Sefer Tahiri
Profesor universitar, gazetar
“I shihni këto klasa, janë bërë në vitin 1950 vetëm me baltë dhe gurë. Ne nuk duam shumë, nuk duam kabinete me kompjuterë, tabela smart apo kushte në sallën sportive, nuk duam luks. Duam vetëm klasa”! Ky rrëfim nuk është pjesë e ndonjë dokumentari të viteve 70-ta, por rrëfim i gjallë i një interviste në vitin 2025. Është rrëfim i aktivistit dhe intelektualit Dashmir Jusufi, i cili në ekranin televiziv shfaqet me një zë të mekur, por që tingëllon fuqishëm, me shpresë se do të arrijë tek ndërgjegjja e vendimmarrësve.
Në shekullin 21, Dashmiri kërkon kushte minimale për fëmijët e tij dhe gjithë fëmijët e Nerovës, një fshat i cili gjendet në rajonin e Krushevës, në të cilin ndër vite lindin shumë fëmijë, ndërsa shkolla që numëron mbi 120 nxënës duhet zgjeruar.
Shteti, i cili nuk ka investuar as edhe një gozhdë në Nerovë, nuk lejon funksionimin kompletimin e objektit të ri të shkollës, i ndërtuar nga banorët, pasi nuk paskan siguruar leje dhe sipas shtetarëve mbase duhet rrënuar. Çfarë anakronizmi i përmasave epike?
Nerovasit që kryesisht merren me prodhimin e duhanit dhe një pjesë e tyre janë në mërgim kanë ndarë nga buka e gojës për të ndërtuar shkollën. Bëhet fjalë për njerëz që zgjohen në orën tre të mëngjesit për të siguruar mbijetesën ekonomike.
Shteti “i lejeve” nuk siguron kushte elementare, edhe pse e ka detyrim kushtetues, ndërsa as nuk mundëson përmirësimin e tyre me vetëkontribut vullnetar të qytetarëve. Çfarë absurdi e paradoksi? “Hyp se të vrava, zbrit se të vrava”!
Përderisa politikanët me gojën plot brohorisin “Populli, populli”, nerovasit kërkojnë shkollë. Aktivisti Jusufi njoftoi se “Përveç deputetit Ziadin Sela, i cili ka qenë bartës në njësinë zgjedhore numër 5, asnjë politikan, zyrtar apo parti politike nuk është interesuar dhe nuk na ka pyetur”! Sa keq! Kjo ndodh pasi Nerova nuk është ndonjë fshat i madh që sjell vota përkatësisht nuk mobilizon elektoralisht shqiptarët. Nuk është ndonjë fshat i rëndësishëm i gjeografisë zgjedhore dhe njëherësh i rëndësishëm për aritmetikën e votave. Po të ishte i tillë, në Nerovë do të zbarkonin delegacionet qeveritare dhe politike me limuzina të zeza, sigurim të madh, kamera, fotoaparate e “salltanate” tjera, transmetime të drejtpërdrejta në rrjetet sociale e aktivitete të tjera. Do bënin alamet spektakël!
Lehtë është me qenë shqiptar etnocentrik fjalëmadh që nga Likova deri në Strugë!
Por ja që Nerova nuk është fshat apo lagje elektorale, nga e cila varen karrierat politike, nuk zgjedh kryetar komune e shumë këshilltarë komunal. Është një fshat në një rajon të Maqedonisë së Veriut, në të cilin shqiptarët janë joshumicë dhe i cili nuk kërkon shumë nga shteti. Do vetëm shkollë, apo siç do të thoshte Fadil Sulejmani “Duam laps dhe libra”.
Nerova e ka fatin e shqiptarëve të Velesit, të cilëve nuk u lejohej hapja e dy paraleleve shqipe në gjimnaz, pasi komuna kishte vendosur, duke u bazuar tek fakti se në to nuk mund të regjistroheshin nxënës me sukses mesatar. Por pas presionit të mediave dhe opinionit publik paralelet shqipe u lejuan!
Nerova e pasqyron dhe reflekton më së miri realitetin në disa pjesë të vendit, në të cilat shqiptarët, për dallim nga rajonet, në të cilat janë shumicë, dyfish nuk e ndjejnë dorën e shtetit. Shqiptarët me halle e probleme të ngjashme arsimore dhe rrjedhimisht thelbësore ekzistencialiste ballafaqohen në rajonin e Velesit, Prilepit, Krushevës, Manastirit, Ohrit e Prespës.
Shteti shpesh me ta sillet si njerkë! Shpesh diskriminohen, nënçmohen, nëpërkëmben e si përfundim edhe tjetërsohen e asimilohen.
Nerova është metaforë e diskriminimit sistematik shtetëror e institucional ndaj shqiptarëve, sidomos në pjesën e vendit në të cilin nuk janë shumicë. Është simbol i qenësisë shqiptare në një rajon, në të cilin qëndrueshmëria dhe mbindërtimi i saj është sfidë jo e lehtë. Nerova duhet të prek secilin që merret me çështje publike. Sidomos ata që janë deklaruar dalzotës të shqiptarëve!
*Analiza është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.