Katundar e qytetar, pse jemi me shumë ilete!

    Daim Ilazi

    Daim Ilazi

    Në këto kohë të turbullta, po kalojmë nëpër labirinte të errëta dhe ndodhemi në udhëkryqe të polarizimeve të mëdha. Jemi në një situatë shumë delikate, me shumë të panjohura. Jetojmë në një delir kohe dhe, në mesditë, thurim epitafe çmendurie. Bota na duket si një epruvetë bosh dhe nuk ka rëndësi kush na ndërsehet; si të mpirë, njerëzit kërcejnë njëri-tjetrin. Çdo lëvizje e gabuar në këtë parti shahu mund të na kushtojë me humbjen e pozicionit. Prandaj, duhet të kemi kujdes edhe ndaj refleksit më të vogël, sepse mund ta humbim ekuilibrin. Shumë pak e kemi ndjenjën e përgjegjësisë. Në shtetet euro-perëndimore, sidomos te politikanët, kjo ndjenjë është mjaft e stërholluar.

    Për lëshime, gabime apo mosrealizime të premtimeve, jepen dorëheqje të parevokueshme. Ne shpesh dëgjojmë: “Filan ministër i filan shteti evropian, për 2% alkool gjatë vozitjes ka dhënë dorëheqje”, ose për korrupsion të vogël, nepotizëm, ose për ndonjë lëshim pse është vonuar në mbledhje të qeverisë ose në parlament, japin dorëheqje. Po ashtu, ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, vetëm pse bashkëshortja e tij përdori veturën zyrtare për të shkuar te frizeri, ai nesër dha dorëheqje. Pse treni në Japoni ishte vonuar 4 minuta? Ministri i Transportit dha dorëheqje. Do ta potencoj fjalinë famoze të ish-premierit anglez Winston Churchill: “Politikani bëhet burrështetas kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.”

    U dogj spitali modular i Tetovës me 14 viktima, ende nuk ka epilog gjykimi… askush në përgjegjësi. Ku është manifestimi i shpirtit demokratik, intelektual dhe njerëzor? U mbytën në dy raste mbi 40 njerëz në aksidente autobusi: një rast në Bullgari me udhëtarët tanë dhe një rast te ne në fshatin Laskarcë, ende nuk ka epilog gjyqësor as përgjegjësi. Si me qenë 40 pula. Te ne, si duket, kjo përgjegjësi mungon. Mendojmë se jemi të lidhur për karrige e fotelje dhe për gabime dhe dështime shumë të mëdha nuk jepen dorëheqje si në perëndim. Shumë ministra e liderë tanë mendojnë të shkojnë edhe në atë dynjanë tjetër me fotelje qeveritare.

    Pra, kështu, me këso sjellje të jemi të sigurtë se nuk na pranon Bashkimi Evropian. Politikanët dhe çaushët partiakë mos ta kullosin popullin me vite e dekada. Bile, nëse dikë e sugjeron ose e kritikon për gabime e dështime, menjëherë e bën armik; për atë person ose grup politik bëhesh “persona non grata”. Për tu çuditur?! Ja, në çfarë gjendje jemi katandisur! Prej katër partive politike, jemi bërë shtatë, me tendencë që numri të shtohet. Bile tani, çdo parti ka filluar të bëjë edhe nga dy krahë e frakcione. Është përçarë populli, është përçarë xhemati, janë përçarë hoxhallarët. Njerëzit janë të hutuar, nuk dinë kujt t’i lidhen. Në këto raste, çdo grup akuzon grupin tjetër për tradhti, diletantizëm, hipokrizi, etj. Tani është bërë modë që tradhtarët dhe patriotët të promovohen natën në çajtore e kafene, në oda burrash, duke pirë “agër çaj” e duke pirë birra Pejë, Korçë apo Shkup, e duke mos pasur konsideratë për asgjë se në çfarë gjendje është katandisur populli. Askund në botë nuk ndodh që politika të bëhet në këso mjedise dhe, për fat të keq, kjo gjendje na paraqitet me dekada e shekuj. Këtë gjendje të antivlerave, më së miri e përshkruan Fan Noli në “Pesë anarhitë e shqiptarëve”. Ç’po ngjet sot me ne?! Lesh arapi është bërë çdo send. Kaq ndërgjegje të ulët të çaushëve politikë te ne, as në Afrikë nuk e gjen. Nuk respektojmë e nuk çmojmë vlera, na mbytën antivlerat, pseudointelektualët, pseudopatriotët, doktorët me plagjiatura, mediokritetet dhe sharlatanët politikë.

    Më kujtohet rasti kur ishin demonstratat masovike në Sorbonë në Paris, kur studentët kërkonin demokratizim të Francës në pranverën e vitit 1968. Në ballë të protestuesve qëndronte nobelisti Jean-Paul Sartre me zonjën e tij, filozofen, shkrimtaren e madhe Simone de Beauvoir. Bile një natë, policia i arrestoi dhe lajmi mori tërë Francën, mori dhenë. Por të nesërmen reagoi presidenti i Francës, Charles de Gaulle, i cili dha urdhër që menjëherë Sartre të lirohet, duke u shprehur: “Edhe pse është kritikues i ashpër i qeverisë, i shtetit, ka tjetër mendim e ideologji, ai është shumë i madh, pra ta lëshoni nga burgu, nuk mund të mbyllet Volteri francez.” Pra, de Gaulle e dinte ta çmonte kolosin, intelektualin e lartë, filozofin e madh Sartre dhe policia e liron nga burgu. Dhe afro një muaj, protesta të studentëve, Sartre ditë e natë ka ndejtur me studentët duke protestuar nëpër rrugët e Parisit.

    A ju kujtohet se çfarë ka deklaruar miku ynë, Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në prill 2018, se sa i dëshpëruar ishte atje? Po edhe ambasadorja amerikane, zonja Yvona Jakobson, para 7 vitesh tha se Qeveria e Kosovës e ka “hup busollën, e ka huq”. Po te ne, në Maqedoninë e Veriut, Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns, para 5-6 vitesh, tha se këtu te ne problemi i madh është korrupsioni dhe largimi i rinisë nga vendi. Të njëjtën gjë e tha Ambasadori i BE në Shkup, zotëri David Gere, para 3 vitesh, kurse ne bëhemi të shurdhër.

    Para tre vitesh, Ambasadori holandez në Shkup, Jan Kop, tha se Bashkimi Evropian ju jep qindra miliona euro, kurse ju i vjedhni dhe keni korrupsion të çuditshëm. Janë vjedhur miliona euro dedikuar komunave tona, askush nuk përgjigjet. Qytetet tona me infrastrukturë afrikane. Me miliona euro janë dhënë për blerjen e aparateve më moderne për spitalet e Shkupit e Tetovës, shumica e aparateve nuk përdoren, rrinë nëpër podrume. Si mundet që komunat i kanë lënë me miliona euro borxh dhe askush nuk shkon në burg, asnjë përgjegjësi? Jeta e të rinjve, vajzave, djemve, të moshuarve, është bërë e pashpresë, apatike, pa kushte elementare për jetë. Siç thotë një poet, bëjmë jetë qeni. Ditë e natë mendojnë si të ikin nga vendlindja kah sytë e këmbët.

    Do ta parafrazoj deklaratën e Ambasadorit amerikan Donald Lu para 6 vitesh në Tiranë, kur tha: “Ky është mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe miqësor i mikut tonë më të madh se si jemi katandisur si komb dhe si shtete dhe se cila është e mira dhe e keqja jonë. Unë kam pak kohë që rri në vendin tuaj. Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besimin ndaj të huajve. Por, pastaj, kur pashë se ata që ju drejtojnë apo merren me politikë tek ju janë më të pashpirt, më plaçkitës se çdo i huaj dashakeq ndaj jush, e kuptova pse na shikoni në dritë të syrit. Këto politikanët tuaj veç e plaçkitin popullin dhe shtetin tuaj.” Lidhur me korrupsionin, Lu shprehet: “Korrupsioni i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve të zakonshëm e të ndershëm.”

    Më 6 nëntor 2014, Ambasadorja amerikane në Kosovë, zonja Tracey Ann Jacobson, deklaroi publikisht në mas mediume se liderët e Kosovës e kanë në gjak, traditë korrupsionin. Bile në gjuhën shqipe u tha troç se Qeveria juaj, shumë ministra e kanë dhënë punën.

    Përjetojmë ekstazë në sharje e përgojime, kurse fort pak e shohim mjegullën e rëndë mbi kokë e përditshmëria është shndërruar në letargji. Në Delfi të Greqisë, nga epoka antike e gjer më sot qëndron epitafi filozofik i principit të individualitetit të mirëfilltë human: “Gnoti Sauton” – Njih vetveten. Pra, individi ynë duhet të arrijë në gjendje “arete”, të përjetojë “katarzisin spiritual”, ku do të gërshtoheshin urtësia, intelektualizmi i vërtetë, bujaria, profesionalizmi, vetëdija, fisnikëria, përgjegjësia dhe e mira. Pa këto koncepte nuk mund të flasim për demokraci ose për vlera të mirëfillta evropiane. Nëse çdo individ e njeh dhe e mat vetveten në mënyrë reale, aty lind esenca dhe logjika e individit për të marrë pozita serioze në shoqëri, ose në të kundërtën hyjmë në anarko-liberalizëm dhe vërtitemi në rreth vicioz.

    Pra, kemi filluar t’i ngjajmë një orkestri pa dirigjent me gitara, violeta dhe çifteli të pa akorduara. Nëse nuk përmirësohemi, atëherë mund të arrijmë në një fazë tjetër të primitivizmit anarhik. Është një dukuri e çuditshme tek ne. Kur njerëzit, intelektualët tanë, qortohen apo shahen për çështje partiake apo ideologjike, nuk flasin me vite, fabrikojnë trillime e shantazhe primitive, armiqësohen skajshmërisht e primitivisht, kurse te popujt perëndimor është krejt ndryshe.

    Fan Noli, një nga figurat më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore në vitet 1940. Në moshën 40-vjeçare, ai u sëmur rëndë në Boston, ku mjekët i sugjeruan një operacion urgjent që kushtonte 80,000 dollarë. Me vetëm 5,000 dollarë në dispozicion, ai filloi të mbledhë fonde nga diaspora shqiptare në SHBA, por arriti të mbledhë vetëm 9,000 dollarë, ende larg shumës së nevojshme. Në këtë situatë, ai iu drejtua me një letër Mbretit Zog, kundërshtarit të tij politik, duke kërkuar ndihmë financiare. Pavarësisht kundërshtimeve të disa ministrave dhe këshilltarëve të Mbretit, Zogu vendosi të ndihmojë, duke dërguar shumën e nevojshme për operacionin. Pas operacionit, Noli u shërua dhe vazhdoi krijimtarinë e tij letrare, duke përkthyer vepra të autorëve të mëdhenj botërorë. Kjo ngjarje tregon se kombi përfitoi nga Noli, jo partia ose ideologjia.

    Edhe Faik Konica, një tjetër figurë e shquar shqiptare, ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare. Në vitin 1926, ai u emërua ambasador i Shqipërisë në SHBA nga Mbretit Zog. Gjatë kohës që ishte ministër në Uashington, Konica nuk kishte lënë verë pa shkuar për pushime në Suamskot, vend me famë botërore për kapjen e aragostave, që tërhiqte amerikanët e kamur dhe pushues të shumtë nga bota. Në një nga ndërtesat përballë oqeanit, Konica kishte zënë miqësi me pronarin, i cili e ftonte të qëndronte falas dy javë më tepër. Gjatë gjithë kohës që ishte ministër në Uashington, Konica nuk kishte lënë verë pa shkuar për pushime në Suamskot, vend me famë botërore për kapjen e aragostave, që tërhiqte amerikanët e kamur dhe pushues të shumtë nga bota. Në një nga ndërtesat përballë oqeanit, Konica kishte zënë miqësi me pronarin, i cili e ftonte të qëndronte falas dy javë më tepër. Hapësira e oqeanit dhe largësia nga zhurmat e Uashingtonit e ndihmonin të qetësonte mendjen dhe hipertensionin e tij. Suamskoti kishin një të mirë të madhe, sepse komunitetet e shqiptarëve ishin afër. Mund të merte autobusin etrenat për në Boston.

    Këto ngjarje historike na kujtojnë se kombi shqiptar ka pasur dhe ka nevojë për figura të shquara që të kontribuojnë në zhvillimin e tij, pavarësisht dallimeve politike dhe ideologjike. Është koha që të shlyejmë xhelozinë primitive dhe të përparojmë raportet demokratike, duke u nisur nga vlerat e përbashkëta dhe duke synuar integrimin në Bashkimin Evropian. Evropa dhe Amerika çdo veprim tonin e vështron me dyrbi; na njohin në detaje. Mos mundohemi t’u tregojmë përralla ose ninula për fëmijë, se dyert e Evropës do ngelin ende të mbyllura.

    Të vetëdijësohemi dhe të ndërgjegjësohemi për përgjegjësitë tona, duke i kërkuar udhëheqësve tanë shtetërorë dhe liderëve partiakë që të udhëheqin me përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen e kombit. Nuk ka vend për hedonizëm dhe elozhe; duhet të punojmë për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Plani operativ 2025: të rinjtë të qëndrojnë në RMV, qytetarët në rrezik social të bëhen të pavarur ekonomikisht

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut i beson BE-së 54%, ndërsa Serbia mbetet skeptike

    Lajme tjera

    ÇKA LYPSET ËSHTË …

    Poezi nga: Carlo BetocchiPërktheu: Maksim Rakipaj Çka lypset është njeriujo aq shumë mençuria e tij,çka lypset është një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë