Diskriminimi në RMV, edhe etnik, edhe politik!

    Numri i ankesave të qytetarëve për forma të ndryshme të diskriminimit në vend është në rritje. Shumica ankohen për diskriminim në bazë të bindjeve politike, por ka edhe një numër të madh të rasteve në të cilat është konstatuar se rrënja e raportit diskriminues qëndron në përkatësinë etnike dhe shoqërore. Këtë problem e alarmuan institucionet kompetente dhe organizatat joqeveritare të cilët përmes anketave janë përpjekur të konstatojnë nëse qytetarët kanë besim në institucionet dhe nëse Maqedonia e Veriut është shoqëri e drejtë për të gjithë qytetarët?

    ANKETAT

    Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve ka kryer një anketë me 1.170 të anketuar dhe të dhënat e marra tregojnë se 45.5 për qind e të anketuarve që kanë përjetuar diskriminim ose kanë dijeni për një rast të tillë, identifikojnë përkatësinë politike si bazën kryesore të diskriminimit. Dimensioni etnik apo fetar, i cili luan një rol të madh në sistemin tonë politik, kësaj radhe nuk del në pah”, thotë drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, Neda Maleska-Saçmaroska. Ajo në konferencën “A është Republika e Maqedonisë së Veriut një vend i drejtë?” Si mund të avancojnë institucionet bashkërisht në luftën kundër diskriminimit?”, theksoi se diskriminimi në bazë të përkatësisë politike më së shpeshti haset në fushën e punës dhe punësimit, si arsye për qasje në vendin e punës, avancim dhe humbje të vendit të punës.

    PADREJTËSI

    Ndjenja e padrejtësisë është e përfaqësuar në mënyrë të barabartë te të gjitha grupet etnike – maqedonase, shqiptare dhe rome, gjë që tregon se ka konkurrencë brenda vetë komuniteteve etnike. “Ka një dukuri si sipas partisë ashtu edhe sipas përkatësisë etnike, ku partitë politike arrijnë të ofrojnë punë dhe punësim, vetëm për përkrahësit e tyre si në blloqet etnike maqedonase ashtu edhe në blloqet etnike shqiptare. Kjo do të thotë se administrata konsiderohet pre e politikës dhe politika është një nga mënyrat më të shpejta dhe më të mira për të gjetur një vend pune në shoqëri dhe për të siguruar status social”, theksoi Maleska-Saçmaroska.

    RRITET NUMRI I ANKESAVE

    Nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, thonë se numri i ankesave është trefishuar nga viti i kaluar. Në 20 muajt e fundit, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka përpunuar gjithsej 470 raste. “Në vitin 2022 kemi punuar në 255 raste dhe ndryshe nga hulumtimi i qendrës për menaxhimin e ndryshimeve, sipas të cilit qytetarët janë të bindur se forma më e zakonshme e diskriminimit bazohet në bindjet politike, statusin social dhe përkatësinë kombëtare apo etnike, analiza e të dhënave tona statistikore tregon se diskriminuesi më i zakonshëm për vitin 2022 janë përkatësia etnike, karakteristikat personale dhe statusi social”, thotë Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

    Një numër në rritje i ankesave për diskriminim kanë mbërritur edhe në adresën e Avokatit të Popullit. Vitin e kaluar janë paraqitur 76 parashtresa nga qytetarët, që është 30 më shumë se vitin paraprak, tha Avokati i Popullit, Naser Ziberi. Ata janë më të shumtët në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, pastaj aksesin në shërbime të tjera, drejtësi dhe administratë, strehim, arsim, shkencë, sport, sigurime shoqërore e të ngjashme.

    “Më shqetëson përqindja e lartë e mosbesimit të qytetarëve në institucionet e mbrojtjes nga diskriminimi, një përqindje shumë e lartë e qytetarëve që nuk inkurajohen të iniciojnë instrumente mbrojtëse, sepse paraprakisht janë në depresion, përkatësisht nuk kanë besim te institucionet. Kjo duhet të shqetësojë Qeverinë, por edhe Parlamentin sepse janë faktorë që krijojnë politikat”, tha Ziberi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Inspektorët do të kenë më shumë kompetenca në lidhje me shqiptimin e gjobave për deponitë ilegale

    Lajmi i rradhës

    Konfiskimet e patundshmërive, pasurimi jashtë ligjit në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë