit. Sisteme të ndërtuara ndër shekuj po përjetojnë ndryshime rrënjësore. Mënyra e informimit është transformuar thuajse krejtësisht, format tradicionale po shemben.
Dhe e gjithë kjo mori një jehonë të madhe, u pa dhe u dëgjua kur bota ngadalësoi hapin, ra një pandemi, mbylli individin në dhomë, ia la në dorë një mjet komunikimi, pak para elektronike, dhe i tha: “Rri këtu! Dëgjo direktivat e mia online. Porosit ushqimin online. Bëj çdo kërkesë tjetër jetike online. Sepse takimi fizik rrezikon shëndetin tënd.”
Gjithçka është në rregull deri këtu – është faza e komoditetit të individit. Njeriu do komoditetin. Jemi të prirur drejt lehtësisë.
Por natyrisht, kjo nuk mund të zgjaste përjetësisht. Dhe duhej një dalje – vaksina. Një vaksinë u zhvillua në kohë të shkurtër, kaloi fazat e testimeve dhe doli në treg me shpejtësi. Kishte – dhe ende ka skeptikë. Por masa e pranoi shpejt. U arrit kuota e duhur e të vaksinuarve. Dolëm nga pandemia.
Tani, mos ndoshta komunikimi i zhvilluar ka “shkurtuar” kohën që masës i duhet për të përqafuar një zhvillim të ri?
Kjo do të përfaqësonte një dimension të ri në mënyrën se si i shohim gjërat – dhe ndoshta për këtë arsye koha na duket sikur kalon me ritëm marramendës.
Le Boni, kur flet për përhapjen e ideve, thotë se ata që sjellin idenë e re, aktivizojnë disa “apostuj” me autoritet në komunitet, të cilët më pas krijojnë apostuj të rinj që e përhapin idenë më tej, derisa ajo kalon nga vetëdija në nëndije – dhe nuk ka më logjikë pas saj, por imitim.
Koncepti i parajsës dhe i ferrit – ide që nuk durojnë kritikë shoqërore – janë ndarje fikse: pranim ose refuzim.
Shoqëria e sotme, falë komunikimit të zhvilluar, është në vazhdimësi në një fazë imitimi. Dhe për këtë arsye, autenciteti është ai që kërkohet më shumë – dhe që mungon më shumë.
Imitimi i vazhdueshëm, edhe në mesin e “apostujve autoritarë”, bën që ide të reja të shfaqen vazhdimisht, të përhapen në mënyrë infektive dhe të kalojnë me shpejtësi te masa.
Dhe ja ku është ky “infektim”, me një fazë inkubimi të shkurtër, që krijon një individ konfuz – të ngarkuar me informacione sipërfaqësore, por pa bazë të qëndrueshme.
Çdo aspekt i jetës po ndikohet nga idetë e reja. Masa po i imiton ato, i sjell brenda në familje, i përqafon dhe i shpërndan. Dhe ja – koha kalon shpejt. Sepse nuk ka përqafuar vetëm një ide, nuk ka pasur kohë për ta analizuar dhe shqyrtuar atë dalëngadalë – thjesht e ka përqafuar dhe ka kaluar te ajo e radhës. Dhe koha është relative.
Po të marrim të mirëqenë teorinë konspirative se që nga viti 2025 “do të ngadalësohet ecja e kohës”, mund të themi se ndoshta edhe do të ngadalësohet – mirëpo jo për arsye shkencore, por shoqërore.
Individi u mësua me këtë ritëm, e bën goxha konfuz, dhe ka filluar të ngrejë pyetje, të rrëzojë konceptin e parajsës e të ferrit. Dhe kjo do të nxjerrë në vijë të parë ato që Le Boni i quan “ide të vjetra të pakontestueshme” – kthimin te gjeneza.
Do të duam të përqafojmë një ide, një formë, një drejtim – në vend të qindra mundësive që ofron rrjeti. Dhe për të ndjekur një rrugë të vetme, disa shoqëri do të kthehen drejt asaj që e njohin: tradicionales, fetares ose shkencores – në varësi të kontekstit.
Ndërsa të tjerat do të mbeten qendrat ku maten ndikimet e zhvillimeve të kohës.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.