ÇFARË NDODHI NË TETOVË?

    Xhelal Neziri / Fotografia: Nistori

    Xhelal Neziri

    Nga 84.072 qytetarë me të drejtë vote në Komunën e Tetovës, dje votuan vetëm 29.690. Një jehonë tepër e ulët zgjedhore që nuk legjitimon sa duhet përbërjen e re të Këshillit komunal. Në krahasim me zgjedhjet lokale të rregullta, të mbajtura në tetor të vitit 2021, në këto zgjedhje ka plot 6.843 vota me pak. Edhe pse kohë pushimesh verore, pritej që të drejtën e votës ta shfrytëzojnë edhe mërgimtarët që u gjetën në vendlindje dje. Por, kjo nuk ndodhi.

    Kjo dalje e ulët në zgjedhje u solli telashe disa partive politike, ndërkohë që u dha karton të kuq lëvizjeve qytetare. Përveç BESËS, të gjitha partitë tjera kanë rënie në numrin e votave, ndërkohë që ASH dhe “Më mirë për Tetovën” nuk arritën të fitojnë as edhe një këshilltar.

    Të shkojmë me radhë:

    • BDI në zgjedhjet lokale 2021 në Tetovë mori 10.114 vota, kurse tash 8.702. Ka rënie për 1.412 vota.
    • BESA në 2021 mori 8.367, kurse sot 9.620. Ka ngritje prej 1.253 votave.
    • ASH në 2021 mori 3.912, kurse sot 777 vota. Ka rënie prej 3.135 vota.
    • PDSH në 2021 mori 2.526, kurse sot 1.058 vota. Ka rënie prej 1.468 votave.
    • “Më mirë për Tetovën” në vitin 2021 mori 2.842, kurse sot 761 vota. Ka rënie prej 2.081 vota.

    Ku është problemi? Dalja e ulët në zgjedhje nuk mund të jetë rezultat i pushimeve verore. Aq më tepër kur në këtë kohë ka ende shumë mërgimtarë që janë për pushime në vendlindje. Vera supozohej të rriste numrin e votuesve pikërisht për shkak të diasporës që është këtu.

    Platformat ishin korrekte, që adresonin pjesën më të madhe të problemeve me të cilat ballafaqohen tetovarët. Fushata ishte evropiane, pa incidente apo njolla tjera.

    Problemi qëndron te besimi i humbur i qytetarit të Tetovës se nëpërmjet procesit demokratik zgjedhor do të mund të zgjidhë problemet, me të cilat ballafaqohet çdo ditë. Kanë defiluar shumë kryetarë e këshilla komunalë, por ngelën problemet e njëjta, si:

    1. Punësimi me kontrata i qindra militantëve partiakë

    2. Kaosi në komunikacion dhe mungesa e parkingjeve

    3. Mungesa e shëtitoreve (pedonaleve) dhe e hapësirave për këmbësorët

    4. Mungesa parqeve dhe qendrave për rekreim

    5. Mungesa e rregullimit urbanistik dhe lufta kundër mafies urbane

    Ka edhe shumë probleme që janë akumuluar dhe me kohë janë bërë pjesë e normalitetit të tetovarëve. Sidoqoftë, kjo dalje e ulët është shqetësuese jo vetëm për partitë politike, por edhe për vetë demokracinë. Kërkohet një qasje më serioze ndaj politikës, ndaj menaxhimit të institucioneve komunale me qëllim që Komuna të prodhojë atë që pritet nga ajo: përveç shërbimeve kualitative, të prodhojë rezultate konkrete drejtim të zgjidhjes së problemeve jetësore për qytetarët.

    Lajmi Paraprak

    Mbi katër mijë shqiptarëve nga Lugina u janë pasivizuar adresat

    Lajmi i rradhës

    Projekt gazsjellësi: Gaz nga Saharaja për në Europë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë