Nuk ka pothuajse asnjë ditë, e Struga të mos përballet me defekte në rrjetin e ujësjellësit. Kjo është shpesh arsyeja e ndërprerjes së furnizimit të rregullt me ujë. Riparimi i defekteve dhe sipërfaqet e dëmtuara janë përditshmëri për ekipet e Ujësjellësit dhe kanalizimeve. Arsyeja për këtë është rrjeti i vjetëruar dhe i rrënuar, ndërsa një pjesë e mirë e tubave të ujit janë bërë nga asbesti.
“Infrastruktura është shumë e vjetër, më shumë se 50 vjet dhe ky është një problem në vetvete, të cilin përpiqemi ta zgjidhim me riparime, por nuk zgjidhet. Sa i përket tubave të asbestit, ato janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve, por nuk mund t’i arrijmë të gjithë, sepse nëse riparojmë një defekt në një vend, hapet defekt diku tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund të arrijmë deri te qytetarët e fundit me furnizim me ujë”, tha Dashmir Nasufi – Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë .
Nasufi shpreson se projekti për zëvendësimin e plotë të sistemit të ujësjellësit, i cili do të fillojë së shpejti, do ta zgjidhë përgjithmonë këtë problem. Por, vjedhja e ujit mbetet problem i madh, veçanërisht gjatë verës.
“Nuk varet gjithçka nga ne. Mund të zbulojmë keqpërdorimet, por ky është një proces tjetër. Ka procedura ligjore. Së bashku me inspektoratin komunal dhe organet e punëve të brendshme, duhet të arrijmë në konkluzion sipas të cilit mund të padisim. Nuk varet gjithçka nga ne. Inspektorati duhet të na sjellë raportin, sipas të cilit mund të shkojmë tek qytetarët”, u shpreh Dashmir Nasufi – Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë .
VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët thonë se nëse nuk ka ndryshime në mënyrën e qeverisjes, problemi vetëm do të thellohet, gjë që nga ana tjetër do të rezultojë me ndërprerje më të shpeshta të ujit dhe borxhe të reja./Alsat