PROF.DR. ELMAS LECI
Sa herë tek ne punët bëhen keq, “njerëzit e vjetër” kujtojnë Enverin apo kohën e tij, një frymë ndonëse pa shpirt, ende ka mbetur. Kjo tregon se Enver Hoxha dhe propaganda e tij vit pas viti e kanë evidentuar “frymën” me një lloj ideologjie, që asnjëherë, edhe në kohën e largqoftit, asnjëherë nuk u bë ideologji, por që gradualisht mori emrin e ideatorit të saj Enver Hoxhës – enverizëm. Them dhe argumentoj se gjithçka tregon se enverizmi është i pranishëm në shoqerinë tonë, veçanërisht te partitë politike dhe gjasat thonë se mund të bëhet i rrezikshëm për Shqipërinë e integruar në NATO dhe në dyert e Bashkimit Europian. Dhe gjasat janë që ethet të vazhdojnë, sherrnaja të vijojë.
Enverizmi u injektua gradualisht në Shqipëri. Ai e ka bazën fillimisht tek egoizmi i Enver Hoxhës për t’u dukur, për të tërhequr vëmendjen, për t’u vlerësuar, për të qenë vetëm ai, vëmendja. Më pas këtë e krijoi vetë partia dhe ajo e injektoi te popullata. Ka vendim të posaçëm që gjatë luftës për propagandimin në popull të figurës së Enver Hoxhës. Më pas krahas figurës u propagandua edhe vepra e tij. Atëherë në vitet e luftës kjo u duk normale, më pas u bë virale dhe pastaj u kthye në “frymë”, që duhet të përçohej tek e nga çdo person me dëshirë apo me dhunë. Arriti saqë edhe çdo letër që i dërgoje udhëheqjes, në të shënohej se “siç ka thënë shoku Enver…”. Ja, ky shkurtimisht ishte enverizmi. Enverizmi në Shqipëri në periudhën komuniste ishte më i fuqishëm se ideologjia që ata përfaqësonin, veçanërisht kjo pas viteve 1960. Po përse ndodhi kështu kur kudo në vendet ku sundonin Partitë Komuniste, flitej e veprohej sipas ideologjisë marksiste – leniniste dhe në Shqipëri për atë “virusin” shkatërrues flitej pak ose “vakët”. Kjo ndodhi për dy arsye. Arsyeja e parë, sepse marksizëm-leninizmi në Shqipëri nuk gjeti truall rritje, nuk pati kushtet që kërkonte një ideologji si ajo për t’u “shumuar”.
Së dyti, pas ndryshimit të emrit të partisë nga “parti komuniste” në “parti e punës”, e “menderosi” fare Stalini dhe ideologjia as u njoh as u zbatua. Kishte edhe një arsye tjetër, që ishte edhe më madhore, se Enver Hoxha vetë dhe të gjithë ata që drejtuan Partinë Komuniste ishin pa shkollë, pa dije, pa horizont, më shqip nuk dinin të argumentonin një koncept teorik marksist apo leninist, pa le pastaj ta zbërthenin e ta konkretizonin me popullin e terrenin shqiptar. Teoricieni më i madh që doli dhe ai pa shkollë të lartë ishte vetë Enver Hoxha. Të tjerët bënin “amin o hoxhë” veçse theksonin ama, “siç ka thënë shoku Enver…”. Ky ishte enverizmi, kjo ishte fryma, që pushtoi Shqipërinë. Dhe jetoi enverizmi sa ishte gjallë Enveri, por edhe pas Enverit. Kemi si ndarje dy periudha: Enverizmi me Enverin dhe Enverizmi pa Enverin.
Ideologjia enveriste në Shqipëri, për afro gjysmë shekulli ishte mbisunduese. Të tillë e bënin atë masat shtrënguese të aplikuara nga e vetmja parti, që ishte ajo e Enver Hoxhës. Quhej komuniste apo e punës, quheshin komunistë anëtarët e saj paçka se emrin partia e kishte ndryshe. Pas emrit fshiheshin shumë gjëra, por ajo nuk ishte as komuniste as e punës, veçse parti terroriste, e shfrytëzimit dhe e sakatimit të njeriut. Ideologjia e saj ishte vetëm deviza, “siç ka thënë shoku Enver” dhe kjo ishte një ideologji e pashpallur, e cila quhej enverizëm. Enverizmi ka ekzistuar në Shqipëri pothuajse gjysmë shekulli. Po duhet të dallojmë apo të saktësojmë një gjë, ishte ideologji apo praktikë?! Në konceptin e mirëfilltë enverizmi nuk ishte ideologji sepse sipas të gjitha kalkulimeve, enverizmi nuk ishte as diktaturë e proletariatit, por ishte thjesht një diktaturë e një feudali “anadollak”, i cili jetonte e shfaqej me kostum modern, por që për pushtetin e tij personal, kushdo që ia cenonte i priste kokën. E kjo ndodh vetëm në diktaturë dhe nga diktatorë. Nuk ka ideologji, kur ka persekutime e dënime me e pa gjyqe dhe “pa ligje”, me dënime e ekzekutime, me të kallur në dhe’ e pa varre. Ideologjia është frymë, është bindje, e cila bazohet në disa parime. Po ku kishte parime Enver Hoxha?!
Enver Hoxha kishte diktim nga “pozita e njëshit”, kishte dhunë, nëse i cenoje pushtetin personal, kishte dënime të rënda, nëse i shaje qeverisjen, kishte pushkatime e varje, në se nuk ishe dakord me “Zeusin”. “Enverizmi, – shkruan sociologu Ergys Mërtiri – është përpjekur të marrë në referencë trashëgiminë kulturore, si një mjet legjitimimi. Regjimi komunist ngriti një sërë institucionesh dhe projektesh, të cilat kanë trajtuar trashëgiminë kulturore shqiptare. Ai krijoji Institutin e Kulturës Popullore, si një aneks i Akademisë së Shkencave, në kuadrin e studimeve albanologjike, të cilat do të shtrojnë rrugën për studimin e kësaj trashëgimie. Gjithashtu, në funksion të lidhjeve të saj me popullin, ai ngriti Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, të pasuar nga një sërë grupesh artistike në fshatra e qytete në të gjithë vendin, si dhe ngriti një sërë muzeumesh etnografike në qytete të ndryshme. Të gjitha këto në dukje i kanë shërbyer rritjes së pranisë etnokulturore në shoqëri, por qëllimi i vërtetë për të cilin kanë funksionuar institucione të tilla, i shprehur në vetë raportet, udhëzimet dhe studimet e tyre, ka qenë në funksion të ndërtimit të njeriut të ri dhe afrimit të njerëzve me ideologjinë zyrtare. Këto institucione kanë shërbyer për transformimin e kulturës popullore, në funksion të interesave ideologjike të pushtetit monist. Ato nuk kanë pasur për qëllim të studiojnë dhe promovojnë kulturën e vërtetë shqiptare, të trajtuar në mënyrë objektive, por janë përpjekur të prodhojnë një trashëgimi artificiale, e cila ka çuar ujë në mullirin e luftës ideologjike të klikës në pushtet”.
1). Studimet albanologjike, duke përfshirë studimet etnologjike, etnografike, folklorit etj., e për rrjedhojë edhe materialet artistike të vëna në skenë nga trupat e ansamblit dhe grupet artistike lokale, janë përpjekur të ideologjizojnë trashëgiminë kulturore, në llogari të propagandës komuniste. Ato janë përpjekur ta zhveshin këtë trashëgimi nga elementët thelbësorë të shoqërisë tradicionale si struktura klasore, përkatësitë lokale, fetare e kulturore, sistemin vleror etj.. Ashtu si edhe historia, folklori dhe vlerat tradicionale janë parë në mënyrë selektive, duke i zhveshur nga thelbi i tyre i vërtetë e duke u arnuar me elementë ideologjikë si psh., lufta e klasave, kolektiviteti etj.. Këto studime kanë grumbulluar materialin bazë mbi të cilin ideologjia ka mundur të prodhojë identitetin e ri të shqiptarëve, për të krijuar “njeriun e ri” dhe “Shqipërinë e re”.
Ato kanë shërbyer në funksion të zhdukjes së një pjese të mirë të traditave, në emër të luftës ndaj të ashtuquajturave “zakone prapanike”, për të bërë të mundur rrënimin e strukturës sociale tradicionale, në funksion të kolektivizimit shoqëror komunist. E gjithë kjo është shoqëruar me një propagandë intensive nëpërmjet shkollave, mbledhjeve në ndërmarrje, mediave e kinematografisë, të cilat i kanë shërbyer konstruktimit të identitetit të ri shqiptar. Njeriu i ri mund të krijohej vetëm nëpërmjet prishjes së strukturës klasore ekzistuese, nëpërmjet ërmbysjes së strukturave të prodhimit dhe eliminimit të pronës private. Në vend të kësaj, boshllëkun do ta mbushte aparati burokratik shtetëror, i kontrolluar nga partia-shtet, nga Enver Hoxha, i cili me këto lloj organizmash e njerëzish të ethshëm për të thurur lavde përmes gjoja artit, i ngritën kultin atij dhe ky ishte enverizmi. Enverizmi në Shqipëri ishte manipulim, manipulim i gjithçkaje, manipulim për ta paraqitur gjithçka të bardhë e gjithçka të lumtur, kur shumëçka ishte ndryshe, kur gjithçka nuk kishte hapësirë, nuk kishte demokraci, nuk kishte liri e të drejta njerëzore, kur gjithçka shtypej e shfrytëzohej, kur jeta nuk kishte siguri, kur siguria ishte fasadë, kur njeriu trajtohej si kavie, kur njeriu ishte i shtypur, kur vendi ishte në skamje e mjerim.
Enverizmi në Shqipëri ishte dhunë, dhunë në çdo drejtim e për çdo gjë. Fasada ishte “paqësore”, dukej i tillë, por brendia e tij e gjithçka ishte frikë. Kudo e ngado të ndiqte ankthi, autocensura e vetëcensura. Punëtori paguhej keq e jetonte keq e mos më keq, por që nuk shprehej se ai që shprehej, e dinte se e priste arrestimi e burgu. Fshatari vuante si “gjarpri nën gurë”, por nuk ndjehej ose “manifestonte” kënaqësi e gëzim për “ditët e lumtura të partisë”, ndryshe e pësonte me kulakëllik e pas kolektivizimit absolut, me burgim e internim sipas “nenit 55” të agjitacion propagandës. Po enverizmi pas Enverit?! Ka ekzistuar dhe ekziston. Kujtohet ai me nostalgji, sa herë gjërat bëhen me gabime në demokraci. Kujtohet ai edhe nga nostalgjikët. Kujtohet edhe në festën e pavarësisë dhe të çlirimit, kujtohet edhe në ditën e dëshmorëve. Tentativa për të risjellë në skenë Enver Hoxhën si drejtues të luftës, kanë qenë prezente. Në sherrnajën e përgjithshme janë përfshirë, shtyrë ndoshta edhe nga ajo që lexohet si tentativë për të rehabilituar diktaturën. Lufta Antifashiste nuk mund të identifikohet me asnjë individ të caktuar cilido qoftë ai, sepse ajo ishte një luftë mbarëpopullore, ishte një luftë mbarëkombëtare, ishte një luftë që përfshiu të gjitha krahinat e Shqipërisë, që i bashkoi të gjithë në thirrjen e Konferencës së Pezës, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Dhe ky mesazh bashkimi është një tentativë për të zbutur tonet e debatit për luftën, ku një pjesë mendojnë se pati vetëm luftë civile për pushtet, në ata se lufta ishte një përpjekje e rrallë me pushtuesit. Po pas Lufta? Flasin statistikat e publikuara. Diktatura e Enver Hoxhës vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë për motive politike, internoi rreth 60 mijë persona.
2). Megjithëse kanë kluar dhjetëra dekada, lufta politike për të vërtetat historike është prezente dhe shumë e ashpër, madje e frymëzuar gjithandej nga enverizmi. Gjithçka tregon se enverizmi është i pranishëm në partitë politike dhe bëhet i rrezikshëm për Shqipërinë e integruar në NATO dhe në dyert e Bashkimit Europian. Dhe gjasat janë që ethet të vazhdojnë, sherrnaja të vijoi. Historia e luftës është plot personazhe të dyfishta dhe role që gjykohen bardhë e zi duke i ndarë shqiptarët në dy grupe të mëdha. Tradhtia dhe patriotizmi ngatërrohen në të njëjtin person dhe shikimi e shkrimi bardhë e zi i historisë e kanë bërë deri të pamundur pranimin e një pjese të madhe të vërtetash që kundërshtohen ashpër prej palëve sipas qëndrimeve të tyre. Konsensus nuk ka. Ka kolaboracionistë e tradhtarë dhe dëshmorë për njërën palë, apo të persekutuar, të pushkatuar pa gjyq dhe persekutorë për palën tjetër. Gjasat janë që të dyja palët të kenë jo pak të drejtë sa i përket dyzimit të mjaft figurave, por ndërsa për mjaft prej atyre që u përfshinë në histori ka dy anë të ndryshme medaljeje. Detaje të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, të cilën nostalgjikët thonë se Enver Hoxha e drejtoi, kanë bërë të qartë se ai gjithmonë ka pasur rolin e persekutorit. Eliminimi i kundërshtarëve që mund t’i merrnin pushtetin është e vetmja lidhje mes tij dhe viktimave që fillojnë me Mustafa Gjinishin, i akuzuar se nënshkroi një marrëveshje që i bashkonte të gjithë shqiptarët në një front. I qartë është po ashtu bashkimi pa kushte me jugosllavët. Pranimi pa kushte deri më 1948 i urdhër-ekzekutimeve që vinin prej tyre.
Ndërsa nuk ka ndonjë dëshmi për udhëheqësi lufte. Enver Hoxha ishte thjesht njeriu i zgjedhur (nga përfaqësuesit e Titos) të komandonte Partinë Komuniste dhe vështirë se gjenden beteja që ai planifikoi. Urdhrat e lëshuar prej tij janë më së shumti urdhra ekzekutimi, qoftë për ata që i quante shokë, qoftë për të tjerë. “Enver Hoxha nuk kishte asnjë meritë në drejtimin e luftës, madje ishte tradhtar i saj”. Konferenca e Pezës që shënohet si dita e krijimit të Frontit Nacionalçlirimtar, është paraqitur deri vonë si arritje e Enver Hoxhës, por ky i fundit qe vetëm një prej pjesëmarrësve në të. Presidenti i nderit i saj ishte Mehdi Frashëri, i cili ka si njollë bashkëpunimin me nazistët, ndërsa qeveria apo këshilli që do drejtonte luftën, u vu nën drejtimin e të tjerëve. Enver Hoxha ishte vetëm një anëtar në atë këshill, drejtuesit e të cilit, një pjesë u ekzekutuan me urdhër po prej tij dhe u shpallën tradhtarë, ose në historinë e shkruar u lanë në harresë. Myslim Peza dhe Ymer Dishnica mbetën gjallë, ndofta se të dy më shumë, ngaqë heshtën.
I pari si deputet i kujtuar më shumë si lider i një çete, kurse tjetri përtej rolit u mënjanua dhe pasi bëri burg, jetoi në periferi dhe nuk u përfshi në politikë. Drejtuesit e tjerë u arratisën. Enver Hoxha mori përsipër të kishte drejtuar i vetëm luftën, ndërsa vijoi të ekzekutonte vit pas viti bashkëpunëtorët dhe njerëz që dinin diçka nga e vërteta. I fundit prej tyre ishte Mehmet Shehu, i përlyer njësoj sa Enver Hoxha në persekutim edhe pse më shumë i shërbeu këtij me besnikëri. Enver Hoxha mori një rol drejtues në luftë vetëm më 1944, ndoshta edhe pjesa më e errët e përpjekjes së LNÇ kundër pushtuesve, që përshin elementë të luftës civile dhe ndonjëherë deri ndjekje e përndjekje krahinash të tëra, për të konsoliduar pushtetin e Enver Hoxhës dhe e PKSH-së.
Më vonë në Berat, Enver Hoxha mund ta kishte pësuar për shkak të kësaj, por çuditshëm ai u mbijetoi dyshimeve, shpëtoi edhe pas prishjes me jugosllavët, edhe pse qe e qartë që ishte ai njeriu i tyre më shumë se sa Koçi Xoxe, i cili edhe e pësoi për këtë. Në fund ai është njeriu që udhëhoqi Shqipërinë për vite me radhë duke vrarë kundërshtarë dhe shokët. Retushimi i historisë, ndërsa njerëzit që luftuan fshiheshin prej saj, arriti deri në atë pikë sa Enver Hoxha dukej se kishte luftuar krejt i vetëm. Enver Hoxha dhe socializmi i tij nuk ishte më specifik se i Titos, por enverizmi ende ekziston jo si praktikë, por si frymë. Si praktikë ka vdekur bashkë me bazën e tij ekonomike e politike, por si frymë ende ai është gjallë e “kërcënon”. Popull kujdes, ajo që tejkalohet, është mirë të mos harrohet! /Panorama/